Progni: Tirana-Flamurtari janë sfida që zbukurojnë garën
Mesfushori i ekipit vlonjat thotë se kuqezinjtë janë në gjendje të fitojnë në çdo fushë dhe me këtë synim shkojnë kudo
Për mesfushorin e Flamurtarit, Gerhard Progni, ndeshja ndaj Tiranës konsiderohet një nga ato takime ku çdo futbollist nuk kërkon ta humbasë. Sipas mesfushorit të Flamurtarit, përballja mes ekipit vlonjat dhe Tiranës mund të quhet deri tani në kampionat një nga ndeshjet më të rëndësishme të zhvilluara dhe ditën e diel opinioni sportiv në vend do të ketë mundësinë të shohë një betejë mes dy ekipesh që realisht janë etiketuar si ekipe pretendente këtë sezon.
Është vetëm java e katërt dhe është shumë shpejt të flasësh për pretendime serioze, pasi sezoni është shumë i gjatë. Megjithatë, një ndeshje e tillë mund të konsiderohet një nga takimet që nuk duhet humbur. Është një përballje mes ekipesh që përherë i kanë dhënë tonin futbollit shqiptar dhe duhet që në këtë ndeshje të shkojmë plotësisht të përgatitur.
Kemi startuar ditën e mërkurë seancat stërvitore pikërisht në kuadër të këtij takimi mjaft të rëndësishëm dhe natyrisht na duhet të jemi dhe të vijojmë me ritme të larta përgatitjet tona. Fakti që do të luhet të dielën dhe me projektorë, bën që vëmendja e të gjithëve të jetë e përqendruar në një ndeshje të tillë, ndaj na duhet të jemi në lartësinë e duhur për të dhënë më të mirën në fushën e lojës, thekson Progni.
Ecuria Pavarësisht faktit se kemi humbur një takim nga tri të luajtura deri tani, nuk besoj se tregon realisht forcën e Flamurtarit, pasi po të shohësh lojën e zhvilluar, mendoj se duhet të ishim në krye të renditjes tani. Por e thashë pak më parë, sezoni është shumë i gjatë dhe në këto momente është ende shumë shpejt të klasifikosh pretendimet, por duhet thënë se Flamurtari është një ekip i ndërtuar për të vijuar në rrugën e suksesit, pra për të fituar.
Tirana është një kundërshtare shumë cilësore, i është shtuar një lojtar me mjaft eksperiencë si Duro, por ne shkojmë drejt kryeqytetit për të marrë fitoren. Objektivat tona janë plotësisht të qarta në çdo takim, për të marrë maksimumin dhe natyrisht përjashtim nuk bën as ndeshja ndaj kundërshtarit të radhës. Mendoj se ekipi është në një gjendje mjaft të mirë dhe duhet që këtë ta shprehë edhe në fushën e lojës. Pra, të marrim maksimumin në këtë përballje, – përfundon mesfushori Gerhard Progni.
E pres një ftesë nga ekipi kombëtar
Të synosh ekipin kombëtar, është diçka që e dëshiron çdo futbollist dhe mendoj se trajneri i kombëtares duhet të shohë edhe tek ekipet shqiptare. Janë disa lojtarë që luajnë në ekipe të ndryshme që e meritojnë të jenë pjesë apo të provohen nga trajneri. Nuk e fsheh, synimi im mbetet kombëtarja, pasi kam luajtur me ekipet e moshave të kombëtares së Shqipërisë.
Në verë provova edhe një eksperiencë jashtë vendit, që nuk u konkretizua për arsye financiare dhe natyrisht kjo lëvizje kishte si synim edhe kombëtaren. Jam te Flamurtari, një ekip që po i jep futbollit shqiptar cilësi dhe duhet që vëmendja të jetë edhe nga drejtuesit e ekipit kombëtar. Me lojën time do të bëj të mundur që të jem pjesë e kombëtares, – pohon Progni.
