E Diel, 1 Nëntor 2026

Bisnesi në kolaps

Mungesa e energjisë elektrike, mungesa e qasjes së mjaftueshme në financa dhe monopoli, janë shkaktar të mbylljes së mbi 1 mijë bizneseve brenda një viti Zyrtaret e MTI`së pohojnë se disa herë kanë kërkuar bashkëpunim nga KEK-un karshi bizneseve, në ato raste kur bizneset dëmtohen si pasojë e ndërprerjes apo furnizimit të dobët të energjisë elektrike.

“Dëmet që bizneset pësojnë nga ndaljet e rrymës, nuk kompensohen”, thotë Naser Grajqevci, kryeshef në Agjencinë për mbështetje të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme.
Sipas tij, mungesa e qasjes se mjaftueshme të bizneseve në financa, posaçërisht atyre fillestare dhe monopoli nga qendrat e mëdha tregtare, është një tjetër arsye që ka mbyllur shumë biznese. Krahasuar me vitet e kaluara, Grajqevci thotë se së fundi ka rritje të bizneseve që mbyllen.

Ndërkaq, pajisja me numra fiskalë dhe aplikimi i arkave fiskale, do të rrudhë edhe më shumë numrin e bizneseve ekzistuese. Aktualisht në MTI janë të regjistruara afër 100 mijë biznese, kurse tatim paguajnë vetëm 40 mijë.

Berat Rukiqi, sekretar në Oden Ekonomike të Kosovës, thotë se procesi i pajisjes së bizneseve me numra fiskalë ka ndikuar që shumë biznese që nuk kanë paguar tatim, të tërhiqen vullnetarisht.

“Janë 40 mijë biznese që i kanë paguar së paku një herë tatim Administratës Tatimore”, pohoi Rukiqi.

Edhe në raportin e Bankës Botërore “Të bësh biznes”, Kosova ishte radhitur e 163-a nga 183 vende të botës në lidhje me fillimin e një biznesi të ri. Raporti tregon se në Kosovë ende nuk është krijuar një ambient i favorshëm për biznes.

Për të rregulluar sado pak këtë gjendje, Agjencia për Mbështetje të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, të martën do ta bëjë hapjen solemne të Javës së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë. Qëllimi i kësaj jave është krijimi i një ambienti miqësor për bizneset kosovare dhe promovimin e vetë bizneseve.

Në kuadër të saj, aktivitete do të ketë edhe Aleanca Kosovare e Bizneseve. Qëllimi kryesor është promovimi i biznesit vendor. Si aktivitet shtesë është edhe një tryezë e rrumbullakët e gjendjes së prodhimtarisë vendore, ku do të jenë të ftuar përfaqësues të Qeverisë dhe prodhues të diskutojnë për problemet dhe pengesat të cilat i kanë prodhuesit vendorë në Kosovë. AKB-ja planifikon edhe një anketë me qytetarë për të parë se sa po i konsumojnë prodhimet vendore dhe cilat janë ato pengesa që ndikojnë në shmangien e tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›