Ruli: ja privatizimet më të rëndësishme
• Dy janë privatizimet më të rëndësishme që janë në proces: Shitja e 85% të aksioneve të shoqërisë ARMO sh.a., dhe privatizimi i shoqërisë anonime “Operatori i Sistemit të Shpërndarjes” (OSSH), që ështëndërkohë dhe privatizimi më i madh dhe më kompleks që është bërë ndonjëherë në Shqipëri. Deklarata është bërë nga vetë ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli. Sipas tij privatizimi i ARMO-s ka nisur me ligjin përkatës me formulën e shitjes së aksioneve shtetërore, si dhe me publikimin e privatizimit të saj në 12 shkurt, 2008. Sipas ministrit Ruli, vlerat pozitive të pritshme nga privatizimi, lidhen dhe me bilancin financiar të ARMO-s, i cili ka një përmirësim të ndjeshëm sidomos gjatë dy viteve 2006-2007. “Ky përmirësim vjen nga një përgjegjësi e lartë menaxhuese si dhe nga koniunktura e mirë e tregut të çmimit naftës. Vetëm fitimi i ARMO-s gjatë vitit 2007, krahasuar me vitin 2004, është 5 herë më i lartë. Fitimi në vitin 2007 arriti në 1 miliardë e 700 milionë lekë, ndërsa në vitin 2004, ishte vetëm 365 milionë lekë, ç’ka tregon për përmirësim të dukshëm”, tha ministri Ruli. Duke u ndalur në vlerat e privatizimit të ARMO-s, ministri Ruli tha se “Interesi i shitjes së ARMO-s është maksimizimi i vlerës që do të merret në momentin e shitjes. ARMO ka një vlerë të kapitalit të nënshkruar, që mund të jetë në nivelin e 50-60 milionë euro, ndërsa një vlerë të aseteve, si vlerë në kontabilitet, në rreth 100 milionë euro. Kjo është pra, një vlerë kontabël, vlerë e aseteve të blera në vite, të investuara në vite, siç janë të regjistruara në kontabilitet”, tha ministri Ruli.