E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Nobelin, seriozisht

Të enjten (sot), me fillim nga ora 13, në Stockholm do të publikohet emri i laureatit të sivjetmë të Çmimit Nobel për Letërsi. Parashikimet serioze flasin për atë se çmimi sivjet do t’i takojë një femre. Veç kësaj, askush nuk e zë në gojë Kadarenë si fitues potencial.

Çmimi Nobel për Letërsi – mbase më i vlefshmi dhe më prestigjiozi nga të gjitha çmimet tjera Nobel – të cilin deri më tani e kanë marrë 108 shkrimtarë/e, nuk përmban një përqindje edhe aq të lartë të fitueseve femra. Për 100 vite janë vetëm 12 femra që fituan Çmimin Nobel, megjithëse ky trend filloi të ndryshojë gjatë dekadave të fundit. Gjithçka filloi në vitin 1993, prej kur me këtë çmim u nderuan shkrimtaret Toni Morrison, Wislawa Szymborska, Elfriede Jelinek, Doris Lessing dhe Herta Muller. Vitin e kaluar Çmimi Nobel sërish iu nda një poeti (madje suedez). Ishte ky Thomas Transtromer.

Tani sërish po flitet që sivjet çmimin do ta fitojë një femër.

Në qarqet që pretendojnë se janë mirë të informuara, po përmenden emrat e shkrimtares kanadeze, Alice Munro; poetes kanadeze, Anne Carson; dhe të shkrimtares dhe feministes egjiptiane, Nawal El Saadawi. Kësaj të fundit, natyrisht se i shkon për shtati edhe fakti që përfaqësuesit e Akademisë Suedeze preferojnë të jenë politikisht aktualë. Fatkeqësisht, askush nuk po e përmend shkrimtaren tjetër kanadeze, Margaret Atwood, e cila ka shkruar disa romane të kategorisë së lartë.

Nga ana tjetër, përveç femrave, ka kohë që edhe shkrimtarët amerikanë ndjehen të anashkaluar, sepse çmimi i fundit letrar i Nobelit atyre iu nda në fillim të viteve të 90’a, kur atë e fitoi shkrimtarja e lartpërmendur Toni Morrison. Prej asaj kohe SHBA mbetet në pritje të një Nobeli për Letërsi, për të cilin sivjet gjasat më të mëdha i kanë shkrimtarët Don DeLillo, Cormac McCarthy, Philip Roth dhe Bob Dylan, edhe pse duhet përkujtuar se, gjatë një interviste kontroverse të tij të para disa viteve, sekretari i Akademisë Sudeze, Horace Engdahl, deklaroi se letërsia amerikane është tepër e mbyllur dhe provinciale. Edhe therë në lojë ishin shkrimtarët e njëjtë amerikanë që për Nobel garojnë edhe sivjet, përveç laureatit N. Scott Momaday, i cili ka prejardhje indiane.

Ndryshe, përkundër spekulimeve të shumta mediale tek ne, në mesin e pretendentëve seriozë për Nobel askush në Suedi nuk e përmend emrin e shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›