DIPLOMACIA ZYRTARE DHE JOZYRTARE
Nga Teki DËRVISHI
Marrëdhëniet diplomatike vihen në bazë të reciprocitetit të njohjes së shteteve mes tyre. Pa këtë tip njohjesh, nuk ka marrëdhënie diplomatike. Pse kritikët e diplomacisë zyrtare të Kosovës, shtiren thuajse nuk e kuptojnë një fakt të thjeshtë: nuk mund të ngrihet niveli zyrtar diplomatik me shtetet (dhe organizatat ndërkombëtare), të cilat nuk e pranojnë shtetin e Kosovës. Nuk duan ato, e jo Kosova. Nëse një shtet nuk e pranon shtetin tjetër, këto dy shtete nuk mund të kenë marrëdhënie diplomatike që do të konsideroheshin zyrtare. Të kërkosh marrëdhënie me ato shtete dhe organizata të cilat nuk të pranojnë zyrtarisht, do të thotë të këmbëngulësh në varshmëri e jo në pavarësi.
Çdo vend ka logjistikën dhe diplomacinë e tij jozyrtare. Kjo është plotësisht e lejueshme, por si ta kritikosh diplomacinë zyrtare pse nuk “ia del më shumë” sesa zyrtarisht që është në pozicion ad acta. Jashtë lidhjeve zyrtare shtetërore, çdo përpjekje tjetër është “miqësi” në politikë, është diplomaci e odës: “Sha’ zotën, po përpiqemi, po nuk po na pranojnë!” Jo, sha’ zotën, nuk po përpiqeni, se do të na kishin pranuar! Në kësi niveli debatojnë kritikë të diplomacisë zyrtare të Kosovës. Që të na njohin ato shtete që kanë votë (dhe veto) në KS dhe satelitët e tyre influentë nëpër botë, nuk na ndihmon shkathtësia e individit, për shkak se njohjet nuk arrihen përjashta kritereve të vendosura politike strategjike të secilit shtet veç e veç. Diplomacia jep argumente të reciprocitetit vetëm aty ku dy palët e pranojnë partneritetin politik. Zotësia dhe miqësia e individit mund të jetë superiore, por nuk ekziston vendosje përjashta zyrtaritetit shtetëror.
Kosova mban marrëdhënie vetëm me ato shtete që duke e njohur pavarësinë e Kosovës, në mënyrë normale, protokollare, zyrtare e kanë pranuar pavarësinë e saj, si SHBA-të etj. Kjo duhet të na mjaftojë. Pra, jo vetëm diplomacia zyrtare e Kosovës, por edhe ajo jozyrtare do të duhej që të insistonte të ndërpriteshin marrëdhëniet diplomatike me organizata dhe shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, sepse në asnjë variant procedural në këso relacionesh politike ndërkombëtare, Kosova nuk do të pranohet në OKB. Anëtarësimi në këtë “elefant të distroifuar” nuk i ndihmon asgjë pavarësisë së Kosovës, së paku në konstelacionet politike që ekzistojnë sot brenda kësaj organizate të dështuar. Jo pse Kosova nuk do të duhej të insistonte të pranohej nga shtete e organizata botërore që nuk e pranojnë, por ato shtete dhe organizata që nuk e pranojnë, shfrytëzojnë marrëdhëniet “diplomatike” jozyrtare (jokushtetuese) me Kosovën, vetëm për ta shkelur sovranitetin e shtetit të Kosovës, duke mos e pranuar si shtet sovran. Në këso marrëdhëniesh nuk funksionon diplomacia e një shteti, sepse nuk e ka instrumentin e sovranitetit në marrëdhënie, nuk i pranohet zyrtarisht “marrëdhënia”.
Marrëdhëniet me shtete (ose organizata) që e shkelin sovranitetin e një shteti, nuk janë asgjë tjetër pos instrument për okupim klasik të atij shteti që mban marrëdhënie diplomatike me refuzuesin e tij. Marrëdhënie diplomatike (pranime të shtetit) nuk mund të konsiderohen shkeljet e pavarësisë së një shteti nga shtetet dhe organizatat e tjera botërore. Diplomacia në tabanin shkencor bën refuzime diplomatike kundër okupatorëve dhe nuk bashkëpunon me ta në emër të “marrëdhënieve diplomatike” jozyrtare për të arritur “njohje” të mundshme në të ardhmen. Nga okupatori dhe aleatët e tij botërorë nuk mund të kërkosh njohje.