Peqini: E dimë, na pret një ndeshje e fortë në Pogradec
Sipas mbrojtësit Roland Peqini, Dinamo duhet të jetë tepër e përqendruar përballë liqenorëve, që në shtëpinë e tyre janë të fortë
Skuadra e Dinamos është duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e javës së katërt ndaj Pogradecit në shtëpin e këtyre të fundit. Pritet një transfertë e vështirë, për këtë fakt janë të ndërgjegjshëm edhe dinamovitët. Pikërisht mbrojtësi Roland Peqini, kontigjent i kombëtares Shpresa, të drejtuar nga Artan Bushati, e komenton këtë takim.
Në përfundim të seancës stërvitore, elbasanasiflet për sfidat e bluve, por edhe për formën personale, e cila në pamje të parë duket tepër pozitive. Por për të vendosur pikat mbi i lidhur me mbrojtësin e djathtë të bluve, është pikërisht stafi teknik, me në krye trajnerin Faruk Sejdini.
Pogradeci Mendoj se nuk do ta kemi të lehtë aspak në Pogradec, duke ditur që edhe ky kundërshtar është një rival direkt si ne. Duhet të bëjmë maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv. Sigurisht, gjithçka duhet të bëhet me besim në grupin tonë. Trajneri gjatë javës ka punuar mirë me ne. Shpresojmë që ti zbatojmë me përpikëri udhëzimet e tij.
Jemi të vetëdijshëm që duhet luftë e madhe për të arritur një fitore apo barazim. Kundërshtari është një skuadër fushe, pasi edhe faktet e tregojnë diçka të tillë. Ata kanë fituar një ndeshje në shtëpi dhe janë mundur 2 jashtë fushe. Ne duhet të kërkojmë fitoren e parë. Jemi mundur 2 herë në transfertë dhe kemi barazuar ndaj Skënderbeut në shtëpi. Në Pogradec do të gjejmë ambjentin e duhur për të korrur sukses. Mendoj se ajo skuadër që do ta meritoj në fushën e blertë do të arrijë edhe fitoren.
Trazirat Kam bindjen se në Pogradec nuk do të ndodhin të njëjtat situata siç ndodhën në Lushnjë, sepse në Lushnjë nga ekipi Tomorit kishte lojtarë të veçantë që acaronin vetë tifozerine e tyre, por ne duhet të përgatitemi për një ndeshje të vështirë, sepse askush nuk do të na falë pikë. Ato duhet ti fitojmë duke djerësitur në fushën e blertë. Nuk ka asnjë fushë të lehtë në futbollin shqiptar, pasi mendimi im personal është që nuk ka disnivele të mëdha.
Skuadrat janë pak a shumë të njëjta, mund të jenë 2 apo maksimumi 3 ekipe që mendohet se bëjnë diferencën, por edhe këto të fundit nuk janë në ritmet e duhura deri tani. Ndaj dhe Dinamo duhet të jetë e përqendruar vetëm tek forca që disponon. Qyteti i Pogradecit shquhet për kulturën e tij. Nuk mendoj se edhe fansët e tyre do të jenë të njëjtit nivel. Për më tepër mund të fitojnë një ndeshje dhe të penalizohen për 4 të tilla, siç ishte edhe rasti i fundit kur FSHF u dha një saksion të fortë me 4 ndeshje pa tifozë beratasve
Forma Në çdo ndeshje kam qenë mirë fizikisht dhe mendoj se, në qoftë se je mirë fizikisht, gjërat e tjera i rregullojmë me kalimin e kohës vetëm duke punuar me stërvitje të forte, pa ulur në asnjë moment tempin. Gjithashtu, besoj se me mirë do të bëhemi si ekip duke pasur parasysh që stërvitjen e kemi filluar vetëm dy ditë përpara fillimit të kampionatit. Një kohë rekord ky për një skuadër futbolli,- e mbyll prononcimin e tij mbrojtësi Roland Peqini, i cili është stabilizuar tashmë si titullar në krahun e djathtë të mbrojtjes së Dinamos.
