E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për çeguevarizmin intelektual

Nga Artan Fuga

1-Përçarja në radhët e opozitës me afrimin e zgjedhjeve po bëhet më evidente. PS-ja dhe LSI-ja kanë ngritur tonet dhe po akuzojnë njëra-tjetrën për bashkëpunim me Berishën. S(a) mendoni se mund të jenë të vërteta akuza të tilla? Sipas jush, cilat janë arsyet e vërteta të konfliktit brenda së majtës?

Pse është akuzë, sipas jush, kur të thonë se bashkëpunon me Berishën për kauza që të duken të drejta? Hajde të emancipohemi nga këto paragjykime që vijnë nga shumë larg dhe që e kanë bazën në moskuptime thelbësore të demokracisë. Ka njerëz sot që bukën e fitojnë vetëm nëpërmjet kundërshtimit, kundërshtojnë në çdo rast, jo sepse kanë virtytet e liderit të opinionit, por sepse ose janë dembelë dhe nuk duan të punojnë, ose sepse janë të paaftë për të bërë gjë tjetër veçse punën e intelektualit çeguevarist, kritikut radikal, të papajtueshëm me asgjë, autist, por që vetëm shkatërron: “Media është e korruptuar”, “klasa e sipërmarrësve është e korruptuar”, “intelektualët janë të degjeneruar”, “të rinjtë janë pa kulturë”, “administratorët janë të korruptuar”, “universitetet private janë të korruptuara”, pra, u duket se vetëm ata dhe “populli” janë të pastër.

Kulpabilizojnë gjithkënd, prandaj ka ardhur koha për t’u thënë se nuk jeni vetëm ju në këtë vend, dhe se jo gjithçka thoni është flori. Vetëm ata janë intelektualë të kulluar, megjithëse jetojnë me paret që i fitojnë duke u paguar nga pronarët a nga burime private të ardhurash, kurse të tjerët që punojnë, që sipërmarrin, që ngrejnë institucione, janë ose të korruptuar ose të nënshtruar.

Keqkuptim më të madh se ky nuk njoh.

Problemi në fillim nuk është nëse këto akuza bashkëpunimesh eventuale të pjesëve të ndryshme të opozitës me Berishën janë ose jo të vërteta. Këtë nuk e zhbiriloj dot se nuk kam mjete personale përgjimi. Ka vend të sqarojmë më së pari nëse këto që thoni janë apo jo automatikisht akuza, pra shprehje gramatikore fajësimi politik.

Pse të mos bashkëpunojë opozita kur duhet dhe i duket e drejtë me qeverinë, pakica me shumicën, qoftë edhe në pushtetin lokal apo kombëtar?

Nuk jam i mendimit se opozita duhet të jetë çeguevariste. Domethënë të ketë në mendje vetëm faktin e kundërshtimit ndaj institucioneve, politikave qeveritare, dhe jo edhe bashkëpunimin kur duhet me to.

Kurse për arsyet e konfliktit brenda së majtës, nëse publiku dëshiron, ma bëni këtë pyetje përsëri javën e ardhshme dhe do t’ju përgjigjem sikurse kjo çështje e meriton. Por, fillimisht po e jap shijen e pikëpamjes sime: Nuk janë sherre individuale, janë diferenca parimore këndvështrimesh mbi botën dhe identitetesh politike të pjesëve të ndryshme të elektoratit të majtë.

Ikjet nga një parti tek tjetra tani në periudhë paraelektorale kanë natyrë krejt individuale dhe janë pa asnjë rëndësi politike.

Ato dëmtojnë partinë ku këto prurje shkojnë, jo partinë nga ikin.

E kundërta është një iluzion publik.

Ato nuk janë veçse lëvizje sipërfaqësore dhe pa asnjë rëndësi politike sikur ndodhin në një anë, ashtu edhe nga një anë tjetër e opozitës.

