E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet i kërkuari për shkelje të rregullave të qarkullimit, ishte dënuar me 8 muaj burg



DURRËS – Një 27- vjeçar u arrestua nga policia, pasi ishte i kërkuar për të kryer burgun e dhënë nga gjykata për shkelje të rregullave të Qarkullimit Rrugor. Burime nga uniformat blu thanë për gazetën se më 25 korrik 2008, ora 17:00, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak bënë të mundur kapjen e personit të kërkuar, Uran Zyka 27 vjeç, lindur e banues në Sukth Durrës, me arsim 8 klasë, i dënuar më parë për mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake dhe heqje të paligjshme të lirisë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë më 24 qershor 2008 pasi Gjykata e Apelit Tiranë, me vendim të datës 23 maj 2008, e ka dënuar me 8 muaj burg për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe drejtimit të automjetit në gjendje të dehur. Uran Zyka iu dorëzua për veprime të mëtejshme Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë.

Prangoset, vodhi 20 mijë lekë në një banesë

DURRËS – Ndalohet i riu pasi dyshohet se i vodhi në shtëpi një shtetasi 20 mijë lekë. Burimet nga policia thanë për gazetën se më 25 korrik 2008, ora 23:00, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Ranald Llani, 26 –vjeç, lindur e banues në lagjen Nr. 3 Durrës, i dënuar dy herë më parë për vjedhje. Arrestimi i këtij shtetasi u bë për arsye se më date 25 korrik 2008, rreth orës 16:30, në lagjen Nr. 3 Durrës, në bashkëpunim edhe me një person ende të paidentifikuar, dyshohet se i kanë vjedhur me dhunë shtetasit A. M., 44 – vjeç, banues në lagjen Nr. 2 Durrës, shumën prej 20 000 lekë. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit në këtë ngjarje. Materialet për veprën penale të vjedhje me dhunë të kryer në bashkëpunim iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.

28 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›