E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga inxhinierit të Velipojës,kërkoi para për të lejuar lokalin

SHKODER - Pranga inxhinierit të Urbanistikës në Velipojë nën akuzën e korrupsionit. 

Burime zyrtare të policisë së Shkodrës pohuan dje, se mbrëmjen e së hënës u bë arrestimi në flagrancë Lekë Markut, ndërsa po merrte një shumë parash në këmbim të lejes së ndërtimit të një objekti në plazh. Aksioni i ndalimit është kryer në ambientet e një hoteli, në momentin kur Marku po i merret një shtetasi sasinë prej 25 mijë lekësh. Sipas sektorit të antikrimit ekonomik në policinë e Shkodrës, i arrestuari me profesion inxhinier në Drejtorinë e Urbanistikës në Komunën e Velipojës u ka kërkuar shtetasve të ndryshëm, që të paguajnë një sasi të caktuara të hollash në mënyrë që ata të fitonin të drejtën e marrjes së lejes për ushtrim të aktivitetit privat në këtë zonë. Por kanë qenë vetë tregtarët, të cilët e kanë denoncuar një fakt të tillë, duke vënë në lëvizje strukturat e antikrimit ekonomik, si dhe Prokurorinë e Rrethit të Shkodrës. Krahas shumës prej 25 mijë lekësh, Markut i janë gjetur dhe sekuestruar edhe 500 mijë lekë si dhe 200 euro. Gjithashtu, policia ka bërë edhe sekuestrimin e automjetit të tij fuoristradë "Mitsubishi" me targa italiane. Mësohet se një qytetar bëri denoncim në polici, pasi sipas tij, Marku i kishte kërkuar një shumë parash për të ndërtuar një lokal në plazhin e Velipojës. Gjatë marrjes në pyetje, vetë inxhinieri, nip i kryekomunarit të Velipojës, e ka mohuar të ketë marrë para për ryshfet. Sipas tij, personi i kishte borxh këto para dhe po ia kthente. Ai e ka cilësuar arrestimin si kurth i përgatitur në formë hakmarrjeje për prishjen e ndërtimeve të fundit në plazhin e Velipojës. "Pas prishjes së këtyre ndërtimeve, kemi pasur disa herë kërcënime ndaj dhe rasti fundit është hakmarrje për prishjen e interesave të pronarëve", akuzoi Marku. Kjo çështje mësohet se do t'i kalojë për shqyrtim Prokurorisë së Përgjithshme, përderisa bëhet fjalë për një zonë turistike, me shumë probleme. Dy vjet më parë nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe tjetërsimit të pronave në komunë u arrestua kryekomunari i Velipojës, Dedë Kaçi bashkë me kreun e AKKP-së, Andi Gurashi, si dhe me shefin e kadastrës në Qarkun e Shkodrës, Fatmir Tepelia, por ky i fundit u shpall i pafajshëm më vonë.                                        r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›