Sëmundjet që rrezikojnë më tepër jetën e shqiptarëve
Qytetarët janë të rrezikuar nga një numër i madh sëmundjesh, por vendin e parë e zënë sëmundjet kardiovaskulare. Ndërsa vendin e dytë e zënë të sëmurët që vuajnë nga hipertensioni, diabeti apo tumoret. Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri. Rreth gjysma e vdekjeve të shqiptarëve çdo vit kanë në bazë një shkak të lidhur me sistemin e qarkullimit të gjakut. Të dhënat bëhen publike nga Ministria e Shëndetësisë, sipas së cilës, rreth 8 mijë persona në vit vdesin nga kjo sëmundje. Ritmet e rritjes së numrit të të prekurve nga sëmundjet kardiovaskulare është tepër i lartë. Specialistët bëjnë të ditur se kjo rritje vjen si pasojë e ndryshimeve moshore dhe të mënyrës së jetesës. Ndërsa rreth 700 mijë persona në vendin tonë vuajnë nga hipertensioni, duke e renditur këtë sëmundje ndër më shqetësueset. Sipas mjekëve specialistë, kjo shifër kap mbi 25-30 për qind të popullsisë. Kohët e fundit hipertensioni ka filluar të shfaqet edhe në moshat mbi 18 vjeç. Mjekët vlerësojnë se sëmundja e hipertensionit është një faktor shumë i rëndësishëm që shkakton sëmundje të zemrës, hemorragjitë cerebrale, dëmtime të veshkave. Ndërkohë që një vend të veçantë zë dhe sëmundja e diabetit, e cila prek rreth 35 për qind të shqiptarëve, duke vazhduar më pas me tumoret, që prekin një numër të madh personash, ku rreth 2500 veta vdesin çdo vit.
Ivanaj: ”PO përmirësohet gjendja e disa spitaleve të vendit”
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, theksoi se një pjesë e madhe e godinave të spitaleve u janë nënshtruar rikonstruksioneve për të përmirësuar situatën në spitale.
Përsa u përket godinave spitalore, Ivanaj u spreh se aktualisht ka përfunduar rikonstruksioni i godinave të spitaleve rajonale. Sipas tij, vazhdon ndërtimi i spitalit të ri në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, që bashkëfinancohet nga Banka e Këshillit të Europës (CEB) dhe qeveria shqiptare. CEB është bashkëfinancuese me qeverinë shqiptare edhe në Projektin e Fazës së Tretë të Spitalit Rajonal të Shkodrës, që synon vazhdimin e rehabilitimit të Spitalit të Shkodrës. Kostoja e përgjithshme e parashikuar e projektit është 10.5 milionë euro, prej të cilave, 6 milion euro janë financim me kredi me terma të buta nga CEB bashkë me 150.000 euro grant, si dhe 4.331 milionë euro, kontribut i qeverisë shqiptare. Këtë vit, pritet të përfundojë dhe spitali i ri i Kavajës, ku siguria fizike e godinës është brenda standardeve të kërkuara.
Sipas Ivanajt, MSH-ja po rishikon hartën e shpërndarjes së spitaleve dhe institucioneve shëndetësore në të gjithë vendin, me qëllim rritjen e aksesit të popullatës ndaj shërbimeve, por dhe përsosjen e unifikimit të shërbimit shëndetësor.
8 Prill 2009