Për Hysin, fitorja opsion i vetëm
Njëra prej ndeshjeve më interesante të xhiros së nëntëmbëdhjetë të Superligës së Kosovës në futboll do të zhvillohet të dielën në Merdarë, ku Hysi do të ballafaqohet me KEK-un.
Bardhezinjtë, të cilët objektiv kanë titullin e kampionit, në këtë takim do të hyjnë pas humbjes që e pësuan në xhiron e parë të stinorit pranveror nga Trepça (2:1).
Hysi aktualisht gjendet në vendin e dytë të tabelës me nëntë pikë më pak sesa lideri, Prishtina. Andaj, ekipi nga Merdarja duhet ta fitojë patjetër duelin ndaj KEK-ut, nëse dëshiron ta vazhdojë denjësisht luftën për titull.
Për këtë është i vetëdijshëm edhe kryetrajneri i kësaj skuadre, Genc Hoxha, i cili është optimist se djelmoshat e tij do të triumfojnë përballë ‘elektricistëve’.
“Ne kemi një diferencë të madhe të pikëve ndaj Prishtinës, por nuk do të thotë se ka përfunduar gjithçka. Loja me KEK-un do të jetë shumë e rëndësishme, apo ndoshta vendimtare në luftën ton për titull. Andaj, ne synojmë tri pikë të plota”, ka deklaruar Hoxha.
Mirëpo, Hysi nuk do ta ketë aspak lehtë ta arrijë objektivin, pasi përballë do ta ketë KEK-un, i cili mirë e ka nisur stinorin pranveror.
Para një jave skuadra nga Kastrioti e mposhti midis Prishtinës Flamurtarin (1:2), e cila fitore e ka motivuar këtë ekip para sfidës së radhës ndaj Hysit.
“Hysit i duhet fitorja patjetër pas humbjes nga Trepça, nëse dëshiron ta vazhdojë luftën për titull. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë dhe konsiderojmë se ata janë top-favoritë ndaj neve. Mirëpo, në të njëjtën kohë kanë edhe presionin. Ndërkohë, e vetmja gjë që na favorizon neve është udhëtimi pa ngarkesë”, ka thënë kryetrajneri i KEK-ut, Mentor Miftari.
Sipas tij, skuadra e tij synon ta nxjerrë ndonjë rezultat sa më pozitiv nga kjo sfidë.
“Synojmë rezultat pozitiv. Jemi përgatitur maksimalisht. Mirëpo, askush nuk mund ta dijë se me çfarë rezultati mund të kthehemi. Të tria rezultatet janë të mundshme, sikurse humbja ashtu edhe barazimi e fitorja”, përfundoi ai.
Ndeshje interesante pritet të zhvillohet edhe në Pejë, ku Besa do ta sfidojë kampionin në fuqi, Trepçën, e cila mirë e ka nis stinorin pranveror.
Ndërsa favoriti kryesor për titull, Prishtina në kryeqytet do ta presë Trepçën ’89.
Superliga – Xhiroja e 19-të
E diel
Besa – Trepça
Hysi – KEK-u
Prishtina – Trepça ‘89
E hënë
Vëllaznimi – Ferizaj
Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 14:00