E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionistët, të humburit e listës së barnave

Sindikata: Rreth 180 mijë pacientë trajtohen me ilaçe jocilësore, të cilat nuk janë efektive

Duke nisur nga dje, ka hyrë në fuqi lista e barnave me rimbursim për vitin 2010. Lista e re ka pak barna të reja, ndërkohë që ka prioritet kategori të reja, të ndryshme nga vitet e kaluara.
Përpjekjet për të pasur më shumë barna dhe më shumë financim për listën nuk kanë munguar as nga Komisioni i Hartimit dhe Rishikimit të Listës, por edhe Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Por Ministria e Financave e cila nuk ka pranuar shkurtime të disa fondeve për të pasuruar më tej listën e barnave, ka vendosur që risitë e këtij viti të jenë 17 alternativa dhe asnjë më shumë. Ndërkohë që është sugjeruar kujdes në administrimin e fondeve për sa u përket ilaçeve.
Risia e këtij viti, është doza, sasia për barna të caktuara. Nëse më parë një kategori merrte dy medikamente me sasi 500 mg, do të marrin një medikament me dozë 1 mijë mg.

Pavarësisht përpjekjeve dëshirës së mirë për të pasuruar listën e barnave çdo vit e më shumë me ilaçe të reja, të shtrenjta, dhe alternativat më të mira që përdoren në botë, kategoria e pensionistëve, që vuajnë edhe më shumë nga sëmundjet, edhe këtë vit janë të pakënaqur.

Mosha e tretë

“Janë rreth 180 mijë pensionistë, pacientë kronikë të sëmundjeve të ndryshme, si tensioni, zemra, diabeti, të cilët nga kjo listë nuk kanë fituar, por përkundrazi kanë humbur. Barnat nuk janë cilësore dhe efektive, ndërkohë që një pjesë e mirë e pacientëve kronikë kanë mbetur jashtë rimbursimit. Këtë vit ato që kanë përfituar nga kjo listë, thuhet që janë gratë”, tha kreu i Shoqatës së Pensionistëve, Isa Gorica. Sipas tij, mosha e tretë janë ata që vuajnë nga problemet me shëndetin, të cilët shpeshherë në zonat rurale blejnë ilaçe me listë. Ndërkohë që për një pjesë të ekzaminimeve që ata duhet të kryejnë duhet të paguajnë.

Në fakt, vendimi i Këshillit të Ministrave sqaron se masa e mbulimit për barna për pensionistët duhet të jetë 100 për qind.

Sipas argumentimit të autoriteteve shëndetësore, fill pas miratimit të listës së barnave me rimbursim rezulton se përfituesit më të mëdhenj të listës është mosha e tretë.
Këtë vit për ta është shtruar dhe një alternativë, e cila trajton glaukomën, probleme të dobësimit të nervit të syve.

Lista e re

Nga kombinimet e barnave ekzistuese me rimbursim, janë përfshirë në këtë listë disa kombinime barnash me përdorim kryesisht në pneumologji dhe gjinekologji, të cilat realizojnë mundësi më të mira të mjekimit për sëmundjet respiratore dhe gjinekologjike.

Barnat e reja kanë kompliancë më të mirë dhe përdorim më të përshtatshëm për të sëmurët kronikë.
Në grupin e alternativave mjekuese dhe kombinime të reja të barnave të listës përfshihen barna me veprim antikoagulante, Antibiotik me përdorim pediatrik, antinfektiv dhe antiseptikë gjinekologjikë. Pjesë e listës së barnave për këtë vit është edhe insulina e re analoge duke e plotësuar më mirë këtë grup barnash.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›