E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Ditën Botërore të Veshkave

• Prof. Sulejman Kodra MD
Prof. Nestor Thereska MDSot organizohet për të 3-in  vit me radhë Dita Botërore e Veshkave, e iniciuar për herë të parë në vitin 2003 dhe më pas e fiksuar për gjithmonë si e përvitshme në vitin 2006. Dita është fiksuar mbas një vendimi të marrë bashkërisht ndërmjet Fondacioneve të Federatave Ndërkombëtare të Veshkave dhe Shoqatës Botërore të Sëmundjeve të Veshkave. Qëllimi kryesor i Ditës Botërore të Veshkave është të tërheqë vëmendjen e të gjithëve ndaj pandemisë botërore të sëmundjes kronike të veshkës, si në drejtim të sëmundshmërisë, ashtu edhe të vdekshmërisë prej saj, por edhe riskut të madh që ajo mbart ndaj sëmundjes kronike të zemrës  Këtë vit në më shumë se 60 vende anë e mbanë globit (përfshirë dhe Shqipërinë) është njoftuar organizimi i kësaj dite me evenimente të ndryshme sensibilizuese, siç janë organizimi i konferencave mjekësore, aktivitete promovuese politike apo manifestime sportive etj., me pjesëmarrje sa më të gjerë të mundshme, jo vetëm të komuniteteve mjekësore, por edhe të pacientëve dhe familjarëve të tyre, por edhe të politikanëve dhe politikbërësve të niveleve të ndryshme. Dita botërore ka si qëllim gjithashtu të transmetojë konceptin e sëmundjes renale kronike (SRK) dhe përkufizimin e saj. Mos të harrojmë se para vitit 2000 një përkufizim i tillë nuk ekzistonte. Por tashmë është arritur një konsensus lidhur me përkufizimin e SRK dhe janë përcaktuar standardet dhe piketat udhërrëfyese të këtij përkufizimi. Para së gjithash është e nevojshme të mësohet dhe kuptohet se kjo sëmundje është shumë e shpeshtë dhe po bëhet edhe më e shpeshtë. Si e tillë ajo po bëhet tepër e kushtueshme, aq sa është gati e papërballueshme edhe për buxhete financiare, jo vetëm individuale (krejtësisht e papërballueshme), por edhe për buxhetet e shteteve të fuqishme, sidomos kur sëmundja mbërrin në stadet përfundimtare të saj. Duhet të jemi të hapur dhe të sinqertë dhe të pranojmë se SRK është shumë e shpeshtë dhe me kosto të larta kolektive dhe me pasoja serioze për shëndetin publik.OBSH ka nënvizuar se SRK është “e shpeshtë, me pasoja dhe e mjekueshme”, por që kërkon ndërmarrje depistuese, zbuluese, mbikëqyrëse, parandaluese, kërkimore-shkencore dhe mjekuese.Le ta fillojmë nga vetja, çfarë duhet të bëjë komuniteti i mjekëve specialistë-nefrologë në këtë ditë. Ne para së gjithash, duke përfituar nga ky oportunitet duhet që njëkohësisht të reflektojmë për të kaluarën dhe të hedhim vështrimin për të ardhmen. Ne duhet të tërheqim vëmendjen e të gjithëve mbi rrezikun epidemik të SRK, duke marrë pjesë aktive në të gjitha hallkat që synojnë përmirësimin e ecurisë së SRK në pacientët që e vuajnë, por edhe në komunitete me risk të lartë që rrezikohen prej saj.Duke filluar nga viti 2005, OBSH ka theksuar rëndësinë që ka orientimi drejt kontrollit sa më të mirë dhe sa më efektiv të sëmundjeve kronike në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë të atyre që deri tani kanë qenë të neglizhuar, siç është rasti i SRK. Nga OBSH është vlerësuar se 60% e vdekjeve në botë vijnë nga sëmundjet kronike dhe se 80% i përkasin vendeve të varfra. Po sipas OBSH, parashikohet se pakësimi vjetor vetëm me 2% i tyre në 10 vjetet e ardhshëm do të kursente një buxhet prej 8 miliardë dollarë, duke i lehtësuar buxhetet e vendeve të varfra që edhe ashtu janë disproporcionalisht të vogla në krahasim me nevojat.Arritja e këtij objektivi bëhet duke ndërhyrë në shkaqet kryesore të SRK, siç janë ushqyerja e keqe, kaloritë e tepërta, jeta sedentare, pirja e duhanit etj. Janë pikërisht këto faktorë që ndikojnë progresionin e SRK. Edhe njëherë nënvizojmë se SRK është problem global për