Pensionistët e Fierit, ende pa marrë pagesën e prillit
Pensionistëve të Fierit u është vonuar pensioni mujor për më shumë se një javë. Kjo ka ardhur si pasojë e problemeve me bankat, nga ku xhirohen pagesat e tyre.
Jo vetëm vlera e vogël e pensionit, por edhe vonesa e marrjes së tij po shihet si një problem shqetësues nga ana e të moshuarve të Fierit. Këta të fundit nuk kanë arritur ta marrin pensionin e muajit prill, i cili shpërndahet në ditët e fundit të muajit dhe dy ditët e para të muajit pasardhës. Dy filialet e postës ku të moshuarit e Fierit tërheqin pensionin e pleqërisë, javën e fundit janë përballur me radhë të gjata. Madje, edhe të shtunën dhe të dielën në dy vendshpërndarjet e pensioneve ka pasur me dhjetëra të moshuar, të cilët janë shprehur se kanë ditë që presin marrjen e parave.
“Kemi një javë që vijmë përditë. Na thonë që nuk kanë lekë bankat”, thotë Aristeja, e moshuar që banon në lagjen “Afrim”. Gjena, një tjetër e moshuar, pohon se tri ditët e fundit ka qëndruar dhe me orë të tëra në radhë, në pritje të ardhjes së lekëve. “Nuk kanë ardhur paradite dhe jemi detyruar të presim deri pasdite, pastaj të kthehemi në shtëpi. Me gjithë vitet që kanë kaluar, të moshuarit e Fierit duhet tashmë të përballojnë edhe efektet e qëndrimit me orë të tëra në radhë. Temperaturat e larta kanë ndikuar negativisht në shëndetin e tyre.
Këta faktorë sfidohen nga autoritetet përkatëse, që nuk duan të japin asnjë lloj sqarimi, por mjaftohen me fjalët e punonjëseve që shpërndajnë pensionet, të cilat deklarojnë se “janë bankat ato që kanë vonuar pensionet, sepse nuk kanë para gjendje”.
Afat për zgjidhjen e këtij problemi nuk ka, ndërsa shoqata e pensionistëve të Fierit do të dalë gjatë javës me një peticion, të cilin do t’ia dërgojë qeverisë dhe Ministrisë së Financave. Peticioni i shoqatës së pensionistëve të Fierit është firmosur deri tani nga më shumë se 500 të moshuar, ndërkohë që kërcënohet deri edhe me protesta.
Radhët dhe vonesat kanë shoqëruar gjithmonë sportelet e shpërndarjes së pensioneve në Fier.
#