Për një Shqipëri pa dhunë
“Kam kënaqësinë t’ju uroj përzemërsisht mirëseardhjen e në mënyrë të veçantë fëmijëve. Ju faleminderit që keni ardhur për t’u bërë pjesë dhe për ta pasuruar me hovin e moshës, më dëlirësinë e shpirtit tuaj fushatën tonë kundër dhunës në familje! Unë jam e ndërgjegjshme që është e rëndë për çdo fëmijë përballja me format e dhunës, siç jam po kaq e ndërgjegjshme se, fatkeqësisht ajo ekziston, larg kamerave ose përballë tyre; herë e mbyllur në hapësirat tona familjare, të cilat shndërrohen në hapësira të dhunës, kur babai dhunon nënën, e nëna e dhunuar i transmeton fëmijës vizionin e saj tradicional për jetën: “Vuajtjen në heshtje”… Herë në rrugë, ku një prind përbindësh detyron fëmijën të lypë e të braktisë shkollën. Herë në ambientet shkollore, ku mësuesi i pamerituar rreh ose fyen një nxënës apo kur një shok godet një shoqe e ndoshta edhe më keq se kaq. Për të mos qenë një dëshmitare e heshtur e gjithë kësaj dhimbjeje, krahas të gjitha detyrimeve që me njeh qenia si deputete e kryeparlamentare për të bërë ligje që e ndalojnë këtë dhunë, që prej një viti jam angazhuar në mobilizimin e opinionit publik, duke e shndërruar këtë temë në një prioritet politik të axhendës sime. Kam shkuar në Korçë, Vlorë, Berat, Gjirokastër, Elbasan, Fier, ku kam ftuar të gjitha gratë të mos pranojnë dhunën me heshtje, sepse kështu ajo vret sërish. Kam ftuar gratë të reagojnë ndaj saj. Kam inkurajuar që strukturat e ngritura me bazë ligjin kundër dhunës në familje të jenë të mobilizuara për të dënuar dhunuesit. E shifrat në një analizë njëvjeçare flasin se ato po reagojnë, 612 gra denoncuan dhunuesit e tyre këtë vit pranë organeve kompetente gjë që s’kishte ndodhur kurrë më parë…
Të dashur fëmijë,
Kjo ishte faza e parë e një iniciative ndërgjegjësuese kundër dhunës. Sot ju kam ftuar këtu, që së bashku të nisim një tjetër fazë të saj, jo thjesht atë të mospranimit të dhunës me heshtje, por të edukimit të një shoqërie pa dhunë, të ndërtimit të një bote në të cilën të gjithë fëmijët mund të jetojnë në siguri dhe me dinjitet me prindërit, mësuesit e shokët e tyre. Edukimi është në zemër të ndërtimit të paqes. Edukimi për paqen, të drejtat e njeriut, demokracinë ndihmon në formimin e fëmijëve e të rinjve me sjellje të orientuara nga dialogu e jo dhuna, ndihmon në rritje të brezave me vlerat e tolerancës, hapjes ndaj tjetrit, ndarjes së mendimeve në mënyrë paqësore. Unë do të ftoja çdo shqiptar të vëmë një tullë në murin e formimit të një kulture të jodhunës në përfitim të fëmijëve tanë. Dhuna nuk duhet të jetë më pjesë e mendësisë sonë, e sjelljes sonë. Qytetërimet konsolidohen duke reduktuar dhunën. Në rrugëtimin tonë drejt përsosjes së demokracisë, cilido nga ne, në cilindo pozicion që jemi, duhet të kontribuojmë për të edukuar jodhunën, edukimi kundër saj, nis nga edukimi pa dhunë. Vetëm ideologjitë antidemokratike justifikojnë dhunën.
Nga kjo sallë dua t’u dërgoj një mesazh të gjithë prindërve. Ne vijmë nga një e djeshme ku dhuna sundonte njeriun dhe hapësirën. Kjo është eksperienca negative që përjetuam. Unë e di që dëshira e secilit prej nesh është që fëmijët tanë të rriten ndryshe, por ju ftoj që në betejën tuaj për të përmirësuar kushtet e jetesës për fëmijët tuaj, gjë që sigurisht nuk është gjithmonë e lehtë, të mos përdorim dhunën. Asgjë nuk e justifikon dhunën, e aq më tepër, atë kundrejt fëmijëve. Ajo është e pajustifikuar dhe e papranueshme në cilindo kusht. Fazat më ekstreme të dhunës ndaj gruas e ndaj fëmijëve; shfrytëzimi i punës, largimi nga shkolla për shkak të gjinisë duhet të ngjallin neveri dhe ne duhet ta ndëshkojmë në mënyrë unanime me një zë të gjithë: “Dhunës Jo!”
Të dashur fëmijë,
Unë ju ftoj juve sot të ndërmerrni një aksion të ri, të bëheni pjesë e një fushate për një Shqipëri pa dhunë. Ta nisim nga gjërat më të thjeshta: të mos shajmë, të mos fyejmë, të mos ngremë dorën, të mos prekim armën. Të respektojmë nënën, ta duam motrën, ta çmojmë shoqen. Gjinia nuk është vlerë, ajo s’të jep prioritet. Dashuri dhe jo dhunë, ky është aksioni ku unë ftoj sot të gjithë të rinjtë, optimizmi i të cilëve tek e nesërmja është më i madh se i çdokujt tjetër. Dhe një e nesërme ku respektohen vlerat e barazisë, demokracisë dhe të jo dhunës, besomëni, është shumë më e bukur. Ju faleminderit!
*Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë. Fjala në seancën e jashtëzakonshme me të rinjtë e kryeqytetit në Ditën Ndërkombëtare Kundër Dhunës.