Ndryshojnë rregullat për mbikëqyrjen e punimeve
• Çdo ndërtim i ri që do të kryhet do të kontrollet nga një mbikëqyrës.fabiola Çela Investitorët tashmë janë të detyruar që të kenë një mbikëqyrës për punimet. Në mbledhjen e djeshme qeveria ka miratuar projekt-udhëzimin “Për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve në ndërtim” ku janë përcaktuar qartë të gjitha kriteret që të duhet të plotësojë një person për t’u përzgjedhur si mbikëqyrës i punimeve. Më parë ishte e përcaktuar se për objektet vlera e të cilave arrinte deri në 5 milionë lekë, investitori kishte të drejtë që ta zgjidhte ai vetë personin që do të mbikëqyrte punimet në ndërtim. Ndërsa për objektet vlera e të cilave ishte mbi 5 milionë lekë, mbikëqyrësi zgjidhej nga kryetari i entit prokurues. Por me ndryshimet e bëra dje, në rast se vlera e objektit është deri në 400 mijë lekë atëherë mbikëqyrësi përzgjidhet nga investitori. Në rast të kundër ai përzgjidhet nga autoriteti kontraktor. E thënë ndryshe investitorët tashmë kanë shumë pak shanse që t’i përzgjedhin vetë mbikë-qyrësit pasi siç i duhet pjesa më madhe e objekteve që ndërtohen kanë një vlerë mbi 400 mijë lekë. Përjashtimi Qeveria ka përcaktuar edhe kushtet që duhet të plotësojë një person për të marrë përsipër detyrën e mbikëqyrësit të punimeve. Së pari investitori vetë ka të drejtë të kryejë një përzgjedhje paraprake duke përjashtuar personat fizike të licencuar të cilët për fatin e tyre të keq nuk kanë shfaqur aftësi në mbikëqyrjet e mëparshme, kjo sipas listës së vënë në dispozicion nga ministria që kryen licencimin ose nëpërmjet procedurave te para kualifikimit. Ndërkaq për të mos pasur konflikt interesi dhe për të arritur një gjykim sa të drejtë gjatë zbatimit të objektit të prokuruar është e domosdoshme që mbikëqyrësi i punimeve nuk duhet të ketë funksione ose të jetë i ngarkuar me detyra teknike apo administrative që lidhen me objektin në të cilin ushtrohet kontrolli. Një nga mundësitë e shmangies së subjektivizimit dhe njëanshmërisë është dhe vënia e kushtit që mbikëqyrësi i punimeve nuk mund të emërohet pa kaluar tre vjet nga lënia e funksioneve që ka mbajtur në njësinë vendore ku zbatohet projekti. Fondi rezervë Për një përdorim sa më të drejtë dhe efikas të fondit rezervë qeveria ka vendosur që të japë të drejtën e miratimit të këtij fondi vetë investitorit. Mbikëqyrësi i punimeve konstaton domosdoshmërinë e përdorimit të fondit rezervë në bazë të punimeve të pa parashikuara që mund të dalin gjatë zbatimit të objektit dhe ia propozon atë investitorit. Në këtë rast ndërhyrja do të kryhet për sigurimin e qëndrueshmërisë së objektit nga ana statike. Në këtë moment mbikëqyrësi i bën prezent investitorit nevojën e ndërhyrjes në projekt. Investitori nga ana e tij së bashku me miratimin e ndryshimeve në projekt nga projektuesi miraton dhe përdorimin e fondit rezervë. Përzgjedhja e mbikëqyrësit Mbikëqyrësi kontraktohet drejtpërdrejt nga investitori për shërbime nën 400 mijë lekë mbi këtë vlerë përzgjidhet nga autoriteti kontraktor Mbikëqyrësi i punimeve nuk mund të ketë kryer asnjë detyrë teknike a administrative që ka lidhje me procesin e prokurimit të punimeve që do të mbikëqyren. Nuk mund të jetë pjesë e organizmave që kanë funksionin e kontrollit për punimet që mbikëqyren. Nuk mund të përzgjidhet pa kaluar tre vjet nga funksionet administrative që ka pasur në njësinë vendore ku zbatohet projekti si komunë, bashki, qark apo prefekturë. Nuk mund të përzgjidhet në rast se ka lidhje interesi apo familjare me zbatuesin e objektit që do të mbikëqyrë. Ja si do të ruhet informacioni hartografik Informacioni hartografik i cili është marrë nga fotografimi ajror i kryer gati një vit më parë do të ruhet në zyrat e ALUIZNI-t. Konkretisht kopjet origjinale të produktit fotogrametrik i cili përcakton gjendjen ekzistuese për çdo pjesë të territorit do të depozitohet pranë zyrave të ALUIZNI-t dhe Arkivit Shtetëror të Këshillit të Ministrave. Ndërkohë arkivi qendror teknik i ndërtimit ka të drejtë publikimin, riprodhimin dhe legalizimin e kopjeve të produktit fotogrametrik. Ruajtja e këtyre të dhënave është shumë e rëndësishme pasi ato do të shërbejnë për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, për kryerjen e studimeve urbane, zbatimin e projekteve të ndryshme etj.