Nano uron Berluskonin për qeverinë e re
29/04/2005 Kryeministri Fatos Nano i ka dërguar letër Kryeministrit të Italisë, Silvio Berluskoni, ku shprehej se “ju përcjell urimet me të mira për suksesin e merituar, me të cilin kabineti i ri qeveritar, i kryesuar nga Ju, kaloi sprovën e fundit të votëbesimit në të dy dhomat e Parlamentit, duke siguruar kështu vazhdimësine e punës se nisur dhe çuarjen deri në fund të procesit të reformave të ndërmarra nga ana Juaj aq të rëndësishme për vendin dhe rolin e Italisë në zhvillimet e sotme globale. Rikonfirmoj vullnetin tim politik për t'i dhënë një dimension të ri edhe më dinamik marrëdhënieve strategjike midis dy qeverive e vendeve tona, aq të rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për paqen, stabilitetin, prosperitetin dhe proceset integruese rajonale e Euro-Atlantike, ku Italia ka barrën historike për të luajtur një rol të dorës së parë. Shqipëria sheh tek Italia mike jo vetëm aleatin historik dhe partnerin strategjik, por edhe avokatin e sinqertë që e ka mbështetur pa rezerva në procesin jetik të integrimit Euro-Atlantik, proces ky që falë edhe ndihmës e bashkëpunimit Tuaj po na afron çdo ditë e më shumë me familjen e madhe evropiane”, thekson Nano.