E Diel, 1 Nëntor 2026

Për gjithë jetën burrë e grua

Gjergj Meta

Fjalët që një burrë dhe një grua i drejtojnë njëri-tjetrit, kur martohen në Kishën Katolike: "Unë po të marr ty për gruan/burrin tim dhe premtoj se do ta ruaj besnikërinë në të mira e në të vështira, në shëndet të mirë e në sëmundje, se do të të dua dhe do të të nderoj në të gjithë ditët e jetës time". Po t'i shohësh me kujdes nuk ka ngjyrim "fetar" në këto fjalë. Martesa ndërmjet burrit dhe gruas është institucioni natyror par exellence, të cilin e kanë gjetur si krishterimi, ashtu dhe religjione të tjera, apo rende të tjera politike e shoqërore. Lidhja ndërmjet burrit dhe gruas në martesë është natyrore dhe e lashtë sa vetë krijimi, pasi në të gjitha religjionet monoteiste, së paku krishtërimi dhe islami, njeriu krijohet burrë e grua për lidhjen martesore. Gjithashtu, pjesa më e madhe e sistemeve juridike, me shumë pak përjashtime, pranojnë vetëm këtë lidhje si martesë. Martesa është e shkruar në kodin gjenetik të një burri dhe të një gruaje.
Fjalët e mësipërme janë fjalët e të ashtuqujturit pëlqim (consensus), i cili në gjuhën juridike përkufizohet si një akt/veprim i vullnetit, me anë të të cilit një burrë dhe një grua, nëpërmjet një pakti të pakthyeshëm, i dorëzojnë veten njëri-tjetrit dhe pranojnë njëri-tjetrin për të ndërtuar martesën përgjithmonë. është kjo martesë që i jep zanafillën familjes, e cila më pas zgjerohet me fëmijët. Sikurse u tha më lart, duke qenë natyrore martesa edhe pëlqimi i palëve mbështetet mbi vetitë e njeriut, të cilat janë vullneti dhe arsyeja. Ndjenjat dhe emocionet në një lidhje të tillë vijnë nga pas. Ato mund të jenë shkëndija që ndezin një bocet-projekt brenda një çifti, por kurrsesi përcaktuese deri në fund për vetë natyrën e tyre të luhatshme.
Të ulemi gjithsesi në tokë. Vera është stinë e bukur edhe për faktin se shumë çifte vendosin të kurorëzojnë lidhjen e tyre në martesë pikërisht në këtë stinë. Rrugët janë të mbushura, sidomos të dielave, me makina të zbukuruara nusesh e vargje të mëdha që i ndjekin nga pas. Mjafton të vëzhgosh pak. Kjo gjë është bukur, sepse jeta është e tillë, është e bukur. E martesa ndërmjet një burri dhe një gruaje, që themelon familjen, është burimi kryesor dhe më natyror i jetës. Nuk mund të them me saktësi se çfarë cilësie kanë këto martesa, por një gjë shihet: njerëzit martohen, çka do të thotë se ende shqiptarët e duan jetën dhe duan t'i gëzohen asaj. Kështu garantohet e mira e bashkëshortëve, të cilët në lidhjen për gjithë jetën gjejnë të mirën e tyre dhe e kërkojnë atë çdo ditë, që prej kur lind dielli e deri kur perëndon. Po ashtu garantohet vijimësia e gjinisë njerëzore, nëpërmjet lindjes dhe edukimit të fëmijëve.
Ka sigurisht edhe shumë gjëra që mund të thuhen për të lartësuar martesën, duke qenë se këto kohët e fundit më shumë flitet për atë çka martesa nuk është dhe nuk mund të jetë, se sa për çka martesa është. Ka shumë gjëra në këto kohë që jetojmë, të cilat e minojnë martesën në themel e për rrjedhojë edhe familjen. Krimi në familje ka zënë këto ditë faqet e para të gazetave. Barazimi ndërmjet martesës heteroseksuale dhe asaj homoseksuale është rrezik tjetër i madh që i kanoset institucionit të martesës. Divorci po ashtu është mjaft i përhapur në shoqërinë shqiptare dhe duket si alternativa më e mirë për një martesë të padurueshme.
Le të ndalemi paksa te divorci. Më shumë se plagë, divorci po kthehet në luks. Rruga drejt gjykatës për të zhbërë një martesë, e cila duket se ka përfunduar, në pjesën më të madhe të rasteve ka në themel të kërkesës jo pamundësinë për të jetuar bashkë, por vështirësinë për të përballuar problemin që ka dalë. Seancat pajtimore janë vetëm procedurë (pra nuk kanë asgjë substantive) dhe nuk mund të jenë më shumë. Puna pajtimore duhet të jetë vullnet i përbashkët, kuptim i thellë i misterit që fshihet pas një lidhjeje martesore, i të mirës së fëmijëve që kanë ardhur nga kjo lidhje, rivlerësim i çastit kur dy personat i kanë thënë po njëri-tjetrit.
Njeriu është i aftë për vendime përfundimtare dhe për gjithë jetën dhe pëlqimi në martesë është një nga këto vendime që gëzojnë përhershmërinë, pavarësisht nga rrethanat. Divorci në shumicën dërrmuese të rasteve është pikërisht shtegu më i shkurtër për t'u dorëzuar përballë vështirësive dhe për të "zgjidhur problemin" që quhet martesë. Gjithashtu për divorcin ka një institucion dhe kjo është gjykata, por për ruajtjen e martesës nuk ka një të tillë. Nuk ekziston një palë e tretë, një avokat i martesës (gjë që është në gjykatat e Kishës Katolike). Kjo do të thotë se lehtësohet shumë procedura divorcuese, me një kombinim ligjesh dhe në pak seanca. Kur vjen puna për tutelimin e familjes, të unitetit dhe unicitetit të saj, atëherë nuk ka as OJQ e as institucione të financuara nga shtetet apo nga organizmat ndërkombëtarë që të punojnë në këtë drejtim. Në Shqipëri gjen OJQ dhe OJF të mbështetura dhe të financuara nga organizma ndërkombëtarë dhe kombëtarë që mbështesin të drejtën për abort, të drejtën për t'u martuar ndërmjet dy homoseksualëve etj., por të tilla që mbrojnë familjen, jetën, jo. Falë Zotit, dhe natyrës që ai ka krijuar, martesa ndërmjet një burri dhe një gruaje është përherë aktuale dhe e kërkueshme nga njeriu, por mbështetja njerëzore është vendimtare në shumë raste, pasi njeriut i është dhënë mundësia të ndërtojë e të rindërtojë edhe pas rrëzimesh të njëpasnjëshme.
Krimi në familje kthehet shpesh në një zgjidhje alternative (ekstreme sigurisht) ndaj divorcit. Atëherë divorci është e keqja më e vogël, do thotë ndonjë divorcist. Jo! Janë thjesht dy të këqija të ndryshme, por as divorci e aq më pak krimi, nuk zgjidhin problemin që qëndron në themel: dobësimi dhe mostutelimi i realitetit të familjes së themeluar mbi martesën ndërmjet një burri dhe një gruaje. Krimi në familje e divorcet e shumta ndoshta po shkurajojnë shumë të rinj që t'i përkushtohen martesës, por nuk duhet të trembet askush. Një lis që bie, nuk mund të jetë gjithë pylli. T'i gëzohemi stinës së verës dhe kush vendos të kurorëzojë jetën me bashkëshortin apo bashkëshorten, t'i gëzohet asaj kurore për gjithë jetën. Një shprehje latine thotë amor omnia vincit (dashuria fiton mbi gjithçka).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›