2- Media është përfshirë në një debat që ka lidhje me një incident në akademinë e filmit “Marubi”, një universitet privat që kundërshtoi policinë gjatë zbatimit të një vendimi që synoi prishjen e një ndërtimi pa leje në një pronë publike. Opinioni është i ndarë në qëndrimet ndaj këtij incidenti. Si e shikoni këtë rast? A justifikohet pushtimi i paligjshëm i pronave dhe shkelje të tjera të ligjit në emër të zhvillimit të pretenduar kulturor të një pjese të opinionit publik?

Në fillim le të saktësojmë pak termat, ju lutem. Jo se ju i keni gabim dhe unë i kam mirë, por sepse më duhet që të paraqes mendimin tim. Ju thoni se me rastin e shkollës “Marubi” kemi të bëjmë me një “zhvillim të pretenduar kulturor të një pjese të opinionit publik të vendit”. Nuk jam dakord me këtë vlerësim. E kam për detyrë ta them, sepse kam pasur fatin dhe nderin që para disa vitesh, i ftuar nga miku im, zoti Kujtim Çashku, të jap leksione për studentët e tij. Kam përshtypjet më të mira për këta studentë, nga kolektivi që ishte angazhuar aty për ta mbajtur atë shkollë të lartë (jo universitet sikurse thoni ju) dhe të shoh me sytë e mi se aty ishte krijuar me mund, në vite, një oaz kulturor dhe pedagogjik që do ta kishin zili shumë shkolla të tilla në rajonin tonë. Në planin e infrastrukturës sidomos, në planin e përdorimit të pedagogjive praktike të mësimdhënies etj., në rrafshin e hapjes së një institucioni shkollor ndaj publikut dhe shoqërisë, pa dyshim që atje ka arritje të cilat i bëjnë nder shkollës shqiptare. E them sinqerisht dhe pa asnjë kompleks që unë vetë aty kam mësuar, marrë ide pedagogjike, sidomos për sa i përket prodhimit profesional, të kushtueshëm, nga ana e studentëve dhe po mundohem bashkë me kolegët e mi ta aplikojmë edhe në Universitetin tonë publik të Tiranës. Formimi nuk është thjesht akumulim dijesh, sidomos në disa fusha, gazetari, komunikim, art, inxhinieri, mjekësi, infermieri etj., është mbi të gjitha zanat, profesion dhe mësohet nëpërmjet këtyre formave. Për të mos folur pastaj për rregullin, sallat, estetikën e mjediseve e kështu me radhë.

Po kështu, nuk është një “pjesë e opinionit” sikurse thoni ju, që interesohet për atë shkollë modeste nga numri i studentëve, por me kulturë të lartë. Kur krijohen vlera të mira kombëtare, është i gjithë opinioni që ka interes pavarësisht nëse përfiton direkt apo tërthorazi për atë që arrihet. Unë e konsideroj si një arritje kolektive edhe kur bëhet fjalë thjesht për një reklamë e mirë për një markë birre shqiptare, jo më për iniciativa kaq të rëndësishme. Për të mos folur pastaj për kinemanë që ishte te “Marubi”, ku të enjteve mblidhej një grup i madh të interesuarish për kulturën e filmit në këtë botë kulturore të shkretë që trashëgojmë.

Pa hyrë edhe më tej në detaje për të vlerësuar atë që përfaqëson shkolla “Marubi” për mua personalisht, desha të shtroj pyetjen: Përse nuk u shpreha më parë për këtë “incident”, sikurse e quani, por vetëm tani, pas ngjarjes, “pas lufte”, në kohën pra që ju më pyesni?

Sepse isha i ndarë edhe unë vetë brenda meje. Një miku im ndodhej në vështirësi dhe nuk mund të bëja teorira me hallin e tij jopersonal, por që lidhej me ndërmarrjen e tij. Por, kur më pyesni, pasi çështja është fashitur, “beteja” ka mbaruar në fazën akute, jam i detyruar t’i përgjigjem pyetjes suaj.

Përse isha i dyzuar? Sepse disa nga bindjet e mia personale nuk shkonin në drejtim të kontekstit drejt të cilit shkuan ngjarjet.

