E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Bruksel: Obligacioni 200 milionë euro shitet në Maj

Berisha për Bloomberg: Në maj do nxjerrim në shitje obligacionin me vlerë 200 milionë euro
Shqipëria do të nxjerrë për shitje gjatë muajit maj, për herë të parë në historinë e saj, obligacionin 200 milionë euro në shitje në tregun ndërkombëtar. Njoftimi është bërë nga ana e Kryeministrit Sali Berisha, në një një interviste për Televizionin Bloomberg, gjatë vizitës që ky i fundit pati në Bruksel ditën e djeshme. Duke marrë një shumë të tillë borxhi nga jashtë, do të mund që të neutralizohet rritja e interesave në tregun e brendshëm, ka sqaruar gjatë intervistës Berisha. "Mendojmë se borxhi i parë që do të merret me anë të shitjes së obligacioneve, në tregun ndërkombëtar, do të emetohet në muajin maj dhe për ketë çështje ne po bisedojmë edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar", ka bërë të ditur Berisha. Sipas Bloomberg, Shqipëria është një vend që parashikohet të jetë në grupin e vendeve me rritjen ekonomike më të madhe për vitin 2008, ndërsa këto parashikime barazohen në pritjet pozitive për zhvillimin e turizmit përgjatë një vije bregdetare prej 400 kilometrash. "Ne do të kemi një rritje mbi 6% këtë vit. Unë jam i bindur se rritja do të jetë e shpejtë", ka bërë të ditur Berisha.
Korrupsioni, problemi kryesor
Në përshkrimin e bërë nga ana e Bloomberg për Shqipërinë theksohet se problem kryesor për vendin, që për 50 vjet ka qenë nën sistemin komunist, mbetet korrupsioni. Shqipëria është renditur nga ana e Transparency International në vendin e 105 në botë për korrupsion, nivel ky tepër i lartë për një vend. Sipas këtij indeksi, Shqipëria renditej pranë Burkina Faso dhe Djibouti, për nivelin e korrupsionit. Edhe Komisioni Europian sipas Bllomberg, ka nxjerrë si një nga problemet më të mëdha të vendit krimin e organizuar dhe kalimin e trafiqeve tranzit. Për sa i përket borxhit të jashtëm, edhe emetimit të obligacioneve në Euro, Shqipëria e fitoi të drejtën pas vlerësimit të kompanisë financiare Moody's. Sipas këtij vlerësimi, Shqipëria mund të marrë deri në 600 milionë euro kredi tregtare nga jashtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›