E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Veriun, veç Ahtisaari

Për Veriun e Kosovës nuk ka asnjë plan për ndonjë status të veçantë jashtë Pakos së Ahtisaari. Për ICO’në vlen vetëm ky plan. Opozita kosovare kundërshton mundësinë që në kuadër të dialogut Prishtinë - Beograd të diskutohet Veriu Nga Express më 15 gusht 2011 në ora 08:38

Pavarësisht shtimit të spekulimeve që flasin për një status special, autonomi apo një të ashtuquajtur “Ahtisaari Plus” për Veriun e Kosovës, për Zyrën Civile Ndërkombëtare plani për pavarësi të mbikëqyrur i të dërguarit special të OKB’së për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, mbetet aktualisht dokumenti i vetëm i vlefshëm.

Përfaqësues të këtij mekanizmi kanë deklaruar se do të vazhdojnë përpjekjet për zbatimin e këtij plani edhe në veri të Mitrovicës, ndërsa i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i bindin serbët e asaj zone se e ardhmja e tyre gjendet në kuadër të sistemit shtetëror të vendit.

Zëdhënësi i ICO’së, Andy McGuffie tha se pala serbe dhe ajo kosovare mund t’i zgjidhin problemet ekzistuese ndërmjet vete në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian, por se Zyra Civile Ndërkombëtare do të vazhdojë të veprojë në përputhje me mandatin që ia jep Grupi Drejtues Ndërkombëtar.

“Ekziston dialogu i lehtësuar nga BE’ja, ku Beogradi dhe Prishtina mund të punojnë për të identifikuar fushat e interesit të dyanshëm, për të cilat mund të pajtohen, por ne jemi të përqendruar në mandatin tonë”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.
McGuffie ritheksoi qëndrimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar në mbështetje të integritetit territorial të Kosovës.

Ai tha se statusi i Kosovës është çështje e mbyllur për ICO’në dhe se ndarja e vendit mbetet ide e papranueshme.

Një qëndrim të ngjashëm e kanë dhënë, deri më tani, edhe autoritetet kosovare.
Në deklaratat e deritashme të zyrtarëve të lartë shtetërorë është thënë se me Beogradin nuk do të bisedohet asnjëherë për ndarjen e Kosovës.

Mirëpo, partitë opozitare shfaqën dyshimin për ekzistimin e planeve që flasin për një status special për Veriun e Kosovës.

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani theksoi rëndësinë për krijimin e një plani konkret të ekzekutivit vendor lidhur me pjesën veriore të vendit.

Zhvillimi i bisedimeve për Veriun, sipas tij, është i dëmshëm për funksionimin e shtetit të Kosovës.

“Ne konsiderojmë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të pranojë që të bisedojë për Veriun; të mos futet në negociata me Serbinë në këtë proces të Brukselit për çështjen e Veriut, sepse Veriu është çështje e brendshme e Kosovës”, ka thënë Ramadani.

Sipas tij, çfarëdo statusi tjetër jashtë Ahtisaarit e bën më të brishtë shtetin e Kosovës dhe nuk e bën funksional- jo vetëm tash, por edhe në vitet e ardhshme.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›