E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherri për pronën, vritet brenda në shtëpi 33-vjeçari

Kukës
 
 
 
Policia kap dy orë pas vrasjes autorin e dyshuar, fqinj më viktimën. Dyshohet se u zunë për gardhin që ndan dy shtëpitë
 
 
Flutura Tota
Kukës - Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Qinamak të komunës Surroj të Kukësit të hënën rreth orës 14:30, ku shtetasi Sali Leka, rreth 65 vjeç, dyshohet të ketë vrarë me armë zjarri 33-vjeçarin Dëfrim Keçi, babai i tre fëmijëve. Burime të policisë tregojnë vrasja ka ndodhur në shtëpinë e viktimës, në derën e shtëpisë, kur agresori Leka, i pajisur me pistoletë TT ka qëlluar mbi të nga afër. Një nga plumbat e kishte marrë në kokë, duke e lënë të vdekur në vend. Po ky burim saktëson se njoftimin për vrasjen e Keçit e ka bërë një nga vëllezërit e tij, i cili duket se ka përjetuar tragjedinë e të vëllait. Vëllai i viktimës i ka telefonuar menjëherë sallës operative, duke i treguar edhe emrin e vrasësit.
Operacioni
Pas këtij njoftimi, policia e Kukësi ka nisur një operacion të shpejtë dhe të gjerë me dhjetëra efektivë për kapjen e autorit, i cili sipas burimeve, ishte larguar nga vendngjarja për t’i shpëtuar policisë. Në krye të operacionit ka qenë vetë numri një i Drejtorisë së Policisë së Qarkut, Ali Elezi, dhe drejtues të tjerë të lartë të policisë. Autori i dyshuar i vrasjes, 65-vjeçari Leka, duke përfituar nga terreni i vështirë malor, është larguar në pyll në drejtim të Arrnit, ku ai ka shpresuar se do të fshihej për t’i shpëtuar drejtësisë. Por policia, duke përfituar edhe kjo nga shpejtësia e marrjes së njoftimit nga vëllai i viktimës, kishte bllokuar të gjitha akset rrugore, duke mos i dhënë mundësi largimi përtej Rrethit të Kukësit. Pas pak më shumë se dy orë kërkimi intensiv është arritur kapja e 65-vjeçarit 12 km larg vendit të krimit, në një zonë me pyje dushku. “Pasi zumë të gjitha shtigjet dhe mobilizuam një numër efektivësh kemi arritur ta kapim autorin, për t’ia dhënë drejtësisë për gjykim”, tha me telefon për gazetën “Korrieri” drejtori i policisë së qarkut të Kukësit, Ali Elezi. Një burim i policisë, që i referohet grupit të operacionit, thotë se janë siguruar disa gëzhoja armë në vendin e vrasjes së 33-vjeçarit, por ende nuk është gjetur arma e krimit, të cilën, siç duket, vrasësi e ka fshehur ose e ka hedhur në shkurre. Të dhënat e para flasin se arma e krimit ka qenë një pistoletë TT, por ende nuk është vërtetuar nga kompetentët.
Motivet
Motivet e vrasjes ende nuk janë zbardhur plotësisht, madje janë mjaft të paqarta të dhënat paraprake. Drejtori i policisë, Ali Elezi, tha se vrasja mendohet të jetë kryer për motive të dobëta, pa specifikuar se çfarë motivesh konkretisht. Ndërsa një burim tjetër i policisë, ende jozyrtar, thotë se motivi i vrasjes ka qenë një sherr mes dy bashkëfshatarëve për shkaqe pronësie. Kryetari i komunës së Surrojit, Halil Alia, i cili në ditën e ngjarjes nuk ndodhej në Kukës, tha se vrasësi dhe viktima i kanë shtëpitë ngjitur me njëra-tjetrën në fshatin Qinamak dhe ka të ngjarë që sherri të ketë nisur për rrugën e kalimit, apo për gardhin që ndan të dyja familjet. Edhe më herët në këtë fshat ka pasur sherre që lidhen me pronësinë mbi tokën, por ky është rasti i parë i gjakderdhjes gjatë dekadës së fundit në këtë fshat për çështje pronësie, nëse vërtetohet një version i tillë. Autori i dyshuar është dërguar në qeli dhe gjithçka do të vendoset pas hetimeve nga organet kompetente.
 
