E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjashte krizat qe po tronditin boten

Tashmë të gjithë janë të bindur se planeti ynë ka hyrë në një krizë globale, që në vetvete përmbledh ose përbëhet nga gjashtë kriza specifike: kriza financiare, monetare, ekonomike, ushqimore, energjetike, ekologjike. Është hera e parë në historinë tonë moderne të shekujve të fundit, apo më saktë në "periudhën e kapitalizmit" dhe revolucioneve industriale, që bota përballet me kaq shumë çështje shqetësuese njëherësh. Ekspertët, politikanët, shkencëtarët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile janë të bindur se këtë radhë përgjigjja dhe dalja nga kriza nuk mund të jetë as individuale për shtete apo rajone të ndryshme të botës, as pjesore, për elemente të veçanta të saj. Duhet hyrë, pranuar dhe shpjeguar thelbi i vërtetë i saj: Është krizë e modelit të zhvillimit? E vetë kapitalizmit? E menaxhimit të globalizimit? Apo thjesht produkt i historisë, koncepteve dhe institucioneve ndërkombëtare?

Gjithçka filloi të shfaqej gjatë vitit 2007 thjesht si një krizë financiare, që e kishte origjinën nga kreditë e këqija në tregun imobiliar amerikan. U shtruan shumë pyetje që kërkonin përgjigje. Do mbetej e lokalizuar vetëm në SHBA? Do përhapej në Evropë? Do prekte gjithashtu edhe vendet emergjente dhe ato në zhvillim? Ishte një krizë koniunkturore apo strukturore? Personalitete nga më të spikaturit e botës, ekonomike e financiare botërore, si Alain Greenspen, Dominique Strauss Kahn, Ben Bernanke, Jean Claude Trichet etj., në atë periudhë e trajtuan me shumë prudencë këtë krizë, duke e cilësuar si "një turbulencë e tregjeve financiare amerikane", që duhej menaxhuar me kujdes në intensitetin dhe përhapjen e saj në Evropë e në vende të tjera të botës. Por, shumë shpejt, "turbulencat" e tregjeve financiare goditën rëndë dollarin amerikan, i cili filloi të zhvlerësohej me shpejtësi në raport me euron, duke nxjerrë në evidencë edhe një situatë alarmante të ekonomisë amerikane. Krizë koniunkturore, stanjacion, recesion apo stagflacion? Barometri i pesimizmit të ekonomisë, financave, biznesit dhe konsumatorëve amerikanë vazhdon të ulet përditë. Ndërkohë, në tremujorin e parë të 2008-ës kriza financiare filloi të shfaqej edhe në Evropë. Fillimisht në Angli, pastaj në bankat zvicerane, franceze, gjermane etj. FMN-ja i vlerësonte në rreth 1000 miliardë dollarë humbjet nga kjo krizë, ndërkohë që bën parashikime aspak optimiste për nivelin e rritjes ekonomike dhe inflacionin në ekonomitë kryesore të planetit.

Paralelisht me këtë fenomen, tregjet dhe ekonomitë e shumë vendeve të botës u tronditën nga çmimi i naftës, që arriti frikshëm nivelin e 120 USD/baril, duke mbjellë panik ndërkombëtar për të ardhmen e zgjidhjes së problemeve energjetike në shumë vende të botës. Është mungesë e ofertës nga vendet e OPEC-ut? Është pasojë e fondeve spekulative? U shkaktua nga rënia e dollarit apo kërkesa botërore është mjaft më e lartë se oferta e mundshme etj., janë disa nga pikëpyetjet që vazhdojnë të mos kenë të njëjtën përgjigje nga ekspertët, politika apo institucionet ndërkombëtare. Por, nga ana tjetër, çmimet e produkteve ushqimore bazë si: orizi, gruri, misri, mielli, vajrat e ndryshëm etj., pothuajse u dyfishuan në 18 muajt e fundit, duke risjellë në vëmendjen e të gjithëve rrezikun e urisë për qindra milionë njerëz, sidomos për vendet e varfra dhe ato në zhvillim, frikën e krizave të bukës apo orizit dhe luftërave civile, "me shkak kryesor luftën për mbijetesën e përditshme", ndërkohë që vendet e pasura e të zhvilluara po i përdorin gjithnjë e më shumë këto produkte për prodhimin e bio-karburanteve.

Vetëm SHBA-ja tërhoqi nga tregu ushqimor dhe përdori për bioetanol mbi 140 milionë ton misër, ndërkohë që edhe BE-ja planifikon që mbi 10% të nevojave energjetike t‘i plotësojë në të njëjtën mënyrë. Në këtë "luftë të pandershme për bukën" u arrit deri aty sa OKB-ja dhe Programi Botëror i Ushqimit të bënin thirrje për një moratorium ndërkombëtar 5-vjeçar për ndërprerjen e prodhimit të bio-karburanteve, duke i akuzuar vendet e pasura për "krim kundër njerëzimit".

