E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurimet shëndetësore do të pinë ujë edhe në privat

Instituti i Sigurimeve: Do të ketë një paketë shërbimesh, pagesa për pacientin me bashkëfinancime

Ashtu siç është parashikuar dhe projektuar në planet e shëndetësisë, sigurimet shoqërore, pra librezat e shëndetit për të gjithë ata që paguajnë detyrime në shtet, do të jenë të vlefshme edhe në sistemin privat. Kjo do të thotë që për një listë shërbimesh të caktuara shteti do të paguajë gjysmat apo një pjesë të shpenzimeve, ndërkohë që pjesën tjetër do e paguajë vetë pacienti. Ky është projekti fillestar i cili sipas Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, do të hedhë themelet këtë vit. ISKSH organizuan dje konferencën me temë “Sfidat e ekonomisë sociale të tregut në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri”.

“Mund të thuhet me siguri që reforma në shërbimin parësor ka nisur të jetë evidente dhe ne kemi tashmë një raport krejtësisht të ri, ISKSH-Pacient-Qendër Shëndetësore, ku pacienti është në fokusin kryesor”, tha drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana. Sipas saj, sipas statistikave, aktualisht marrin shërbimet shëndetësore të skemës së sigurimeve rreth 1.2 milionë shqiptarë.

Nëse së afërmi, ligji i ri i financimit të skemës së sigurimeve shëndetësore do të konkretizohet, standardet do të bëhen obligative për blerjen e shërbimeve, ndërkohë që për herë të parë, do të mundësohen kontrata me sektorin privat për shërbime të caktuara. Ne synojmë ofrimin e shërbimeve shëndetësore për shumicën e popullsisë përmes një pakete shërbimi atraktive. Sikurse ka ndodhur me shërbimin parësor, do të ketë një paketë të veçantë edhe në shërbimin spitalor, por, këto shërbime ISKSH do të blejë duke kërkuar standarde optimale për pacientët.

“Ne jemi të bindur se konkurrenca do të shkojë në të mirë të pacientëve dhe njëherësh do të forcojë shërbimin shëndetësor publik”, sqaroi Hana. Kjo do të thotë se spitalet private së shpejti do të futen në skemën e sigurimeve shëndetësore me një paketë të organizuar shërbimesh. Në këtë rast, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor mbulon një pjesë të kostos së shërbimit, ndërsa pjesa tjetër paguhet nga vetë pacienti. “Sektori shëndetësor tashmë po i nënshtrohet një reforme të thellë ku mirëqenia shëndetësore e qytetarit është në plan të parë”, tha ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Por, sipas tij, në këtë reformë luajnë rol të rëndësishëm një sërë aktorësh. “Pavarësisht se reforma quhet shëndetësore, ajo është një përzierje komponentësh ku secili prej tyre mund të lëvizë ekuilibrat që janë të rrezikshëm dhe e pengojnë zhvillimin e reformave”, sqaroi Vasili. Sipas tij, shëndetësia është konsideruar gjithmonë si sektor jo produktiv ku vetëm shpenzohet dhe nuk sjell para, ndaj dhe procesi i ndryshimit është një sfidë sa vlerësueshme aq dhe e vështirë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›