E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pentagoni kërkon kthimin e dokumenteve nga Wikileaks

Pentagoni i kërkoi faqes informative të internetit, Wikileaks, t'i kthejë menjëherë 90 mijë dokumentet sekrete për Afganistanin që ka siguruar dhe t'i fshijë ato prej faqeve, kompjuterëve dhe arkivave të saj.

"Departamenti i Mbrojtjes kërkon që Wikileaks t'i kthejë menjëherë qeverisë amerikane të gjitha dokumentet e marra drejtpërdrejt dhe në mënyrë të tërthortë nga baza të dhënash të Departamentit të Mbrojtjes dhe t'i fshijë ato nga faqet, kompjuterët dhe arkivat e saj", njoftoi zëdhënësi i Pentagonit, Geoff Morrell, gjatë një konference shtypi.

"Publikimi nga Wikileaks i një numri të madh të dokumenteve tona i ka vënë tashmë në rrezik forcat tona, forcat aleate dhe qytetarët afganë, që punojnë me ne dhe publikimi i informacioneve të tjera sekrete vetëm sa mund ta keqësojë situatën", shtoi ai.

Faqja e internetit Wikileaks, e krijuar në vitin 2006 dhe e specializuar për zbulimin, ka publikuar rreth 90 mijë dokumente sekrete dhe parashikon të botojë rreth 15 mijë të tjera.

Dokumentet sekrete japin informacione rreth luftës në Afganistan, rreth viktimave civile dhe rreth lidhjeve të supozuara mes Pakistanit dhe militantëve talebanë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›