E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjidhja e krizës; paketa shpëtimi apo kredi për biznesin?



Në vendet e tyre shumë banka europiano-perëndimore luftojnë për të mbijetuar. Kësaj i shtohet tani rreziku i degëve të tyre në Europën Lindore, pasi edhe atje numri i kredive të këqija është në rritje. Keq për bankat; por keq edhe për Europën Lindore.

Nëse atje puna do të arrijë deri në bllokimin e procesit kredidhënës, rritja ekonomike do të ulet në masë drastike. Sipërmarrjet europiano-perëndimore në të kaluarën kanë realizuar atje fitime të majme. Për këtë arsye, vendet europiano-lindore tani kërkojnë që Perëndimi dhe BE-ja t'i ndihmojnë për kapërcimin e krizës.

Kush e pyet kristiandemokratin hungarez Zsolt Becsey, përse Gjermania, Franca apo Hollanda duhet t'iu vijnë në ndihmë me kredi vendeve në nevojë në Europën Qendrore dhe Lindore, merr një përgjigje befasuese.

“Vendet e pasura nga Perëndimi janë sjellë pjesërisht si kolonialistet në Afrikë”, - thotë anëtari i Parlamentit Europian. Bizneset perëndimore gjatë viteve të kaluara kanë shënuar fitime përrallore në Europën Lindore, por asgjë nuk është rikthyer në këto vende.

“Për këtë, duhet të mendohet Europa. Po kështu, edhe qeveria gjermane duhet të reflektojë, pasi firmat gjermane kanë fituar shuma të mëdha në këto vende”.

Në Komisionin Europian në Bruksel ky zemërim nuk kuptohet. Në fund të fundit, Europa ka ndihmuar.

Rreth 25 miliardë është fondi i emergjencës për kredi, për vendet të cilat rrezikohen nga mungesa e likuiditetit. Plot 10 miliardë nga ky fond i janë dhënë tashmë Hungarisë dhe Letonisë. Por, kur edhe Rumania trokiti javën e kaluar në dyert e BE-së për ndihmë, komisari i politikes monetare Joaquin Almunia, u shpreh me qetësi: “ka burime të mjaftueshme disponibël për të ndihmuar në raste të tilla edhe nëse do të paraqiten kërkesa nga vende te tjera”.

Bllokohen kreditë

Megjithëse Komisioni i BE-se nuk pranon ende ta thotë zyrtarisht, duket se një ndihmë shtesë në miliarda euro për Europën Lindore pothuajse është vendosur. Por, vetëm kjo nuk është e mjaftueshme mendon Zsolt Darvas.

Të shohësh rast pas rasti dhe të presësh deri sa situata të bëhet emergjente, në një vend nuk është menaxhim i mirë krize, mendon ekonomisti Bruegel nga Qendra për Trajtimin e Ideve në Bruksel: “Një konferencë e të gjitha bankave që janë aktive në këto vende do të ishte shumë e dobishme. Pjesëmarrësit mund të bien dakord për një kurs të përbashkët dhe kjo do t'i qetësonte tregjet”.

Kështu, deri tani, mungon një panoramë e përgjithshme për seriozitetin e vërtetë të situatës në vendet e veçanta europiano-lindore. Sipas ekspertëve, vendimtare është që filialet e bankave perëndimore të furnizojnë me kredi bizneset europiano-lindore.

Por, paketat e shpëtimit, për bankat në Gjermani apo Britaninë e Madhe, për momentin nuk duket se kanë ndikim në Poloni, Çeki apo Hungari. “Ekziston një rrezik shumë i madh që bankat perëndimore të reduktojnë angazhimin e tyre në Europën Lindore. Kjo do ta ashpërsonte edhe një herë dukshëm krizën”.

Zhvlerësimi i monedhave

Por problemi në pjesën më të madhe është i brendshëm. Shumë vende nga Europa Qendrore dhe Lindore gjatë viteve të lulëzimit ekonomik kanë marrë kredi të lira në euro, por monedhat vendase, në kuadër të krizës financiare, kanë humbur ndjeshëm në vlerë dhe këto vende duhet të paguajnë gjithnjë e më shumë për të shlyer kreditë.

Edhe Banka Qendrore Europiane duhet të ndihmojë në këtë situatë, mendon europarlamentari Zsolt Becsey, duke këmbyer, përshembull, euro kundrejt fiorintës. Por, këto të ashtuquajtura marrëveshje “shkëmbimi” nuk i ofrohen vendeve europiano-lindore.

Megjithë, anëtarësimin e tyre në BE, hungarezëve u duhet të ndihen si jashtëtokësorë kundrejt Bankës Qendrore Europiane ose të paktën si turkmenë, ankohet deputeti: “Unë jam po aq ‘alien’ sa dikush nga Turkmenistani. Kështu duket po të dëgjosh presidentin e Bankës Qendrore Europiane”, - thotë kristiandemokrati hungarez, Zsolt Becsey.

Marrë nga “The Economist”

8 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›