Mos harrojmë se shkolla “Marubi” vërtet prodhon vlera kulturore e rrezaton në shumë plane, por ajo është edhe një sipërmarrje që funksionon si sipërmarrje private. Nuk ka rëndësi sa është fitimi dhe sa është harxhimi. Kjo është një çështje tjetër. Kultura dhe kultura në një shoqëri tregu janë dy gjëra shumë të ndara. Lexoni Annah Arendtin dhe do të kuptohet. Mirë a keq, nuk e kam zgjedhur unë, në një shoqëri tregu një ndërmarrje që funksionon si sipërmarrje private, është e detyruar t’u nënshtrohet kërkesave të tregut dhe mbi të gjitha të shtetit ligjor.

U kërkoj ndjesë studentëve të asaj shkolle dhe militantëve të nderuar të saj, kur jap një shembull që shkon kundër argumentit të përdorur se “meqë ajo shkollë përfaqëson realisht vlera kulturore, atëherë mund të tolerohet të zgjerohet në territore që nuk i janë dhënë ligjërisht në përdorim”. Ja po marr një shembull konkret : Ta zëmë se një shkollë, edhe më e mirë se “Marubi” (ta zëmë), vjen natën dhe i vendos ekskavatorin ndërtesës që zoti Fatos Nano, me bon sens, ia kishte lënë kësaj shkolle. Një shkollë perëndimore. Të gjithë ne do të mërziteshim dhe do të thoshim: “Çfarë keni bërë zotërinj? Këtu është një institucion tjetër”. Ata do të na përgjigjeshin: “Pushoni, shkolla jonë është një vlerë edhe më e madhe sesa juaja, asaj i lejohet prandaj të zërë mjedise që nuk i takojnë”. Unë bashkë me të tjerët do t’u thosha atyre: “Ju qofshi ata që jeni, pa ikni pak këtej se shteti shqiptar këtë ndërtesë a kat, e ka vendosur ta japë për shkollën e lartë “Marubi”. Dhe me plot të drejtë. Pra, fakti i të qenit një shkollë me vlera dhe kapërcimi i mjediseve që të janë dhënë me normë ligjore janë dy gjëra krejt të ndryshme.

Imagjinoni një shembull tjetër. Kam shumë miq, artistë të mëdhenj shqiptarë, piktorë, aktorë, muzikantë, që dinë të bëjnë një art të madh. Nuk kanë mjetet e duhura financiare për ta shpalosur artin e tyre aq sa do të donin. Si mund të realizohej që ata të mblidheshin në turmë, të mobilizonin miq dhe dashamirës, pa fund dhe të mësynin derën e Teatrit Popullor apo të Teatrit të Operas dhe të Baletit, duke u legjitimuar pas shprehjes: “Ne po përhapim kulturë!” Nuk ecën kjo kështu. Pavarësisht se do të përulesha pa fund ndaj artit të tyre, do të ndieja dhimbje pa fund që shoqëria e tregut fatkeqësisht është shoqëria më e keqe, pas asaj socialiste, për të promovuar artin dhe kulturën.

Dikush mund të thotë: “Sa zaptime ilegale ka, përse e gjetën të merren me atë tempull kulture?”, - se kështu e quaj me të vërtetë. Argumenti përsëri nuk qëndron, megjithëse më shkon për shtat. Për shkak se të tjerët mund të mos jenë në rregull, kjo nuk do të thotë se edhe ti nuk duhet të jesh në rregull. Po marr një shembull nga kodi rrugor evropian. Je duke ecur me automobil, pas një makine tjetër. E para hyn në një drejtim të gabuar dhe ti pas saj. Polici të sheh vetëm ty, tjetra ka kaluar tashmë dhe të vendos gjobë. Nuk mund të justifikosh se ti bëre si shoferi tjetër që edhe ai ishte gabim e nuk u dënua.

