E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për fajtorë ndryshe



Nga Sami Neza

Rasti i ngacmimit seksual të ish-ministrit Pango po mat në njëfarë mënyre të gjithë aktorët e shoqërisë shqiptare, nëpërmjet një indikatori që asnjëherë më parë nuk na ka rënë në dorë. Si reflektohet dhe si sillet Kryeministri, Presidenti, Parlamenti, opozita, akademizmi, qytetarët, gazetat dhe televizionet ndaj një rasti, i cili ngërthen në një vend fajin njerëzor me shkeljen e detyrës, pafajësinë me shantazhin, abuzimi që vjen prej pushtetit, me pushtetin që vjen prej medias.

Aktorët që duhej t’i jepnin një përgjigje institucionale çështjes “Pango” u përfaqësuan nga Kryeministri, i cili e shkarkoi atë jo duke e shpallur fajtor, por duke e barazuar në mbrojtjen e tij me median që e akuzoi. “Mund ta mbrosh veten për videon e dhënë, por jo duke qenë ministër”, - i ka thënë Berisha anëtarit të tij të kabinetit, duke lënë të hapur çështjen e masës së fajit, por duke mbyllur atë të ndëshkimit institucional. Shkarkimi i tij bëhej për shkak se ngacmimi seksual për më tepër ndodhte në një cikël administrativ që lidhej me punësimin e një femre. “Shitja” e detyrës është një fakt dhe ministri nuk mund ta kthejë shtëpinë në një “laborator” punësimi. PD dhe qeveria nuk shitën moral për moral, por promovuan moralin që i duhet një administrate, i nëpërkëmbur si mos më keq përgjatë pesë qeverive socialiste. Nëpërmjet vendimit të tij, Kryeministri ndau edhe në këtë pjesë modelin e qeverisjes së vet prej qeverisjeve të tjera rozë, e çfarë roze. Ndërkaq opozita po identifikon rastin “Pango” me qeverisjen, një mbrapshti arsyetimi se qysh mund të jenë të njëjtë ata që ndëshkojnë dhe ai që ndëshkohet.

Ndërkaq qytetarët janë të ndarë dhe kanë nevojë të dëgjojnë të gjitha palët, një ndarje që e bëri vetë Pango tek dalja e tij tek “Opinion”, duke ofruar për herë të parë versionin e dytë, atë që ne në gazetari e quajmë ekuilibrim. Ndodhi për herë të parë, pasi Pango u gjend në një skandal seksual të filmuar, jo duke e zhvilluar atë skandal, por duke reaguar, pasi iu dha një ofertë skandali. Nuk janë gjëra të kundërta, por janë deri diku të ndryshme, të cilat na bëjnë të gabojmë në matjen e “penalitetit”.

Një shoqëri e civilizuar nuk ndan me thikë fajin prej së drejtës, por mat pjesën e fajit dhe pjesën e së drejtës. Askush nuk mund të dalë prej njerëzores, e cila ka brenda edhe mëkatin, edhe bekimin. Ish-ministri Pango është në këtë rast edhe xhelati, edhe viktima. Është njeriu që u gjend në rolin e agresorit dhe fill më pas në rolin e të viktimizuarit prej aktit të tij vetë. A mos ka këtu një gabim, korrigjimi i të cilit nuk e shpëton Pangon prej fajit, por ama nuk shton aktorët që mund të përlajë faji me vete.

Pango ka këmbëngulur për prerje të përgjimeve dhe ndryshim të situatave. Nga pikëpamja redaktoriale shumë pamje mund të priten, por pa ndryshuar kontekstin dhe duke shtuar cilësinë e transmetimit. Duke besuar se “Fiks fare” ka vepruar kështu dhe duke respektuar cilësinë e tyre të investigimeve të mëparshme, por edhe duke besuar Pangon në deklaratat e tij, vështirësohet shumë rruga e së vërtetës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›