E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dorëzohet qeveria, naftë pa akcizë për peshkatarët

• Më së fundi qeveria është bindur t’u rimbursojë peshkatarëve akcizën e karburantit.Fabiola Çela Vendimi ka ardhur pas një sërë takimesh të zhvilluara mes peshkatarëve dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Financave dhe asaj të Mjedisit. Sipas projektvendimit të miratuar dje nga Këshilli i Ministrave, peshkatarët duhet të shesin prodhimin e tyre me faturë tatimore me TVSH, pasi në rast të kundërt ata nuk do të përfitojnë rimbursim. Ministria e Mjedisit si dhe grupet e interesit e kanë kundërshtuar projektvendimin e qeverisë. RimbursimiSipas projektvendimit të qeverisë “Për rimbursimin e akcizës së paguar për gazoilin e përdorur për peshkim”, do të përfitojnë karburant pa akcizë ato subjekte që janë të regjistruar pranë organeve tatimore. Peshkatarët duhet të kenë patjetër licencë peshkimi si dhe duhet të kenë edhe listë-pagesat e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore për të punësuarit e tyre. Vlera e karburantit që do të rimbursohet nuk do të jetë më e madhe se 80 për qind e vlerës së peshkut të shitur. Por në rast se peshkatarët do të kryejnë ‘marifete’ për të përfituar rimbursim në mënyrë abuzive atëherë ndaj tyre do të merren masa. Në projektvendim është përcaktuar se këto subjekte do të përjashtohen nga skema e rimbursimit për tre vjet. Kundërshtimet Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave pasi ka diskutuar projektvendimin e qeverisë me grupet e interesit, kanë konstatuar se ky projektvendim nuk i vjen në ndihmë sektorit të peshkimit. Kjo për disa arsye. Së pari çmimi i naftës është më i lartë se në vendet fqinje. Së dyti furnizimi i anijeve të peshkimit nëpërmjet ARMO-s, nuk është i sigurt pasi kjo kompani është në prag privatizimi. Përveç kësaj në të kaluarën ARMO nuk ka siguruar një furnizim të vazhdueshëm të sektorit të peshkimit me karburantin e duhur si në cilësi ashtu edhe në sasi. Në këto kushte grupet e interesit kanë kërkuar që qeveria të mos heqë akcizën e karburanteve për peshkatarët dhe jo ta rimbursojë atë. Gjithashtu ata kanë kërkuar që furnizimi të bëhet nga magazinat doganore. rimbursimiFurnizimi me karburant i anijeve të peshkimit të bëhet vetëm nga persona juridikë të cilët janë të pajisur me lejet përkatëse.  Rimbursimi i akcizës së karburantit u bëhet vetëm subjekteve juridike dhe fizike të peshkimit të cilët janë të regjistruar në organet tatimore dhe e shesin prodhimin e tyre të shoqëruar me faturë tatimore me TVSH. Rimbursimi i akcizës bazohet në sasinë e gazoilit të konsumuar në orë dhe në kohën faktike të qëndrimit në det të anijes të kontrolluar në bazë të nisjes dhe të mbërritjes e cila konfirmohet nga agjenti tatimor. Organi tatimor ku është i regjistruar subjekti i peshkimit pasi verifikon rregullsinë e dokumentacionit të paraqitur brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës kryen rimbursimin e akcizës drejtpërdrejt subjekteve të peshkimit. Ministria e Mjedisit çel për organin tatimor ku janë regjistruar subjektet e peshkimit çdo muaj fondet për rimbursimin e akcizës së karburantit të përdorur për anijet e peshkimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›