Dihet se shteti shqiptar prej kohësh bashkëjeton në adulter me gjendje ilegale pronësie. Turp i madh! Në shumicën e rasteve nuk ka se çfarë bën. Herë të tjera nuk do të ndërhyjë. Politika vihet në kundërshtim me të drejtën. Informaliteti pronësor i është imponuar me forcë. Nuk ka rëndësi se si, por është një fakt. Cila është zgjidhja? Që meqë ka informalitet pronësor, atëherë të gjithë të zgjerohen aq sa e gjykojnë se është “espace vital” që u duhet për të mbijetuar? Apo që të tjerët, sidomos të kultivuarit, të jetojnë brenda shtetit ligjor dhe të kërkojnë që edhe të tjerët të rregullarizohen? Unë mendoj se intelektuali, duke vuajtur, siç di të vuajë ai, sikurse vuan për krijesën e vet, në sinqeritet Kujtim Çashku, do të ishte për zgjidhjen e dytë. Përndryshe, nga Shqipëria jonë nuk do të mbetej më asgjë.

E kuptoj edhe argumentin që ndofta pas veprimit administrativ të ndërmarrë mund të ketë pasur edhe xhelozira, ambicie, larje hesapesh e ku e di unë se çfarë tjetër. Mundet, por edhe ky nuk është një argument i vlefshëm për të kaluar në pozitat e mosbindjes civile. Pikërisht, prandaj duhet me qenë në rregull me ligjin në mënyrë që edhe atyre që nuk i ke dashamirës, edhe konkurrentëve të tu, edhe rivalëve, edhe atyre me të cilët mund të kesh pasur ndonjë qejfprishje, të mos u japësh rast të të kundërvënë me ligjin. Fqinji njofton policinë për ambicie se ti e ke parkuar keq automobilin tënd mbi trotuar. Atij nuk i bëhet vonë për rregullin, por vetëm se të ka inat. Megjithatë, policia vjen, të bllokon makinën dhe nuk ke asnjë legjitimitet të thuash: “Denoncimi i ardhur nga dikush kishte si motiv ambicien e tij kundër meje”. E çfarë rëndësie ka kjo!

Ndërkohë, kjo histori na rinxjerr edhe një herë të problemi i marrëdhënies midis intelektualit dhe shpirtit kontestator.

Nuk e vlerësova veprimin, u trondita, kur pashë në filmim, që me në dorë një rul telash me gjemba, të sjella aty për të kufizuar ndofta një territor, para kamerave që u thuhej të filmonin, thërritej pak a shumë: “Ja, vendi im, ka terror”, etj.

Kush e shan vendin e tij?

Apo intelektuali është pa atdhe?

Kaq shpejt e vendosim në ankand para gjykatës ndërkombëtare vendin?

Për një copë oborr?

Unë e di mirë se nuk ishte mungesë patriotizmi, as nuk e dyshoj këtë. Por, nuk më duket se në Shqipëri ka terror me tela me gjemba, nuk më duket se administrimi i territorit, qoftë edhe padrejtësisht, është terror i telave me gjemba. Shtyrja dhe presioni fizik i filmuar ndaj trupave të policisë është gjithashtu pa kuptim në ato kushte.

Ishte një efekt bumerang.

Më duket se ende te ne qarkullon imazhi i intelektualit që në çdo rast ka si shembull modelin e Çe Guevarës. Nuk flas për rastin konkret, sepse kineasti Çashku, si intelektual ndërtues institucionesh, punëtor, sipërmarrës privat, është e kundërta e tij, por gjej rastin ta trajtoj çështjen në përgjithësi. Harrohet që Çe Guevara ishte një mit. E analizojmë një herë tjetër atë.

Por, pozicioni intelektual si domosdoshmërisht, e përherë, në kundërvënie ndaj ligjit, shtetit, disiplinës, reformave, institucioneve, nëpunësit, në emër të një lirie që justifikohet subjektivisht thjesht nga parime të brendshme, nga gjendje konjitive morale, nga bindje të brendshme, nuk mund të universalizohet. Ka raste kur ky mit i mosbindjes civile ka vend të tregohet. Nuk e vendos aspak në diskutim. Më ka ndodhur edhe mua të praktikoj aktin e mosbindjes civile. Por, ajo është një kulturë që ka logjikën e vet të brendshme. Nuk mund të abuzohet me të.

