E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për dy javë Sudani i Jugut do të shpallë pavarësinë

Në shtetin e 54 të Afrikës po punohet me zell. Për dy javë, ditën e shpalljes së pavarësisë mauzoleu për John-Garang-un, heroin kombëtar të Sudanit te Jugut duhet të jetë gati.

Koha vrapon dhe thuajse askush nuk e beson se aeroporti i ri i vendit do të jetë gati sipas planit. Ministri i Jashtëm gjerman  Guido Westerwelle thekson se ngritja e një shteti nuk është punë e lehtë: “Ne e dimë se shpallja e pavarësisë nuk do të thotë edhe se shteti është ngritur dhe se problemet janë mënjanuar. Me këtë puna nuk përfundon, por fillon."

Dhe punë ka shumë, shndërrimi i atyre që luftuan për lirinë në ndërtues të shtetit është e vështirë. Thuajse të gjithë anëtarët e qeverisë së ardhshme janë ish-ushtarë, rebelët i kanë ndërruar uniformat ushtarake me këmisha dhe kravata. Presidenti Salva Kiir thotë se vendi ka nevojë për shumë ndihma. Ministri gjerman premton ndihma: “Themelimi i shtetit është një proces historik por edhe praktik. Si organizohet p.sh. pushteti  dhe rendi, siguria e brendshme, ajo e jashtme, ndërtimi i infrastrukturës, i administratës dhe i qeverisjes së mirë - apo p.sh. procesi i kushtetutës.“

Po jugu i Sudanit ka edhe më tepër probleme. Konflikte ushtarake me veriun e vendit, sepse të dy palët synojnë ta shtrijnë sa më tepër ndikimin e tyre. Probleme ka në lidhje me vendosjen e kufijve, të ardhurave prej naftës dhe borxhet e vjetra, raporton DW-ja. Qeveria në Kartum nuk e lejon qarkullimin e lirë të mallrave dhe të njerëzve. Kjo është fatale për shtetin e ri në jug të vendit, ngaqë thuajse gjithçka duhet të importohet sepse në vend thuajse nuk prodhohet asgjë.

Një problem tjetër janë konfliktet e shumta etnike në këtë shtet multietnik. Ata që punojnë në sektorin e ndihmave për zhvillimin flasin për banda të armatosura dhe fshatra të tërë që sulmojnë njëri-tjetrin. Edhe në këtë drejtim ministri Westerwelle premtoi ndihmë, kuptohet pasi të jetë sqaruar nëse është fjala për konflikte ndëretnike me motive politike apo kriminalitet të zakonshëm.

Vëzhguesit mendojnë se procesi i krijimit të shtetit në jug të Sudanit do të jetë i komplikuar dhe përgatitjet për këtë janë të pakta. Demokracia ka nevojë për kohë deklaron presidenti Kiir – një deklaratë që për shkak të dykuptimësisë së saj nuk u pëlqen të gjithëve./Start/
 

                                                                                             2011-06-27 12:45
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›