 
 
Viktima
Viktima Dëfrim Keçi, 33 vjeç, është babai i tre fëmijëve të vegjël, të cilët mendohet se në momentin e krimit kanë qenë brenda në shtëpi. Ai së bashku me dy vëllezërit janë marrë me tregti perimesh dhe prodhime të tjerë bujqësore. Kurse agresori Leka, 65 vjeç, është një pensionist, me profesionin punëtor.
 
 
 
 
 
 
Elbasan
 
Arrest në shtëpi për infermierin,
merrte të holla për raportet mjekësore
 
  
Elbasan - U merrte të holla personave që aplikonin për t’u pajisur me raport mjekësor në Poliklinikën e Specialiteteve, vendoset masa e arrestit në shtëpi për infermierin. Sektori Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar dhe konkretisht nga ana e Seksionit Kundër Korrupsionit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, si dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është finalizuar dje operacioni i koduar “Raporti i fundit”, duke vënë në arrest shtëpie Kujtim Qamilin, 39 vjeç, me banim në lagjen “Beqir Dardha” në Elbasan. 39-vjeçari punonte si infermier në poliklinikën e specialiteteve në këtë qytet. Burime policore pohuan se në bazë të informacioneve të marra dhe më pas edhe në sajë të metodave speciale të hetimit, është provuar se ky shtetas u merrte të holla personave që aplikonin për raport mjekësor më poliklinikën e specialiteteve. Mbi bazën e këtyre provave, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka vendosur për infermierin masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, për veprën penale të korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Policia e Elbasanit deklaroi se është duke punuar për të dokumentuar këtë vepër penale dhe identifikimin dhe zbulimin edhe të personave të tjerë të implikuar në këtë rrjet. Pak kohë më parë, policia e Elbasanit ndaloi tre mjekë të komisionit mjeko-ligjor, të cilët përfitonin të holla në këmbim të dhënies së raportit. Por pas apelimit të çështjes, ata hetohen në kushtet e arrestit në shtëpi.
M. Kalaja
 
 
 
Berat
 
Përplas për vdekje me motoçikletë
infermieren, arrestohet 18-vjeçari
 
 
BERAT- Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Beratit, ku një 54-vjeçare gjeti vdekjen e menjëhershme. Hatixhe Mema, banore e lagjes “çlirim” në këtë qytet, gjeti vdekjen, pasi u përplas nga një mjet tip motoçikletë që ecte me shpejtësi në rrugë. Aksidenti i rëndë për 54-vjeçaren, e cila nuk mundi të marrë ndihmën e parë shëndetësore, ndodhi rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme në lagjen “çlirim”. Gruaja me profesion infermiere mësohet se ndodhej duke kaluar rrugën në lagjen e saj, në vendin e quajtur “Ish-NSHG”-ja, kur një mjet tip motoçikletë i ka prerë rrugën, duke e përplasur në tokë. Goditja ka qenë fatale për gruan, e cila ishte nisur për t’i bërë një injeksion një banori të lagjes. Ajo mësohet se është aksidentuar rëndë në kokë dhe nuk ka mundur të marrë ndihmën e parë shëndetësore, pasi ka ndërruar jetë pa mundur të mbërrijë në spital. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë uniformat blu të sektorit rrugor dhe ata të policisë kriminale, të cilët ndaluan menjëherë 18-vjeçarin, R H., banor i së njëjtës lagje. Ky i fundit mësohet se udhëtonte me shpejtësi me mjetin e tij motor pa targa, çka dyshohet se është bërë i aksidentit. Adoleshenti u shoqërua menjëherë në organin blu, ndërkohë që çështja i është përcjellë Prokurorisë së Vlorës, sektorit të të miturve, ku 18-vjeçari do të përballet me veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.
 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›