E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Gecin, 30 ditë paraburgim

Sabit Gecit i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Gjyqtari ndërkombëtar ka vendosur këtë masë për Gecin duke marrë rekomandimet nga prokurori, po ashtu ndërkombëtar, se Geci po të lihej në arrest shtëpiak mund të kërcënonte dëshmitarët.

Avokati i tij, Mahmut Halimi ka thënë se brenda afatit ligjor pala mbrojtëse do të bëjë ankesë.

Seanca ndaj Gecit ka zgjatur më shumë se katër orë. Avokati mbrojtës i Gecit, Mahmut Halimi ka thënë se ka hedhur poshtë të gjitha akuzat me të cilat ngarkohet klienti i tij duke i propozuar gjykatës që Sabit Gecit t`i shqiptohet masa e arrestit shtëpiak.

“Ne kemi hedhur poshtë dyshimet e bazuara kemi hedhur poshtë edhe bazat për paraburgim. Z. Geci akuzohet se kinse gjatë periudhës prill-qershor 1999 ka qenë i përfshirë në krime lufte. Nuk ka asnjë akuzë tjetër. Mediat serbe janë munduar që përmes disa shkrimeve të lakojnë emrin e Gecit si të dyshuar për transplantim organesh, por për një gjë të tillë nuk ka asgjë, ai akuzohet vetëm për atë që ka deklaruar EULEX-i”, thotë Halimi për Express.

Sabit Geci, ish-luftëtar i UÇK-së, është arrestuar të enjten nga policia e EULEX-it nën dyshimin se ka qenë i përfshirë në krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Zëvendësprokurori për Krime Lufte i Serbisë, Bruno Vekariç, ka deklaruar se arrestimi ka ardhur si “rezultat i bashkëpunimit të shkëlqyer të Beogradit me EULEX-in".

Sikur raportojnë mediat serbe, Vekariç ka deklaruar se Geci dyshohet për rastin e trafikimit të organeve, në të ashtuquajturin rast i “Shtëpisë së Verdhë” në Shqipëri, si dhe për krime të kryera në rajonin e Drenicës.

Ndërkohë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka njoftuar se monitorues të tij e kanë vizituar Sabit Gecin, të premten në mëngjes, në Qendrën e ndalimit në Prishtinë.

Geci ka deklaruar se arrestimi i tij është bërë në një restorant afër shtëpisë së tij, derisa po drekonte. Ai ishte arrestuar nga policë të EULEX-it dhe më pas i është bastisur shtëpia, në praninë e tij. Gjatë arrestimit, policia nuk i ka treguar shkakun pse arrestohet dhe ndonjë vendim të shkruar. Ndërkaq për bastisje i kanë treguar vendimin e gjykatës.

Sipas deklaratës që i ka dhënë Geci KMDLNj-së, sjellja e policisë gjatë arrestimit, por edhe gjatë bastisjes, ka qenë korrekte. Ai është njoftuar për të drejtat e tij dhe arsyen pse është arrestuar.

”I ndaluari Sabit Geci nuk ka vërejtje as në sjelljet e zyrtarëve dhe oficerëve në Qendrën për ndalim në Prishtinë. Ai ka angazhuar avokatët mbrojtës dhe nuk ka pranuar të deklarohet para hetuesve të EULEX-it pa praninë e avokatëve”, thuhet në njoftimin e KMDLNj-së.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›