Sado vlera të ketë sipërmarrja intelektuale, sikurse është rasti “Marubi”, nuk mund të mbrohet një territor që çdo gjykatë në botë ta quan të uzurpuar ilegalisht, si një motiv për mosbindje civile, që justifikohet vetëm për motive të pastra, të thella politike, në një vend diktatorial, ku nuk ka gjyqe, as shtet të së drejtës.

Hyjnizimi i modelit dhe i mitit të Çe Guevarës, mosbindja civile, mosbindja ndaj ligjit të konsideruar subjektivisht si i padrejtë, na vjen qysh nga fillimi i viteve ’90, kur intelektuali shqiptar me të drejtë protestonte dhe nuk e njihte më ligjin. Ishte fund regjimi. Kishte dramë, por edhe teatër brenda. Kishte edhe telekomandim. Kam frikë se kjo figurë, që atëherë ishte plotësisht e legjitimuar, por sot njeh një periudhë imitimi jokritik, na është injektuar aq fort kolektivisht sa që për inerci duket se një intelektual, për t’u quajtur i tillë, nuk ka vend të respektojë institucionet, ligjet, pronësinë e tokës, rregullat e organizatave, aq më pak të jetë në rregull me ligjin kur shumë të tjerë nuk janë. Ka duar të pastra. Merret vetëm me libra, nuk punon, aristokrat në oborrin e mbretit, vetëm merret me gjendjen e veta konjitive. Vdes kombi kështu. Vepron voluntarisht vetëm në emër të gjendjeve të tij konjitive e vlerësimeve subjektive morale mbi të drejtën dhe të padrejtën. Këtu ngatërrohet krejtësisht ana morale, politike me anët juridike të çështjes.

Ky mit i keqkuptuar i Çe Guevarës na vjen edhe nga historia jonë nën diktaturë, kur shumë intelektualë shqiptarë u përballën me ligjin dhe u ndëshkuan për këtë, duke mbetur frymëzim ndershmërie intelektuale. Por, shembulli i tyre ka kuptim në një kontekst të dhënë, nuk mund të justifikojë mosbindjen civile, mosrespektimin e institucioneve etj., sot.

E bukura është se konstatojmë edhe çeguevaristë të djathtë.

Sepse ka intelektualë çeguevaristë, nganjëherë edhe anonimë, që nuk pranojnë t’i kundërshtosh, që bërtasin tërë kohën: “Diktatura”, “shfrytëzimi”, “korrupsioni” etj., etj., që bëjnë kritikën e kritikës kritike, por që nuk i kemi parë që veç llafeve, të dinë të bëjnë një punë të vetme, të ndërtojnë një sipërmarrje të vetme, të dinë të punojnë në një kolektiv të vetëm, pra të ndërtojnë.

Kush punon, gabon.

Dhe në këtë rast, me çeguevarizëm (për Çenë e gjorë autentik bisedojmë një herë tjetër) kërkojnë të fshehin e justifikojnë faktin se nuk dinë të krijojnë, nuk dinë të shtojnë vlerë të shtuar në kulturë, arsim, sipërmarrje private.

Zotin Çashku personalisht nuk e njoh të jetë aspak nga kjo racë, ai ka ditur të japë vlerë të shtuar.

Çeguevarizmin intelektual e frymëzon dhe një kuptim i mbrapshtë i lëvizjeve studentore të majit ’68 në Perëndim, kur intelektuali kuptohej fatalisht se kishte vetëm një rol: të kundërshtonte, të injoronte pronën, ligjin, autoritetin, familjen dhe të identifikohej në vetvete si rezistues policësh të gjorë.

Si shkulës kalldrëmi.

