E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetim tregut të energjisë dhe hidrokarbureve

• Sektori i energjisë si dhe ai i hidrokarbureve do të jenë në qendër të vëmendjes së Autoritetit të Konkurrencës.Gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë, kryetarja Lindita Milo(Lati) tha se gjatë këtij viti do të hetohet në sektorin e energjisë si dhe në tregun e hidrokarbureve. Gjithashtu Autoriteti i Konkurrencës po monitoron me qëllim vëzhgimin e drejtpërdrejtë jo vetëm të strukturave të tregut bankar por duke analizuar karakteristikat e tregut sipas produkteve të ofruara nga operatorët e këtij tregu. Ndërkohë sipas kryetares së Autoritetit të Konkurrencës gjatë vitit 2007, Komisioni i Konkurrencës vendosi ndërprerjen e menjëhershme të marrëveshjes që synonte fiksimin e çmimit të markave të ndryshme të betonit dhe monitoroi me kujdes zhvillimet në këtë treg deri në mbylljen e hetimit. Komisioni i Konkurrencës vendosi gjobitjen e 9 kompanive prodhuese të betonit për shkak se nuk kanë dhënë informacionin e kërkuar nga Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës. Gjithashtu Autoriteti i Konkurrencës ka trajtuar marrëveshjen midis disa prodhuesve të vegjël të bukës në Qarkun e Fierit, sipas të cilës fiksohej çmimi i shitjes së bukës masive në 100 lekë dhe rritej çmimi i llojeve të tjera të bukës me rreth 17%. Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës, vendosi marrjen e masës së gjobës individuale ndaj kryetarit të shoqatës. Viti 2007 shënon rastin e parë ku një biznes ankohet ndaj një biznesi tjetër për praktika antikonkurruese. Një sektor i rëndësishëm, që do të vazhdojë të jetë nën monitorimin dhe hetimin e vazhdueshëm të Autoritetit të Konkurrencës do të jetë edhe ai i telekomunikacioneve. Konkurrentët e tregut të shërbimeve telefonike dhe internetit po rishikojnë pozicionet e tyre në kushtet e reja të krijuara në treg dhe Autoriteti i Konkurrencës, do të monitorojë në vijimësi sjelljen e operatorëve të shpallur me fuqi të ndjeshme në treg, por edhe të operatorëve alternativë, që tashmë do të ofrojnë shërbimin e telefonisë fikse edhe në zonat urbane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›