Jashtë shqetësimeve dhe pikëpyetjeve nuk po mbeten as problemet e mjedisit dhe ekologjisë. Vazhdimi i shkatërrimit të pyjeve, ndotja alarmante e ajrit në shumë vende të botës, shpërdorimi dhe humbja në mënyrë të pakthyeshme e tokave bujqësore, betonimi dhe asfaltimi i pandalshëm i planetit, zvogëlimi i rezervave të ujit, ndotja e deteve dhe lumenjve, dëmtimi i brezave koralorë, rënia e rezervave botërore të peshqve, shkrirja e akullnajave mijëravjeçare në të dyja polet e tokës, por dhe në shumë maja malesh, prishja e biodiversitetit dhe zhdukja e mjaft bimëve apo kafshëve etj., janë po kaq shqetësuese sa krizat e mësipërme. Gjithashtu, tashmë të gjithë po binden se fenomeni i "ngrohjes globale" nuk është thjesht një "science fiction" apo fantazi e lëvizjeve ekologjiste. Pasojat e saj po ndihen përditë dhe nga të gjithë. Zjarre në pyje, përmbytje masive, temperatura të pazakonshme për stinët, sëmundje të reja të panjohura, efekte te cikli jetësor i mjaft bimëve dhe kafshëve etj., janë tashmë objekt i mjaft konferencave dhe samiteve botërore të niveleve nga më të lartat.

Çfarë po ndodh në këtë dhjetëvjeçar të parë të këtij shekulli të ri? Natyrisht, duhet thënë që në fillim se ky nuk duhet perceptuar e konsideruar si një skenar apokaliptik katastrofik. Problemi qëndron te përkufizimi i kësaj krize globale, te gjetja e shkaqeve strukturore të saj dhe masat më efektive të tejkalimit të shpejtë të saj. Përpjekja e parë është një analizë krahasuese. Me cilën nga krizat e mëparshme mund të krahasohet kjo krizë, simptomat e së cilës janë njëkohësisht financiare, monetare, ekonomike, ushqimore, energjetike dhe ekologjike? Cila do pritet të jetë "amplituda në shkallën Richter" e tërmetit ekonomik, financiar e social të saj? Më e fortë apo më e dobët se "depresioni i madh" i viteve 1929-1932 apo e ngjashme me krizën e viteve ‘70 të shekullit të kaluar, e provokuar nga "kriza e naftës" e vitit 1973 dhe e shoqëruar me efekte të rënda ekonomike e financiare për shumë vende të botës? A krahasohet ajo me thirrjen e themeluesve të "Klubit të Romës" në vitin 1972 për "të stopuar rritjen e shfrenuar ekonomike, në mënyrë që të evitohet konsumi pa kthim i burimeve të planetit", që do të bëhej real në fund të shekullit XXI, nëse vazhdohet me këtë model konsumi e zhvillimi që sot konsiderohet simbol i zhvillimit dhe mirëqenies? Apo me krizën "e internetit" të vitit 2000? Ekspertët mendojnë se këtë radhë problemi duhet vlerësuar nën një këndvështrim tjetër, shumë më kompleks. Zgjidhjet e ofruara deri tani për daljen nga krizat e mëparshme nuk po konsiderohen "receta" të vlefshme për krizën aktuale.

Debati i parë në kërkim të zgjidhjes ka të bëjë me raportet e saj me kapitalizmin. Sipas mendimit të tre ekonomistëve të shquar, R.Boyer, M.Dehove dhe D.Plihon, "krizat financiare ritmojnë dhe kompozojnë vetë historinë e kapitalizmit", duke marrë shpesh "formën e krizave binjake apo trinjake", d.m.th., një përzierje të problemeve të bursës me ato financiare dhe ekonomike bashkë. Në këtë mënyrë, këta autorë evidentojnë "karakterin tashmë të vjetër të ndërlidhjes së tregjeve të natyrave të ndryshme" në kapitalizëm. Sipas tyre, "krizat kanë ardhur duke u shtuar, sidomos mbas zhdukjes së marrëveshjes së Bretton-Woods në vitin 1971, që shënoi fundin e sistemit të përqindjes fikse të këmbimit, e vendosur menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore". Por, Hautcoeur, profesor i ekonomisë në EEP (Paris) e relativizon problemin, kur thotë se "kur bëhet fjalë për gjerësinë dhe shtrirjen e krizës aktuale, ne duhet t‘i ndajmë qartë mekanizmat që e shkaktuan nga efektet e prodhuara prej tyre...".

"Me gjithë retë e zeza në horizont, FMN-ja dhe OCDE-ja vlerësojnë se rritja ekonomike botërore për dy-tre vitet e ardhshme do të jetë në nivelet 3.5-4%, sidomos falë motorit të ekonomisë kineze e indiane, por me kusht që ato të mos mbinxehen", shtoi ai. Pra, konkludon Hautcoeur, "në këtë moment nuk mund të jemi të sigurt se bota po kalon një krizë ekonomike e financiare radikale". Të njëjtin opinion ndan dhe ekonomisti tjetër Ph.Chalmin, kur shprehet se "problemi duhet të relativizohet akoma më shumë... Intensiteti i krizës aktuale është i fortë, por të gjithë ne duhet të kujtojmë se gjatë krizës së viteve 1970, të gjithë u trembën aq shumë, sa lajmëruan lindjen e një rregulli të ri botëror, gjë që nuk u vërtetua".