Rasti i spekulimeve mbi raportin midis filmit, kulturës, politikës, ishte një rast i mirë për të jetuar në ëndërrim në një mosbindje civile, në një rezistencë, ku askush nuk të nget përtej territorit të Kinostudios.

Është një lojë me çeguevarizëm në një vend ku terrori politik nuk duket se ka shenja se ekziston.

Të paktën sot për sot.

Tjetër kanë qenë diktaturat amerikano-jugore.

Por, arsyetimi im ende nuk ka mbaruar. Duke i qëndruar besnik konceptit tim se intelektuali i shekullit të njëzetenjëtë nuk është vetëm kontestatori që gjyqin e ndërgjegjes së vet morale e ka më të lartë se gjyqin e shtetit të së drejtës, që nuk bindet civilisht, por edhe organizatori, inxhinieri (ndërtuesi i vlerës së shtuar), institucionalisti, sipërmarrësi i organizimeve që funksionojnë brenda disiplinës dhe rregullit, kam edhe dy gjëra për të thënë.

Kultura individuale dhe private, si krijim i lirë, ka nevojë të mbështetet në këtë vend.

Mos harrojmë se në rrugët e Parisit një indian që shet banane, policia e përzë në rast se ai vendoset në një vend të paligjshëm. Por, nuk e nget aspak një librashitës, një piktor që shet pikturat e tij. Janë të paprekshëm si ikona.

Sepse konsiderohet krijim artistik, njihet delli, çmenduria e artistit, momenti spontan i krijimit.

Artisti i ngjan atij qenit të bukur që nuk mund ta përmbajë për më vonë dëshirën për të urinuar.

Nuk e mban dot për pastaj.

E lëshon atë në mënyrë perandorake atje ku i teket, në çast, te pemë qindravjeçare, në rrotat e një Ferrari të kushtueshëm, bile edhe në këmbët e një kryetari shteti apo ambasadori.

Nuk përmbahet akti i krijimit.

Të zë në rrugë, në rrugë do ta bësh.

I keni parë ata të dashuruarit që puthen pa fund në mes të trafikut?

Nuk kishte nevojë, sipas meje, që administrata t’i dërgonte policinë “Marubit”. Ka mjete të tjera. Nuk ka paguar qiranë? Fisku (pra, administrata e financave bën një paralajmërim të vetëm për “terror financiar” të ligjshëm me anë gjobash progresive) dhe pastaj askush nuk e diskuton më vendimin administrativ.

Pastaj, nuk duhet harruar se ana jo represive, por ajo krijuese, e shtetit, mund ta kishte vlerësuar atë që kishte bërë “Marubi” në vite. Institucionin që mjediset ku duhej të zije hundën nga era e rëndë e urinës, ardhur nga banjot e braktisura, e ktheu në një mjedis të kulturuar arti dhe shkollimi. Pjesa artistike e shtetit pra gjithmonë është në tension me pjesën po aq legjitime, por represive të tij.

Jepi dekoratën, pastaj “pushkatoje” – si te romani “Viti ’93”.

Duke i kërkuar, nëse duhej, hapësirat që nuk i takonin, duke i kërkuar rregullarizim financiar, sigurisht “Marubit”, për arritjet e tij, mund t’i dëgjoheshin disa kërkesa për aq sa është kontrata. Në një shkollë duhet pritur së paku përfundimi i vitit shkollor para se të lahen disa hesape.

Ka mijëra zgjidhje.

Por, jo me forcën e mosbindjes civile që degjeneron në piskama e qarje dhe pastaj kalon në muzikë e vallëzime.

Shteti, sipas meje, nuk kishte nevojë të tregonte fare forcë policore në këtë rast vogëlimë, ka mjete të hidhëta financiare, pas paralajmërimit, gjobat etj. Por, ama, pasi ndërhyri dhe u kundërshtua fizikisht, do të bënte gabim edhe më të rëndë se i pari po të mos i shkonte deri në fund realizimit të vullnetit të tij autoritar.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›