E Diel, 1 Nëntor 2026

Peqin, vetëvaret në burg i dënuari për vrasje

 

PEQIN - Një person i dënuar me 25 vjet burg për vrasje është vetëvarur dje në mbrëmje në qelitë e burgut të Peqinit. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:20 kur autoritetet e burgut janë njoftuar për vdekjen e shtetasit Artan Halili, i dënuar për akuzën e vrasjes. Menjëherë në qelinë ku mbahej i dënuari kanë shkuar efektiva të policisë së burgjeve, ndërsa është njoftuar edhe Prokuroria dhe policia e Elbasanit për kryerjen e hetimeve lidhur me ngjarjen. Sipas verifikimeve të bëra në qelinë ku ndodhi ngjarja, mësohet se i dënuari ka përdorur një çarçaf për të kryer vetëvrasjen. Hetuesit kanë marrë në pyetje disa punonjës të burgut që kanë pasur kontakte kohët e fundit me të dënuarin. Sipas deklarimeve të tyre, mësohet se Artan Halili, i arrestuar dy vite më parë për akuzën e vrasjes, prej disa kohësh kishte shfaqur probleme mendore. "Prej javësh ai qëndronte i veçuar pa shumë komunikim me të dënuarit e tjerë. Edhe në qeli qëndronte vetëm thuajse i izoluar", janë shprehur punonjësit e burgut gjatë deklarimeve të tyre. Deri në orët e mesnatës grupi i hetimit nga policia dhe Prokuroria e Elbasanit po kryente veprimet proceduriale në burg për saktësimin e rrethanave të ngjarjes. Mësohet se pak ditë më parë gjatë një komunikimi të shkurtër me persona brenda burgut, i dënuari kishte përmendur mundësinë e vetëvrasjes. Mbrëmjen e djeshme askush nuk ka mundur të ndalojë veprimet e tij, pasi Halili qëndronte i vetëm në qeli.                                       f.m 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›