E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i turpit

Agjencia Kundër Korrupsionit ka publikuar raportin mbi ndjekjen dhe gjykimet e rasteve korruptive në Kosovë. Aty thuhet se Kosova vazhdon të ballafaqohet me nivel të lartë të korrupsionit. Nga 165 rastet e dyshuara për afera korruptive që janë paraqitur në këtë institucion, 29 kanë të dhëna të mjaftueshme për këtë vepër penale Nga Lirita Halili më 15 gusht 2011 në ora 08:22

Korrupsioni, ryshfeti dhe shkeljet e tjera, në Kosovë nuk kanë të ndalur. Të paktën kështu del të jetë, sipas raportit të Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK). Vetëm në vitin 2010, kjo agjenci ka pranuar 430 informata për dyshime se persona të caktuar mund të jenë përfshirë në afera korruptive.

Por vetëm në 165 persona, AKK-ja ka gjetur elementet bazë për të filluar hetimet. “Nga kjo shifër, AKK-ja ka nxjerrë gjithsej 29 raste, që kanë të dhëna të mjaftueshme apo edhe dyshim të arsyeshëm se rasti mund të përbëjë vepër penale. Në këto 29 raste, përfshihen 101 persona”, thuhet në raport.

Sipas këtij raporti të përbërë prej 13 faqesh, të publikuar në faqet zyrtare të AKK-së, institucionet e Kosovës, më së shumti janë të rrezikuara nga personat që shpërdorin detyrën e tyre zyrtare. “Vetëm në vitin 2010, në Agjencinë Kundër Korrupsionit janë paraqitur gjithsej 44 persona që kanë shpërdorur detyrën e tyre zyrtare”, thuhet në raportin e AKK-së.

Por përveç në agjencinë e cila merret me çështjet e korrupsionit në Kosovë, ky lloj i veprës penale është i paraqitur në numër më të madh edhe te raportet e institucioneve të tjera si: Policia e Kosovës, Doganat, Prokuroria dhe Gjykata e Republikës së Kosovës.

Derisa në AKK numri i personave që kanë kryer këtë vepër penale arrin shifrën 44, në raportin e përmbledhur nga Policia e Kosovës, thuhet se janë 228 raste nën hetime për shpërdorim të detyrës zyrtare. “240 raste, policia i ka proceduar në Prokurori, derisa për 307 persona ka bërë kallëzim penal”, thuhet më tej në këtë raport.

Hiç më mirë nuk shkruan as në raportin e Doganave të Kosovës. Te ky institucion, vetëm në vitin 2010, janë implikuar gjithsej 7 persona, të cilët kanë bërë shpërdorim të detyrës zyrtare. Që të gjithë këta persona, sipas doganës, janë të përfshirë në 4 raste.

Por shpërdorimi i detyrës zyrtare nuk është e vetmja vepër korruptive që karakterizon këtë raport. Sipas Agjencisë Kundër Korrupsionit, kosovarët janë implikuar edhe në shumë raste të tjera, për të cilat ata kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në afera korruptive.

Kosovarët, sipas AKK-së, kanë marrë pjesë edhe në afera të tjera korruptive si:
Lidhja e kontratës së dëmshme, përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës, marrja e ryshfetit, nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore, falsifikim i dokumenteve zyrtare si dhe arkëtimi dhe pagesa e paligjshme. Te të gjitha këto raste, AKK-ja ka ngritur kallëzime penale dhe të njëjtat i ka përcjellë te Policia e Kosovës dhe prokuroritë kompetente për procedim të mëtutjeshëm.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës Express)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›