Por, përtej këtyre analizave më pak alarmante, ka edhe një grup tjetër ekonomistësh, financierësh, sociologësh e historianësh, që krizën aktuale e cilësojnë si "të jashtëzakonshme dhe të shumëfishtë". Ata konfirmojnë se "deri më sot në ekonominë botërore nuk është parë asnjëherë një volatilitet kaq i madh në tregjet financiare dhe ato të lëndëve të para". Sipas tyre, "referencat në krizën e vitit 1974 nuk vlejnë". Sipas JP.Betbeze, kjo vërtetohet më së miri nga fakti se "më 2 janar 2008, nafta kushtonte 100 USD/baril, gjë që u konsiderua si rekord historik, më 25 prill 2008, nafta arriti në 117.6 USD/baril dhe në ditët e para të majit iu afrua frikshëm çmimit prej 120 USD/baril". Sipas tij, kësaj here, "ne po përballojmë krizën më të madhe të fundshekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI". Në këtë rast nuk bëhet fjalë për një skemë klasike të një krize amerikane, evropiane, japoneze apo të një rajoni tjetër të botës që, pasi është prodhuar vetë, po vazhdon të ndotë rajonet e tjera të globit. Këtë herë "kemi të bëjmë me një skemë të panjohur deri tani, me një skemë që ndërlidh ngushtë kriza të veçanta e deri tani të vlerësuara si të shkëputura nga njëra-tjetra.

Duke iu referuar konkluzioneve të një grupi tjetër autorësh, "në SHBA, ne kemi aktualisht krizën e një vendi "mbytur në borxhe të brendshme e të jashtme; në Evropë kemi të bëjmë me krizën e një rajoni, shtetet anëtare të së cilit nuk po e zgjidhin dot qeverisjen politike të BE-së, duke penguar kështu hartimin e një strategjie ekonomike efektive; në vendet e quajtura emergjente, ne po asistojmë në shfaqjen e mjaft elementëve të një krize klasike të mbinxehjes ekonomike dhe ritmit të pakontrolluar të rritjes; ndërsa në vendet e varfra kemi një përkeqësim të vazhdueshëm të situatës ekonomike, politike e sociale, duke u ndjerë të përjashtuarit e mëdhenj të globalizimit". Aq më tepër insiston Betbeze, "loja aktuale ndërmjet aktorëve të kësaj krize nuk është një lojë kooperuese, por individuale. Kështu, p.sh., rënia e dollarit nuk rregullon asgjë në Evropë, e cila po shqetësohet për shtrenjtimin e eksporteve të saj; nga ana e tyre, kinezët refuzojnë me forcë e vendosmëri çdo kërkesë për një rivlerësim të monedhës së tyre, duke mos iu krijuar mundësi vendeve perëndimore që të përmirësojnë kompetivitetin e mallrave dhe shërbimeve të tyre etj".

Në përfundim të këtyre analizave mund të konkludohet me komentin e njërit nga ekonomistët më të shquar në historinë e krizave botërore, P.Bezbakh, i cili e konfirmon plotësisht këtë kompleksitet e ndërvarje të interesave në botën e sotme. Sipas tij, "vendet në zhvillim, ose të quajtura ndryshe ‘të jugut‘, nuk janë më në pozicione të të dominuarve... Ato janë tashmë të integruara në konkurrencën botërore. Për sa i përket grupit të vendeve të Evropës Qendrore e Lindore, edhe ato janë tashmë të konvertuara me rregullat e ekonomisë së tregut dhe tregut botëror. Pra, ne ndodhemi tashmë përpara një shumëllojshmërie aktorësh, interesat e të cilëve janë shumë divergjente me njëri-tjetrin". Nga ana e tij, P.Artus (Natixis) e shikon thelbin e problemit te "natyra e vetë kapitalizmit dhe stadi i zhvillimit aktual të tij". "Fuqitë perëndimore nuk kanë tashmë mundësi që t‘ua pasojnë apo shkarkojnë të tjerëve koston e krizës, sikurse bënë në vitet 1929-‘32, duke ulur çmimet e lëndëve të para". "Faji nuk është te globalizimi, por te mënyrat dhe filozofia e menaxhimit të tij".

Aktualisht, kapitalizmi ka ardhur në një pikë kritike, që kërkon zgjidhje radikale në mënyrat e kompozimit dhe menaxhimit të tij. Dhe brenda këtyre mënyrave, pyetjet që kërkojnë zgjidhje të reja janë: A duhet të vazhdojë të jetë modeli amerikan apo perëndimor i zhvillimit dhe konsumit i vetmi model dominues në shekullin XXI? A mundet që vetëm një grup vendesh apo institucionesh ndërkombëtare të vendosin për gjithçka në zhvillimin ekonomik-social të botës? A kanë limit burimet natyrore të planetit dhe a duhet që zhvillimi i qëndrueshëm të bëhet kryefjala e çdo modeli zhvillimi? - etj. Kriza aktuale po i kërkon më shumë se kurrë përgjigjet e duhura.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›