E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për dy javë, mbi 200 të arrestuar

Nga Express më 16 janar 2011 në ora 21:02

Vjedhjet dhe grabitjet në Kosovë janë duke u shtuar në masë të madhe, ku vetëm gjatë këtij fillimviti policia ka arrestuar një numër të madh personash të dyshuar. Zyrtarët policorë thonë se qytetarët më shumti denoncojnë vjedhje të çantave të dorës dhe kuletave, ndërsa vendet më të shpeshta ku ndodhin këto raste janë tregjet ose rrugët.

Dukuria e vjedhjeve dhe grabitjeve nuk ka të ndalur as në këtë fillimvit, gjë të cilën e dëshmojnë edhe shifrat e Policisë së Kosovës për rastet e shumta të paraqitura nga ana e qytetarëve.

Rasti i fundit i tentim-grabitjes së armatosur sipas zyrtarit për informim të Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, ishte para pak ditësh në një bastore në Prishtinë, ku janë arrestuar tre të rinj. Sadriu ka thënë për Kosovapress se suksesi i policisë në luftimin e këtyre dukurive nuk është duke munguar.

“Kur e kemi fjalën te rastet e vjedhjeve dhe rastet e plaçkitjeve mund të them se nuk ka munguar suksesi i policisë në kapjen e personave të dyshuar lidhur me kryerjen e këtyre veprave. Në këto raste ka pasur edhe kapje ne flagrancë persona të cilët kanë qenë duke kryer këto vepra penale”, ka thënë Sadriu.

Gjatë vjedhjeve dhe grabitjeve kryesisht hajnat marrin para dhe gjësende të ndryshme dhe zakonisht ata një gjë të tillë e bëjnë në kërcënimin e armëve, sikurse ishte rasti i fundit në një restorant në Komoran të Drenasit ku tre persona të armatosur dhe me maska kanë grabitur të holla dhe telefona mobil.

“Vetëm prej fillimit të vitit e deri më sot janë arrestuar mbi 200 persona për vepra të ndryshme penale dhe të gjithë këta persona janë ndaluar me urdhër të prokurorëve përkatës, varësisht prej çfarë niveli të gjykatave ka qenë vepra e kryer penale. Në këtë numër janë përfshirë edhe shumë persona të cilët dyshohet se kanë kryer vepra penale, vjedhje dhe plaçkitje”, ka thënë Sadriu.

Sipas tij, në Policinë e Kosovës qytetarët më shumti denoncojnë vjedhje të çantave të dorës si dhe kuletave, ndërsa vendet më të shpeshta ku ndodhin këto raste janë tregjet ose rrugët.

Nga ana e tyre, qytetarët shprehen kryesisht të kënaqur me punën e deritanishme të policisë lidhur me kapjen e personave të dyshuar për vjedhje dhe grabitje.

Një qytetar, i cili nuk ka dashur që të prezantohet, ka thënë se nëse Policia e Kosovës do të kishte më shumë kompetenca atëherë sipas tij do ta kryente punën më mirë.

“Aq sa ju kanë dhënë hapësirë ndërkombëtarët aq edhe po veprojnë. Shumë kompetenca i kanë ndërkombëtarët. Siguria nuk është e keqe, mundet me qenë edhe më mirë. Policia është duke u munduar të punojë, mirëpo janë disa rrethana tjera, që nuk mund me marrë edhe më shumë”, ka thënë ky qytetarë.

Por, ka edhe të atillë që thonë se policia nuk po tregohet efikase kundër vjedhjeve dhe se sipas tyre, fajtorë janë gjykatat, të cilat nuk “ua japin hakun” e merituar të gjithë atyre personave që kapen duke vjedhur ose grabitur.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›