Standardi moral, diferenca më shumë se politike e Berishës
Nga Nebil Çika
“Berisha mund të gabojë kur merr, asnjëherë kur heq”. Kjo thënie, kohë më parë, e kolegut dhe mikut tim, Lutfi Dervishi, duket se është më aktuale se kurrë në rastin e shkarkimit të ish-ministrit të MTKRS-së pas publikimit të një skandali seksual të tij. Nuk dua të ndalem tek skandali që Kryeministri me reagimin e menjëhershëm e bëri një çështje të së shkuarës politike, por nuk mund të kapërcejmë dot integritetin moral, një cilësi që i garanton zotit Berisha epërsinë apo diferencën me kundërshtarët e tij politikë. Më ka habitur reagimi qytetar menjëherë pas publikimit të lajmit të shkarkimi të ministrit, ku veprimi i z. Berisha u vlerësua maksimalisht dhe eklipsoi automatikisht impaktin negativ politik që pritej nga skandali, me anë të së cilit ai distancoi politikisht jo vetëm veten e tij, por edhe qeverinë e krejt mazhorancën.
Integriteti apo standardi moral ka qenë pa dyshim thelbësor në diferencën që politikani dhe qytetari Sali Berisha bën me kundërshtarët e tij politikë. Z. Berisha zgjodhi shkarkimin si masë ndaj ministrit të akuzuar publikisht, si shprehje e qëndrimit të tij kategorik ndaj sjelljeve të tilla, duke manifestuar integritetin moral dhe karakterin, cilësi për të cilat ai ka marrë në mënyrë permanente vlerësimin maksimal të qytetarëve shqiptarë pa dallim bindjesh politike. “Familja është një gjë e madhe”. Më tërhoqi vëmendjen argumenti nga biseda e disa zonjave në kafene, që në komentin e tyre qytetar për këtë ngjarje, e cilësonin reagimin e z. Berisha si një veprim që vinte e motivohej nga raportet me familjen, duke theksuar rëndësinë e saj në të gjitha fushat e jetës në mënyrë të veçantë në politikë. Në këtë këndvështrim nuk besoj se ka qytetar normal që mund të dyshoje te Berisha kur është fjala për çështje morale, gjë që e manifestoi krejt natyrshëm edhe në rastin në fjalë.
Mirëpo, ky moment manifestoi edhe një cilësi tjetër të Kryeministrit, aspekt me të cilin është abuzuar mjaft nga opozita dhe mediat e saj.
Reagimi i Berishës ndaj rastit “Pango” është pa dyshim shprehje e sensibilitetit të tij ndaj medias në rastet kur konstatimet apo akuzat e saj janë të drejta e të vërtetuara. Kjo hedh poshtë çdo pretendim për “injorim të shtypit” demagogji me të cilën kritikët e Kryeministrit mundohen të zhvleftësojnë standardin e lirisë së shtypit gjatë qeverisjes së tij. Rasti “Pango” nuk është i vetmi moment ku z. Berisha ka reaguar duke respektuar kontributin e shtypit në denoncimin e sjelljeve jashtë standardeve politike e morale të qeverisjes së tij. Dua t’ju kujtoj se ish-ministri i Drejtësisë, Ilir Rusmali, u dorëhoq nga Berisha pikërisht pas publikimit në media të një tentative për korrupsion nga vëllai i tij. Ka edhe dhjetëra raste të niveleve të tjera qeverisëse, ndoshta të papublikuara nga mediat, ku Berisha ka manifestuar integritet të admirueshëm moral në standardet qeverisëse të tij. Por mendoj se rastet “Pango” e “Rusmali” janë të mjaftueshme për të materializuar këtë virtyt më shumë se politik të Kryeministrit, gjë që duket se i ka rritur dukshëm aksionet e tij elektorale.
Por, për t’u kthyer në fillim të argumentit, është momenti që zoti Berisha të tregojë të njëjtin kujdes si kur heq, edhe kur merr. Fakti që kjo situatë përkon edhe me zgjedhjet në PD dhe zgjedhjet parlamentare, përbën një mundësi që z. Berisha ta rishikojë gradimin e “shoshës” së tij politike. Përzgjedhja me standardet morale e politike që manifeston kur ai “heq” edhe të atyre që “merr” do të ishte zgjidhja më e mirë për parandalimin apo reduktimin e gabimeve që çojnë në skandale të tilla si ato që përmendëm më lart. Gjithsesi, si përfundim, dua të theksoj se z. Berisha ose më mirë, integriteti moral, politik e qytetar i tij, arriti edhe kësaj radhe të minimizojë efektet e skandalit të një prej të “përzgjedhurve” të tij, duke rinxjerrë në pah diferencën e dukshme në këtë aspekt me rivalët dhe kundërshtarët e tij politikë.