E Diel, 1 Nëntor 2026

KEK’u kërkon shtrenjtimin e rrymës për 14,6 %

KEK’u ka njoftuar se më 8 shkurt 2010, ka dorëzuar Aplikimin Tarifor final në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë në përputhje të plotë me standardet e rregullatorit, duke kërkuar shtrenjtimin e rrymës par 14,6 për qind.

“Në aplikimin e tij KEK propozon një rritje të çmimeve për konsumatorët në nivelin 14.6 për qind. ZRrE do ta shqyrtojë aplikimin e KEK-ut si dhe dokumentet mbështetëse të aplikimit dhe pritet t’i publikojë komentet e veta më datë 25.02.2010. Më datë 15 mars, ZRrE pritet që të vendosë për tarifat finale me të cilat do të ngarkohen konsumatorët nga 1 prilli 2010”, thuhet në një njoftim të KEK’ut.

Sipas këtij njoftimi, ZRrE kërkon nga KEK-u që të rishikojë energjinë elektrike që duhet siguruar për konsumatorët, koston për ofrimin e shërbimeve për një vit dhe propozimin e tarifave që nevojiten për t’i ngarkuar konsumatorët.

“Objektivat e KEK janë për të ofruar energji elektrike të mjaftueshme për konsumatorët e rregullt, në përputhje me kërkesën e tyre dhe tarifat që i mundësojnë KEK-ut ta mbulojë këtë kosto. Aplikimi tarifor për vitin 2010 ka për qëllim që t’i avancojë më lartë këto qëllime, veçanërisht për sektorin e mirëmbajtjes dhe shpenzimeve kapitale për operimet në miniera, njësitë gjeneruese dhe rrjetin shpërndarës”, thuhet në arsyetimin e KEK’ut.

Sipas KEK’ut, gjatë vitit 2009 ka patur një progres të prekshëm për t’ju siguruar furnizim 24:00 konsumatorëve që paguajnë, që ka rezultuar me aplikim shumë më të vogël të reduktimeve.

“KEK është i zotuar që këtë progres ta vazhdojë edhe gjatë këtij viti. KEK ka arritur t’i ketë funksionale tri njësi gjeneruese në TC “Kosova A”, dy nga të cilat janë vazhdimisht në punë. Disponueshmëria e njësive të TC “Kosova B” ka qenë gjithashtu më e madhe, duke ia mundësuar korporatës që t’i furnizojë konsumatorët me më shumë energji”, theksohet në këtë njoftim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›