E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për hakmarrje, qëllohet me armë 40-vjeçari

KORÇE - Qëllon me dy plumba 40-vjeçarin për të marrë hak për djalin e vrarë 10 vite më parë. 

 Nexhip Beqari, 79 vjeç, banor i fshatit Symiz ka plagosur rëndë Aleko Makollarin në qafë dhe në shpatull. Ndërsa Makollari është dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore në spital, i moshuari është arrestuar pa rezistencë nga policia. Ngjarja ka ndodhur në orën 14:15 të ditës së djeshme në një lokal përballë Konsullatës së Përgjithshme Greke në Korçë. Viktima Makollari ishte ulur me disa shokë në lokal në pritje për të marrë vizën për të cilën kishte aplikuar pak ditë më parë në konsullatë. Befasisht është shfaqur Beqari. Qetësisht i është afruar tavolinës dhe pasi ka nxjerrë nga xhepi një pistoletë ka hapur zjarr drejt tij. Plumbat e dalë kanë kapur në qafë dhe në shpatull Makollarin, duke e bërë që të shembej përtokë i gjakosur. Ndërsa njerëzit janë larguar të alarmuar nga lokali Beqari është ulur dhe nuk ka tentuar të largohej. Pas mbërritjes së policisë i plagosuri është dërguar me urgjencë në spitalin e qytetit të Korçës, ndërsa atentatori është arrestuar për akuzat e "vrasjes së mbetur në tentative" dhe të "armëmbajtjes pa leje". Mësohet se 10 vite më parë Makollari kishte plagosur me pasojë vdekjen djalin e Beqarit. Për këtë vepër penale ai ishte dënuar nga drejtësia me tetë vjet heqje lirie dhe vetëm 6 muaj më parë kishte lënë qelinë. Por edhe pse e kishte përfunduar dënimin dje ai ka rënë pre e hakmarrjes së të atit të viktimës së tij.   j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›