E Diel, 1 Nëntor 2026

Pi helm gjimnazistja, e la i dashuri

Depresioni pas ndarjes nga i dashuri i ka kushtuar jetën një vajze 16 vjeçe nga Berati. 

BERAT/ DILAVER XHELILI

 Nxënësja e vitit të dytë në gjimnazin e këtij qyteti, Hanife Haxhillari, i ka dhënë fund jetës duke pirë një sasi të madhe fostoksine. Lajmi ka tronditur lagjen “Uznovë” të këtij qyteti, ku viktima njihej si një vajzë e shkëlqyer. Bashkëmoshatarët e saj të klasës janë tronditur thellë nga ky lajm. Ata kishin vënë re prej ditësh se Haxhillari ishte mbyllur në vetvete dhe gjendja e saj psikologjike ishte rënduar. Me shoqet më të ngushta të saj, 16-vjeçarja ishte hapur për problemin që e mundonte. Ishte ndarë nga i dashuri dhe gjendja ishte bërë e padurueshme për të. “Nënë më ndihmo, kam pirë helm”. Vetëm këto fjalë ka arritur t’i thotë adoleshentja së ëmës dy net më parë, rreth orës 20:00, pasi kishte konsumuar sasinë vdekjeprurëse në dhomën e saj. Pyetjet alarmante të së ëmës kanë mbetur pa përgjigje. Vajza vetëm nxirrte shkumë nga goja teksa jepte shpirt. Bashkë me djalin më të vogël, nëna e saj e ka transportuar drejt urgjencës së Beratit. Por vetëm pak minuta pas mbërritjes ajo ka ndërruar jetë. Policia e sinjalizuar për ngjarjen ka shkuar në spital, ndërsa mjekësia ligjore pasi bëri ekspertizën përkatëse nxorri konkluzionin se adoleshentja kishte pirë fostoksinë. Policia tha se, është duke hetuar shkakun që mund ta ketë çuar 16-vjeçaren në këtë veprim fatal për jetën e saj. Dyshimet paraprake, bazuar edhe në deponimet e të njohurve të viktimës bëjnë fjalë për ndarjen e saj nga i dashuri. Nëna e adoleshentes ka pohuar në polici se, nuk ishte në dijeni nëse vajza e saj kishte qenë e dashuruar me ndonjë djalë. Ajo ka ngritur supet për shkakun që mund ta ketë detyruar të bijën të shkonte gjer në vetëflijim. Mësohet se 16-vjeçarja jetonte vetëm me të ëmën dhe vëllain më të vogël. Ndërsa babai i saj ishte emigrant ekonomik në Greqi, duke siguruar të ardhurat për familjet. Sipas policisë, nuk ka dyshime të forta në faktin se motiv i kësaj ngjarjeje mund të kenë qenë shkaqet ekonomike. Kjo për faktin se babai u dërgonte para herë pas here fëmijëve të tij. Komshinjtë e viktimës pohojnë se ajo ishte një vajzë shumë inteligjente dhe me nota të mira në shkollë. Vetëm pak kohë më parë ajo kishte arritur të botonte edhe një libër, duke arritur të përfitojë një “bonus” të mirë në sytë e mësuesve të saj, por edhe një respekt të shfaqur në mënyrë joverbale nga ana e bashkëmoshatarëve të saj. Vetëm pak orë më parë kësaj ngjarjeje, një 34-vjeçare, nëna e dy fëmijëve erdhi në gjendje të rëndë në spital pasi ishte vetëhelmuar, ndërsa shkak dyshohet të jetë depresioni.

Elbasan, tre vetëhelmime

ELBASAN - Brenda katër orësh, në spitalin e Elbasanit janë paraqitur në gjendje të rëndë për jetën tri vajza, të cilat ishin vetëhelmuar. M.Troka, 22 vjeçe ndodhet në reanimacion pasi kishte pirë helm në tentativë për t’i dhënë fund jetës. Po dje, ka mbërritur në spital 18-vjeçarja N. Haka. Burime spitalore thanë se, adoleshentja është në rrezik për jetën dhe se ka konsumuar fostoksinë. Ndërsa rasti i tretë është paraqitur pak orë më pas. M. Asllani, 32 vjeçe ka pirë helm të llojit rogor. Mjekët thanë se, gjendja e të tri vajzave është në rrezik. Mësohet se viktimat janë nga fshatrat e Elbasanit, ndërsa motiv i këtyre ngjarjeve dyshohet të jetë depresioni.            a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›