Kaloi pa paguar doganën e makinës, prangoset
DURRËS – Një kosovar nuk ka dashur t’ia dijë për doganën e Durrësit, teksa ka kaluar forcërisht një makinë pa zhdoganuar. Autoritetet doganore kanë njoftuar forcat e rendit të cilat po punojnë për kapjen e tij. Burimet policore thanë për gazetën se më 25 korrik 2008 filloi procedimi penal në mungesë në ngarkim të shtetasit Shkëlzen Krasniqi, vitlindja 1976, lindur në Pejë Kosovë e banues në Angli. Procedimi penal në ngarkim të tij filloi për arsye se më datë 24 korrik 2008, rreth orës 13:00, ka kaluar forcërisht kontrabandë nëpërmjet Doganës Durrës një autoveturë tip Bens me targa Ë 254 NLA. Policia po punon për kapjen e shtetasit Shkëlzen Krasniqi. Materialet për veprën penale të kontrabandës me mallra të tjerë iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.
Arrestohen dy të rinj të shpallur në kërkim për “vjedhje”
ELBASAN – Ishin në kërkim për vjedhje, ndalohen nga policia. Burimet thanë se shtetasit Gëzim Bedeli, 22 vjeç, si dhe Aldo Qosja, 20 vjeç, që të dy lindur e banues në fshatin Tregan të rrethit të Elbasanit, kanë qenë persona të shpallur në kërkim pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë shkatërruar rrjetin e ujësjellësit të Komunës Tregan, duke marrë edhe 15 metër tub çeliku “FI” 100. Dy të rinjtë ndodhen në dhomat e paraburgimit të komisariatit të policisë së Elbasanit në pritje të hetimit për veprën penale “ Vjedhje” dhe “Shkatërrim prone”.
28 Korrik 2008