E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ruçi, debatet në PS zhurmë mediatike

29/04/2005  Elida Tepelena rivalizon Valentina Leskaj

Deputetja aktuale e Partisë Socialiste, Elida Tepelena, ka mbledhur mbi 6200 firma nga anëtarë dhe simpatizantë të partinë në zonën elektorale 56, të rrethit të Elbasanit, duke i sjellë në Kryesinë socialiste. Në zonën 56, paraprakisht është caktuar si kandidate për deputet sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Valentina Leskaj. Burime pranë stafit të deputetes Tepelena janë shprehur për “Metropol” se përveç mbështetjes që gëzon nga mbi 6000 socialistë, deputetja aktuale gëzon dhe mbështetje të këshillit të zonës. Ndërkohë që Tepelenës i janë bërë oferta dhe nga kryetari i Partisë Aleanca Demokratike, por ende nuk është dhënë një përgjigje përfundimtare nëse do Elida Tepelena do të kandidojë nën siglën e PS-së apo PAD-së, apo do të dalë si një kandidate e pavaruar. Nga ana tjetër sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, ka kundërshtuar të gjitha zërat për debatet e ashpra në bazën socialiste për emrat e kandidatëve për deputetë. Sipas tij, e gjithë kjo është më tepër një zhurmë mediatike, pasi nga strukturat e bazës dhe nga vetë baza emrat e kandidatëve janë pranuar dhe gëzojnë mbështetje. Megjithatë, e gjithë situata e krijuar në struktuart e PS-së muajt e fundit do të qartësohet sot, në mbledhjen e Kryesisë socialiste, ku do të përcaktohet dhe një listë më e detajuar e kandidatëve. Sipas Ruçit, të gjitha këto debate që fliten janë të sajuara nga kundërshtarët politikë dhe është normale në beteja elektorale që të shkruhet dhe me anonimitet për kandidatët. Ndërkohë që, ashtu si edhe në zgjedhjet e kaluara, PS-ja do të ngrejë pranë saj një grup avokatie, që do të merret me çështjet juridike të fushatës zgjedhore. Kjo strukturë do të funksionojë brenda partisë dhe Ruçi do të jetë ai që do të japë edhe direktivat përkatëse mbi këtë bord juristësh. Grupi i avokatisë do të fillojë punën menjëherë pas kongresit të datës 5 maj, për të vazhduar deri pas zgjedhjeve. Të gjithë kandidatët për deputetë të socialistëve do të kenë në dispozicion këshillat juridike për të vepruar gjithmonë dhe në çdo rast konform rregullave ligjore. Selia rozë përmes këtij grupi do të realizojë edhe komunikimin institucional dhe përgatitjen e kontestimeve dhe vërejtjeve për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Agron Tato

Deputeti aktual i Partisë Socialiste, Agron Tato, tha se “në zgjedhjet e 3 korrikut nuk do të jem kandidat i pavarur. Aktualisht po zhvilloj takime me bazën socialiste të zonës time, procedurë e cila do të zgjasë derisa të mbyll mandatin tim si deputet”. Ndërkohë që dhe emri i kandidatit për deputet, Luan Memushi, duket se gëzon mbështetjen e strukturave socialiste në rrethin e Beratit. Duke iu referuar debateve të shumta, këshillat zonale të zonës elektorale numër 77 kanë shprehur mbështetjen për kandidatin e prezantuar nga Kryesia, ministrin aktual të Arsimit, Memushi. Të gjitha debatet e ditëve të fundit mes bazës dhe strukturave socialiste nëpër rrethe priten të shuhen sot me një vendim të Kryesisë me përpilimin e një liste të kandidatëve

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›