shëndetin. Mjafton të kujtojmë se prevalenca e saj në USA (vend i cili ka statistikat më të azhornuara për momentin) është 13.1% e popullatës. E njëjta gjë besohet të jetë edhe në Evropë. Ndërkohë që për vendet e pazhvilluara dhe të varfra duhet të jetë shumë më e madhe. Synimi duhet të jetë parandalimi i tyre dhe ngadalësimi i progresionit kur sëmundja ka filluar. Arritja e këtij synimi nga njëra anë përmirëson strukturën shëndetësore të një vendi, por nga ana tjetër e lehtëson barrën financiare, gjithnjë në rritje të mjekimit të SRK kur mbërrin në stadin përfundimtar (kostot e dializës dhe transplantit). Të dhënat e bollshme që vijnë nga statistika të besueshme USA, e bëjnë të qartë se shtimi galopant i SRK po bëhet kërcënim serioz për shëndetin publik. Kjo, sepse SRK ka sëmundshmëri dhe vdekshmëri të lartë dhe, për rrjedhojë, rritje të kostove për kujdesin shëndetësor. Prevalenca e SRK është sidomos shqetësuese për popullatat me të ardhura të ulëta dhe për vendet e pazhvilluara anë e mbanë globit. Një kontingjent tjetër në rritje janë të moshuarit, ku prevalenca e SRK rritet krahas me moshën. Prevalenca e lartë e SRK është njëra anë e problemit, por ana tjetër po aq e rëndësishme është edhe fakti që SRK ndikon dukshëm në rritjen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë nga sëmundjet e zemrës, të cilat nga ana e tyre përbëjnë shkakun e parë të vdekjeve në përgjithësi.E vërteta është se, ndonëse për parandalimin e SRK duhen angazhuar shumë hallka, ku ato mjekësore duke filluar nga mjeku i familjes (i cili përbën shtyllën kryesore në përkujdesin parësor, por që tek ne lë akoma për të dëshiruar), strukturat e ndryshme të kujdesjes shëndetësore, media etj., por që përgjegjësinë koordinuese dhe drejtuese duhet ta marrin mjekët specialistë nefrologë.Shërbimi i Nefrologjisë pranë QSUT, prej 1 viti është angazhuar në një projekt të rëndësishëm për të vlerësuar situatën epidemiologjike të SRK në gjithë territorin e Shqipërisë, të cilën më pastaj t’ua bëjë prezent edhe institucioneve shtetërore (Ministrisë së Shëndetësisë, ISKSH dhe qeverisë), për të hartuar strategjinë e përballimit hap pas hapi deri në zgjidhjen optimale të mundshme, bazuar në përvojat e vendeve të tjera. Në vendin tonë situata është vërtet e keqe dhe e pakrahasueshme me fqinjët. Kjo natyrisht edhe për arsye të trashëgimisë (mos trashëgimisë) nga e kaluara, por edhe për mungesën e politikave të qarta që kanë munguar, por natyrisht edhe për fondet e shumta që duhen dhe që duhet të parashikohen si zëra shtesë mbi buxhetin e zakonshëm të shëndetësisë. Në drejtim të disa aspekteve të mjekimit të SRK në stadin përfundimtar (dializa dhe transplanti) ne jemi shumë të vonuar.Por megjithatë, çfarë mund dhe duhet të bëjmë ne si komunitet mjekësor. Para së gjithash të vëmë fokusin në edukimin publik dhe në zbulimin e hershëm të SRK. Të luftojmë që të bëhet rutinë pranë qendrave shëndetësore (mjeku i familjes, mjeku i përgjithshëm) aplikimi i testeve të thjeshta të depistimit gratis të këtyre sëmundjeve. Mjekët nefrologë, si pjesa më e specializuar duhet të qëndrojnë në kontakt dhe lidhje të vazhdueshme me këta mjekë dhe të drejtojnë programe edukimi të tyre si dhe informimi të vazhdueshëm. Vëmendje e veçantë duhet treguar ndaj komuniteteve në risk, siç janë të sëmurët me hipertension, diabet dhe të moshuarit. Mjekimi i mirë i tyre parandalon ndjeshëm prevalecën e SRK.Në mbyllje theksojmë se lidhjet dhe informimi i institucioneve të shëndetit publik dhe ISKSH nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta, duke bërë prezent situatën, por edhe duke propozuar zgjidhje, do të jetë një aspekt tepër i rëndësishëm në radhë të parë i shërbimit të nefrologjisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›