E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festat, Basha: Nuk do të lejohet rritja e çmimeve

SHKRUAN: Jonida Tashi 11-12-2011 10:40

Bashkia e Tiranës ngre një Task-Forcë për të frenuar dhe goditur abuzivizmin me çmimet në tregjet e kryeqytetit. Nga java e ardhshme do të bëhen publike në mënyrë periodike çmimet me shumicë dhe pakicë të mallrave të shportës e fruta-perimeve

Bashkia e Tiranës nuk do të lejojë rritjen e çmimeve në mënyrë abuzive nga tregtarët me rastin e festave të fundvitit. Për këtë arsye, Bashkia ka marrë masa për parandalimin e rritjes abuzive të çmimeve në pragun e festave, që për konsumatorët shqiptarë ndryshe nga vendet e tjera është bërë e përvitshme. Por, ndryshe nga më parë, këtë fundvit tregtarët në Tiranë do të përballen me një Task-Forcë të ngritur nga Bashkia e Tiranës, që do të pengojë rritjen e çmimeve në mënyrë artificiale për festat. Për këtë arsye, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha zhvilloi dje një takim me përfaqësues të biznesit dhe tregtarëve që operojnë në qytetin e Tiranës, qëllimi i të cilit ishte marrja e masave dhe bashkërendimi i veprimeve për të parandaluar shtrenjtimin abuziv të çmimeve në prag të festave të fundvitit. Kryebashkiaku tha se Bashkia e Tiranës nuk do të lejojë që dukuria e rritjes abuzive të çmimeve që vihet re çdo vit në prag festash të fundvitit të përsëritet edhe këtë vit. “Bashkia e Tiranës dhe unë si kryebashkiak, besojmë tek tregu i lirë dhe nuk besojmë tek asnjë mekanizëm tjetër përveç tregut të lirë, për të vendosur çmimin. Do të bëjmë gjithçka që abuziviteti me çmimet të mos godasë konsumatorin, të mos godasë qytetarin e Tiranës. Për këtë ka një kuadër ligjor, të cilin ne do ta zbatojmë plotësisht; për këtë ka një kuadër moral, para të cilit ne nuk do të mbyllim sytë, nëse kjo dukuri fillon të ‘ngrejë kokë’ përsëri këtë vit”, - deklaroi Basha gjatë takimit me përfaqësuesit e biznesit dhe tregtarët. Më tej, kryebashkiaku i Tiranës bëri të ditur se gjatë tri javëve të ardhshme, Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit së bashku me shërbime të tjera të Bashkisë, Shërbimi Tatimor, Policia Bashkiake etj., do të veprojnë në kuadrin e një Task-Force, të ndarë në skuadra, roli i së cilës do të jetë shqyrtimi, hulumtimi dhe në rastet e konstatimit të abuzimit me çmimet do të marrë të gjitha masat e duhura. Për t’iu ardhur në ndihmë konsumatorëve dhe për të parandaluar abuzimin, Bashkia e Tiranës, duke nisur nga java tjetër, do të bëjë publike çmimet me shumicë dhe pakicë të mallrave të shportës dhe fruta-perimeve. Por, megjithëse përfaqësuesit e biznesit dhe tregtarëve kanë rënë dakord me nismën e Bashkisë për të ndaluar rritjen e çmimeve, ata kanë bërë të ditur se një nga arsyet kryesore që ndikon në shtrenjtimin e produkteve është zhdoganimi selektiv në doganë, si dhe infrastruktura rrugore që rrit koston e transportit. Kreu i Bashkisë së Tiranës u ka premtuar atyre mbështetje edhe në lehtësimin e qarkullimit për mjetet e tregtarëve, por edhe në rritjen e investimeve në infrastrukturë, si elementë që ndikojnë në qëndrueshmërinë e çmimeve. “Infrastruktura, pa dyshim është një problem afatgjatë, më vjen mirë që hapja tek uzina ‘Dinamo’ ka dhënë impakt, do të shikojmë të bëjmë edhe hapjen tek NSHRAK-u” sa më shpejt. Ne kemi marrë masa aty për të kaluar transportin e rëndë në një rrugë alternative, që fillon së shpejti besoj; transportin e rëndë industrial, jo tregtar dhe kjo na jep mundësi të veprojmë. Edhe për lejet e transportit, që leja e qarkullimit të jetë në bazë të licencës, edhe për këtë mund të shikojmë. Lejet e transportit dhe autorizimet t’i përputhim njëri me tjetrin dhe të shikojmë se si mund t’ju ndihmojmë në këtë aspekt”, - u shpreh Basha. Në fund të takimit, kreu i Bashkisë nuk ka lënë pa përmendur edhe problemin e reklamimit “fals” të uljeve, kur etiketa thotë ulet aq, por malli realisht nuk është aq i ulur.

Kontrollet

Gjatë tri javëve të ardhshme, Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit së bashku me shërbime të tjera të Bashkisë, Shërbimin Tatimor, Policinë Bashkiake etj., do të veprojnë në kuadrin e një Task-Force, të ndarë në skuadra, roli i së cilës do të jetë shqyrtimi, hulumtimi dhe në rastet e konstatimit të abuzimit me çmimet do të marrë të gjitha masat e duhura.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›