E Diel, 1 Nëntor 2026

Protestë e gazetës TemA

SHTYPI DHE QEVERIA

Kryeministri Sali Berisha, vendosi dy ditë më parë që të rrethojë me policë ambientet ku është e vendosur gazeta “TemA”, për ta detyruar që të largohet prej tyre, edhe pse ambientet janë marrë përmes një kontrate koncesionare 20-vjeçare, fituar në mënyrë të rregullt, dhe zbatuar në mënyrë strikte, duke realizuar investime në mjedise dhe makineri. Këshilli i Ministrave ka vendosur të shpallë objekt të rëndësisë së veçantë Tipografinë Ushtarake, ku ndodhen dhe ambientet e shoqërisë “Mediasoft” që boton gazetën “TemA”.

Por, një ditë më parë, ministri i Ekonomisë dhe Privatizimeve ka vendosur të prishë në mënyrë të njëanshme kontratën me kompaninë “Mediasoft”, për t’i paraprirë këtij vendimi qeveritar.

Vendimi është marrë në mënyrë të njëanshme, pa i bërë asnjë njoftim kompanisë.

Vendimi me sfond politik, synon goditjen e gazetës “TemA” për qëndrimet e saj. Kjo, për shkak se, në këto ambiente janë të vendosura katër kompani të ndryshme, “Sagem”, shtypshkronja e letrave me vlerë, Tipografia Ushtarake dhe shoqëria “Mediasoft”. Ajo që është për t’u theksuar është se shoqëria dhe ambientet e gazetës “TemA” nuk kanë aspak lidhje fizike me vendin ku do bëhen dokumentet e identifikimit. Dokumentet e identifikimit mund të jenë të rrezikuara nga gazeta “TemA”, po aq sa janë të rrezikuara nga kafenetë e Porcelanit serviset e makinave apo dhe magazinat tregtare rreth e qark saj.

Për të sqaruar opinionin publik, gazeta “TemA” bën me dije se ambientet e saj dhe të shoqërisë “Mediasoft” janë të vendosura në mjediset e Tipografisë Ushtarake, e cila ka 9 mijë metra katrorë. Shoqëria “Mediasoft” ka 645 metra dhe të veçuara nga ndërtesa e madhe.

Vetë qeveria e ka rrëzuar këtë justifikim, kur ka vendosur sivjet, në nëntor, që këtu të instalohet dhe një tjetër shtypshkronjë, ajo e letrave me vlerë.

Vendimi i qeverisë hyn menjëherë në fuqi dhe më pas do të botohet në Fletoren Zyrtare. Ndërkohë, gazeta “TemA” ka angazhuar një studio ligjore që të hedhë poshtë pretendimin për prishje të njëanshme të kontratës për interes publik, pasi rrezikohet siguria e një prej kompanive që punojnë aty.

Kjo goditje ishte e mirëplanifikuar për të dëmtuar gazetën “TemA”, pasi dy makineritë e shtypit të montuara aty duan së paku 6 muaj të lëvizin nga ky vend dhe kërkojnë supershpenzime të tjera për montim dhe çmontim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›