E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregtarët ushqimorë: Faji i shtrenjtimit, zhdoganimi selektiv

Murat Klobocista: Të mos përsëritet fenomeni i zhdoganimit në mënyrë të diferencuar të mauneve në doganë

Tregtarët ushqimorë që ushtrojnë aktivitetin e tyre në tregun më të madh të kryeqytetit, tek uzina ‘Dinamo’, thonë se faji i rritjes së çmimeve nuk qëndron tek ata, por te zhdoganimi selektiv që u bëhet mallrave në doganë. Megjithëse këta tregtarë bien dakord me uljen e çmimeve në këtë sezon, në mënyrë që të përfitojnë të gjitha shtresat, ata kërkojnë nga dogana që të mos përsëritet më fenomeni i zhdoganimit në mënyrë të diferencuar të mauneve. Shqetësimi është ngritur gjatë takimit me kreun e Bashkisë së Tiranës, nga kryetari i Unionit të Tregtarëve Agro-ushqimorë, Murat Klobocista. “Është hera e parë që ne mblidhemi në prag të festave për një problem kaq sensitiv që ka të bëjë me qytetarët e Tiranës, por edhe të gjithë Shqipërisë, sepse është një problem vërtet shqetësues. Të gjithë duhet të ulin çmimet në këtë sezon, në mënyrë që të gjitha shtresat e mesme dhe në nevojë të përfitojnë, kur në fakt ka ndodhur e kundërta. Ne si tregtarë ushqimorë pranë uzinës ‘Dinamo’, kemi bërë një takim me shoqatat e tregtarëve për të sensibilizuar këtë problem dhe me kënaqësi vërejmë se ka ndodhur një ulje e indeksit mesatar të çmimeve, kjo falë edhe rritjes së prodhimit vendas. Të gjithë tregtarët ishin dashamirës ndaj kësaj iniciative që t’i mbajnë më të ulëta të mundshme. Ata patën një kërkesë dhe ne kemi pasur një takim me Drejtorinë e Doganave, që të mos përsëritet fenomeni i zhdoganimit në mënyrë të diferencuar i mauneve, kur disave u vonohen dhe disave u lejohen të kalojnë, dhe kjo ka ndikuar në rritjen e çmimeve, rritje kjo që ka ndodhur pas datës 20, kur ka pasur vonesa, qoftë për produktet industriale, qoftë edhe për produktet e konsumit”, - ka deklaruar Klobocista. Sipas përfaqësuesit të tregtarëve ushqimorë, ndodh shpesh që në dogana nxjerrin pengesa, duke u kapur në disa hapësira që ka ligji dhe disa maune pengohen, gjë që ka sjellë një monopolizim. Ai ka bërë të ditur se janë në tratativa me Drejtorinë e Doganave për ta ndalur këtë fenomen. Për këtë problem, kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se edhe institucioni që ai drejton do të ndërhyrë për ta zgjidhur. “Çështja e zhdoganimit të diferencuar është një shqetësim të cilin e kam dëgjuar edhe vitet e tjera, ne do të ndërlidhemi me Doganën, me Drejtorinë e Tiranës dhe atë të Përgjithshme, si dhe do të vendosim edhe kontrollorët tanë në bashkëpunim me ta, tek stacionet e zhdoganimit, për të parë nëse kjo problematikë ndodh apo ajo. Nëse haset kjo problematikë, natyrisht me të njëjtin angazhim që do të ngremë zërin në raport me ju, do të ngremë zërin edhe në raport me institucione të tjera, kushdo që të jetë shkaktari. Pra, besoj se ky problem do të shmanget dhe parandalohet”, - deklaroi Basha. Sipas përfaqësuesit të tregtarëve ushqimorë, lehtësimi i hyrjes së mjeteve dhe i politikave doganore do të pengojë rritjen e çmimit të paktën nga tregtarët e shumicës, ndërsa për ata të pakicës, ai është shprehur se me të drejtë mund të ndërhyjnë organet përkatëse që duhet t’i ndjekin, sepse kjo është e lehtë kur dihet që sot nuk ka asnjë tregtar pakice që nuk ka faturë tatimore dhe mund të shihet fare mirë diferenca.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›