Për Nishanin krimi është statistikë. PS: Zbardhni vrasjet e bujshme
Në çdo raport që paraqesin zyrtarët tanë, sidomos ata të rendit, përpiqen që ta argumentojnë çdo gjë si statistikë. Kështu ka bërë edhe këtë radhë ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, në Komisionin e Sigurisë Kombëtare.
Nishani tha se në vitin 2011 janë goditur 48 grupe kriminale, ndërkohë që 216 persona janë proceduar penalisht, ndërsa theksoi evidentimin e 91 rasteve të trafikimit të qënieve njerëzore, ndërkohë që janë vënë në pranga të policisë 129 persona. Tha edhe shumë shifra të tilla.
Pra, raportoi statistikisht, duke harruar që çdo ditë në vend po ndodhin vrasje të njëpasnjëshme dhe tronditëse, ndërsa grabitjet dhe dhuna janë bërë të zakonshme tani. Vrasjet dhe terrori nuk mund të fshihen me statistika.
Kjo gjë është evidentuar edhe nga ana e deputetëve socialistë, të cilat e kanë akuzuar Nishanin sidomos për faktin se Ministria e Brendshme ka dështuar në zbardhjen e vrasjeve të bujshme, si ajo e deputetit socialist, Fatmir Xhindi apo gjyqtarit Skerdilajd Konomi.