E Shtunë, 31 Tetor 2026

Institucionet shqiptare si Kalaja e Rozafës

Kushtetuta e vendit është një dokument që pasqyron jo vetëm gjendjen e vendit në një periudhë të caktuar, jo vetëm integritetin, balancimin dhe raportet e përgjegjësisë dhe kontrollit të institucioneve kryesore të shtetit, por edhe atë çka një vend parashikon të jetë në një të ardhme të mesme e më tepër; atë çka brezat mendojnë t‘u lenë trashëgim pasardhësve të tyre. Prandaj edhe quhet Kushtetuta guri i themelit të shtetit. Dhe gurët e themelit janë të rëndë e vështirë të lëvizen, sepse kështu lëkundin e rrëzojnë gjithë ngrehinën sipër tyre.

***

Kushtetuta është institucioni që pasqyron gjendjen dhe zhvillimet e vendit dhe natyrshëm që edhe mund të ndryshojë për të pasqyruar e paraprirë zhvillimin. Por nuk mund të themi të njëjtën gjë për ndryshimet e javëve të fundit që i kanë dhënë një frymë tjetër, të ndryshme nga ajo e projektuar dhe zbatuar jo keq gjatë 10 viteve të fundit. Ky ndryshim mund edhe të vijë si pasojë e ndryshimit të kushteve e realitetit shqiptar, por një ndryshim i tillë që e kthen vendin nga republikë parlamentare në një republikë gjysmë presidenciale nuk mund të bëhet brenda natës dhe me dëshirën e një njeriu të vetëm, për më tepër kur ky ndryshim kërkon një sërë ndryshimesh të tjera institucionale, ligjore e procedurale për ruajtjen e kontrollit e balancimit institucional. Por këto të fundit duket se nuk i interesojnë ideuesit të këtij ndryshimi, të cilit i duhet vetëm rritja pa kufi e pushtetit personal.

Një Kryeministër i gjithëfuqishëm teorikisht mund t‘i duhet një vendi që është në rrugën e zhvillimit për të realizuar reforma për ecjen shpejt përpara, por ne shqiptarët e kemi provuar njëherë se ç‘do të thotë një President i fuqishëm në një vend të sapodalë nga njëra prej diktaturave më të egra të Evropës, dhe ishte kjo arsyeja se përse në Kushtetutë (atë të parën, që së shpejti do të ndryshohet), u gjet me vend të përvijohej një Kryeministër i fuqishëm, por i kontrolluar po fuqishëm nga institucione të pavarura e i balancuar nga Presidenti me pak kompetenca, por me mundësi balancimi e garantimi kushtetues.

Kushtetuta në fuqi, derisa Presidenti të nënshkruajë ndryshimet, mbetet e tillë. Ajo është hartuar për ta detyruar klasën politike shqiptare të jetë e përgjegjshme dhe të mendohet mirë e të bashkëpunojë për ngjarje e çështje të rëndësishme për jetën e vendit, duke u shërbyer kështu më mirë qytetarëve shqiptarë. Kjo Kushtetutë që po u serviret shqiptarëve mund të mos krijojë "probleme" për Parlamentin, por krijon hapësira të pakufishme për krijimin e një Kryeministri të fuqishëm e të pakontrollueshëm. Shqiptarët akoma ruajnë në kujtesë pasojat e një fuqie të tillë.

Është shqetësues fakti që në një periudhë kohe relativisht të shkurtër, ndryshohet pothuajse tërësisht fryma e Kushtetutës për t‘i dhënë më tepër fuqi ish-presidentit tashmë Kryeministër, që krijoi precedentin e shkatërrimit të vendit për të mos lenë pushtetin. Dhe faktet në Shqipëri flasin për "përshtatje" të ligjit ndaj personalitetit dhe jo anasjelltas. Nëse dikush do të mendonte se njerëzit ndryshojnë, atëherë do të mjaftonte rikujtimi i ndryshimeve që Kryeministri ka bërë në legjislacion këto tre vitet e fundit për të vënë nën kontroll të gjitha institucionet e pavarura, duke u shndërruar në njeriun më të pushtetshëm në Shqipëri. Në një demokraci normale kjo mund të konsiderohet edhe si risk që Kryeministri merr përpara votuesve të tij, në rast dështimi ai i humbet të gjitha, por në demokraci si kjo e jona, ku nuk dihet se kush voton, si votohet dhe kush i numëron votat, janë të gjitha mundësitë që Kryeministri aktual të bëjë ç‘është e mundur për të mos lëshuar pushtetin. Nuk është rastësi heqja nga Kushtetuta e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me një të rënë të lapsit kryeministror. Me fuqinë që ka marrë edhe me bekimin e kryetarit të Partisë Socialiste, Berishës tani nuk ka kush "t‘i mbajë dorën" edhe institucionalisht, sepse të vetët ai i kërcënon me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme e heqjen nga listat për deputetë që do t‘i bëjë po vetë, ndërsa partinë më të madhe në opozitë tashmë e ka përkrahëse në rrugën e mbytjes së çdo opozite brenda e jashtë partisë.

Ndryshimet kushtetuese të realizuara në një mungesë totale të transparencës dhe jashtë Parlamentit janë bërë për të prodhuar një Kryeministër jashtëzakonisht të fuqishëm, që ngrin e shkrin Parlamentin, çon vendin në zgjedhje dhe emëron Presidentin. Me ndryshimin e Kushtetutës, Kryeministri ish-president mbylli plotësisht ciklin e kapjes së institucioneve, që nga Presidenti e deri te nëpunësi i rojës në institucionin më të humbur të këtij vendi.

***

Guri i themelit të shtetit demokratik modern shqiptar nuk u lejua të vendoset nga shqiptarët në vitin 1994, si ndëshkim ndaj politikës autoritariste të Presidentit të parë shqiptar, ndërsa pas 15 vjetësh ish-presidenti Kryeministër në detyrë po lëkund fort këtë gur që tashmë ka zënë vend në themelet e shtetit, duke rrezikuar seriozisht gjithë ngrehinën institucionale të vendosur mbi të. Këtë radhë paradoksalisht po ndihmohet aktivisht nga lideri i opozitës, që formalisht duhet të ishte kundër një veprimi të tillë. Duket se ne shqiptarët nuk po mundemi ta lemë të qetë të kaluarën, duke ndërtuar mbi të të ardhmen. Legjendat e kalave që ngrihen ditën e prishen natën jetojnë së bashku me realitetin e përditshëm.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›