Pensionistët rebelohen për shpërblimin: Qeveria na diskriminoi
Pensionistët reagojnë ashpër pas vendimit për të mos i shpërblyer për festat e fundvitit. Vendimi i Ministrisë së Financave për të mos u dhënë këtë vit shpërblim, ka rebeluar moshën e tretë, e cila nuk e ka pritur aspak mirë, duke e konsideruar një diskriminim. Pensionistët kanë reaguar ashpër, sidomos për faktin se ndryshe nga ata, administrata do të marrë 10 mijë lekë si pagë të 13-të. Të mbledhur në 20-vjetorin e krijimit të Shoqatës së Invalidëve të Punës, pensionistët kanë lëshuar deklarata të ashpra kundrejt qeverisë, për mosmarrjen e shpërblimit. Ata kërkojnë që qeveria t’ua japë shpërblimin, pasi nuk i përballojnë dot shpenzimet. “Kërkoj që të na shpërblejnë si pensionistë. Vendimin e deklaruar nga ministri i Financave, zoti Ridvan Bode, e kundërshtoj, është i padrejtë. S’i përballojmë dot shpenzimet për Vitin e Ri. Është skandal të lësh pensionistët pa shpërblim”, - shprehet një pensionist. “Pensionistët do ta nxjerrin nga kriza Ridvan Boden dhe Sali Berishën? Kjo stonon, nuk është e pëlqyeshme. Duhet të merrnin patjetër shpërblim pensionistët, janë shtresa më e vuajtur, qeveria s’e ka menduar hiç mirë atë punë”, - thotë i revoltuar një tjetër. Një reagim i ashpër ka ardhur edhe nga Shoqata e Invalidëve të Punës, pasi edhe kjo kategori është në listën e personave që u është hequr e drejta e shpërblimit. “Duke ndjekur ministrin e Financave më erdhi shumë keq, sepse trumbetohet që gjithë administrata shtetërore, që ka një pagë nga 350 mijë deri në 900 mijë lekë të vjetra, do të marrë shpërblim, dhe për invalidët e punës dhe pensionistët që marrin një pension nga 70 mijë deri në 170 mijë, aktualisht nuk mund të marrin shpërblime. Në qoftë se do ta pranojë Kryeministri këtë punë është e drejta e tij, por kjo s’mund të kalojë aq lehtë”, - deklaron kreu i Shoqatës së Invalidëve të Punës, Abdulla Omuri. Ndërkaq, ai i ka bërë thirrje qeverisë për më shumë vëmendje ndaj kësaj kategorie personash. Në emër të 50 mijë anëtarëve të Shoqatës së Invalidëve, Omuri kërkoi rritje të pagës mujore me 2500 lekë të reja, si dhe nxitje të politikave të punësimit.