E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioneri evropian për shkencën, vizitë dyditore në Tiranë

Në kuadër të aktiviteteve në Tiranë të Javës Evropiane, sot në Tiranë vjen komisioneri evropian për shkencën dhe kërkimin, Janez Potočnik. Vizita e tij do të jetë dyditore dhe zyra e shtypit të KE-së bën të ditur se gjatë kësaj vizite komisioneri Potocnik do të takojë autoritetet më të larta të vendit. Sot, komisioneri Potočnik do të marrë pjesë në dy evenimente që janë pjesë e Javës Evropiane-2008, në tryezën e rrumbullakët me shkrimtarët nga Ballkani Perëndimor të titulluar "Ballkani Perëndimor dhe Perspektiva Evropiane", e organizuar nga presidenca sllovene e BE-së, si dhe do të hapë koncertin e organizuar nga Delegacioni i Komisionit Evropian në Shqipëri. Ndërsa në ditën e dytë të vizitës së tij, zyrtari i KE-së do të jetë i pranishëm në "Ditën Informative të Kërkimit të BE-së", një eveniment që synon të informojë komunitetin shkencor shqiptar dhe atë të biznesit rreth mundësive që ofron Memorandumi i Mirëkuptimit i nënshkruar kohët e fundit, që asocion Shqipërinë me Programin e 7-të në Kuadër të BE-së për Kërkimin e Zhvillimin Teknologjik. Që nga 1 janari 2008, "Statusi i asociuar" i krijon mundësi Shqipërisë të marrë pjesë në thirrjet për propozime dhe konkurrime në të njëjtin nivel me vendet anëtare të BE-së, për bashkëpunimin në fushën e kërkimit dhe për veprimtari të financuara nga Programi Kuadër. Kjo marrëveshje është një pjesë e rëndësishme e procesit të integrimit në BE, duke u krijuar mundësi shkencëtarëve, universiteteve dhe kompanive të krijojnë lidhje me partnerët e tyre në Evropë dhe të forcojnë ekspertizën shkencore, duke përfshirë edhe fushat shkencore që janë thelbësore për zbatimin e legjislacionit të BE-së. Programi i 7-të Kuadër i Kërkimit është programi më i madh i BE-së me një buxhet prej më shumë se 50 miliardë euro për shtatë vjet. Ai krijon mundësi kërkimore për komunitetin shkencor evropian dhe ka për qëllim krijimin e një zone të përbashkët shkencore evropiane.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›