E Shtunë, 31 Tetor 2026

Verifikimi i pronësisë fut në sherr PS-PD

• Neni nëntë i p/ligjit “Për rishikimin e titujve të pronësisë” ka sjellë përplasje mes demokratëve dhe socialistëve në komisionin parlamentar të Ligjeve.Deputetët e PD-së, Fatos Beja, Aldo Bumçi dhe Arenza Trashani kanë qenë kundër variantit të qeverisë për dhënien e tokës atyre personave, që e kanë zaptuar dhe që shteti mund t’ia shesë atyre kundrejt çmimit të përcaktuar nga çmimet e vendosura prej Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Pro kësaj nisme kanë qenë demokratët Sali Shehu dhe Pal Dajçi, si dhe socialisti Pandeli Majko. Republikani Arjan Madhi ka qenë kundër miratimit të nenit 9 të projektligjit. “Ky nen nuk mund të lihet kështu, sepse nuk mund t’i shitet toka hajdutit, atij që e ka vjedhur. Sipas këtij neni, shteti i jep të drejtë këtyre personave që kanë përfituar tokë në mënyrë të jashtëligjshme që ta blejnë atë me çmime të reduktuara. Unë jam kundër kësaj, kjo është absurde. Ne ligjërojmë të jashtëligjshmin në këtë mënyrë”, theksoi Madhi. Ndërsa ish-ministri Bumçi ka deklaruar më pas se, “unë nuk mund të pajtohem me këtë nen. Këtu jo vetëm shkelen të drejtat e njeriut, por ai është kundër të gjitha parimeve tona. Si mund t’i ligjërohet toka e vjedhur një personi apo qoftë edhe një pjese toke që ka marrë mbi atë që takonte. Nuk mund ta bëjmë këtë lëshim. Ne bëmë një lëshim për legalizimet, duke shkelur të drejtën e pronës pasi aty bëhej fjalë për njerëz që kishin ngritur shtëpi”. Majko i PS-së, e ka cilësuar të drejtë projektligjin dhe veçanërisht nenin 9 të tij. “Nëse doni t’i prisni në besë këtë njerëz dhe pas 17 vitesh t’u thoni që s’ka pronë për ju, mendojeni mirë këtë punë”, theksoi Majko. Qëndrimin e tij e ka mbështetur demokrati Pal Dajçi, duke u shprehur se, “ata që kanë marrë tokën për 17 vjet duke e punuar nuk mund t’ju merret, ftoj deputetët të ulen me këmbë në tokë, ligji zgjidh të gjithë problemet që kanë Bumçi dhe Madhi”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›