E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pikësynimi primar i koalicionit, punësimi dhe shërbimet ndaj qytetarit

04-04-2011 / Gazeta 55

Ilir Meta prezanton kandidatin e Aleancës për Qytetarin në Bashkinë e Çorovodës, Nesim Spahiu

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta hapi dje fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme administrative të 8 majit në qarkun e Beratit. Kreu i LSI-së i shoqëruar nga drejtues të partive të koalicionit është ndalur në qytetin e Çorovodës për të prezantuar kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Nasim Spahiu. Takimi është hapur me një minutë heshtje për të nderuar veprën dhe figurën e Kreut të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhit, i cili u ndan dy ditë më parë nga jeta.
Më pas duke përshëndetur të pranishmit kandidati i Koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Nasim Spahiu duke vlerësuar punën dhe mbështetjen të pa ekuivok që po i japin qytetarët e Çorovodës dhe bashkëpunimin shumë të mirë me shtabet elektorale të partive pjesë të këtij koalicioni shprehu optimizmin e madh për fitoren e suksesshme të këtij koalicioni jo vetëm në Çorovodë sikurse u shpreh ai, por në të gjithë Shqipërinë.
“Jam i bindur se me Nesim Spahiun do të bëjmë punë shumë të mëdha për Çorovodën. Jam i bindur, sepse Nesim Spahiu është një njeri me energji të jashtëzakonshme, është një njeri me një përvojë të jashtëzakonshme dhe unë besoj se me zgjedhjen e Nesimit si kryetar të Bashkisë së Çorovodës, shumë punë të vogla dhe të mëdha që do ta ndryshojnë këtë qytet të tërë sepse Nesimi si natyrë është njeri më shumë i veprave, është njeri i punëve, është njeri gjithmonë në lëvizje, është një njeri që nuk kënaqet me atë që arrin por dëshiron të shkojë më tej dhe i vetmi problem është se do më çmendi mua dhe Nasipin me projektet për t’i mbështetur por do të jetë një kënaqësi që ne të gjithë të rendim kudo për të mbështetur projektet e tij që në fakt do të jenë projektet e zhvillimit të të gjithë qytetit të Çorovodës dhe përmirësimit të jetës së gjithë banorëve të Çorovodës. Ndaj unë ju ftoj të gjithëve të votojmë për Nesim Spahiun sepse kështu kemi votuar për një ndryshim të sigurt të Çorovodës, për një përmirësim të vazhdueshëm të jetës së të gjithë këtij komuniteti që nga të rinjtë, gratë e të moshuarit”, u shpreh Meta.
Ai i ftoi qytetarët se duke votuar për Nesim Spahiun kanë votuar për të përmirësuar infrastrukturën e këtij qyteti, si dhe kanë votuar për të hapur vende të reja pune.
“Unë jam i bindur se ne së bashku me Nesimin dhe me Nasipit do ta arrijmë këtë gjë. Duke votuar për Nesimin, të jeni të sigurt se keni votuar për të gjallëruar më tej jo vetëm sportin e futbollit në këtë qytet por edhe aktivitetet e tjera sportive dhe kulturore , pra keni votuar për ta gjallëruar tërësisht jetën e këtij qyteti dhe të këtyre banorëve të mrekullueshëm që meritojnë më shumë mundësi, gëzime dhe prosperitet. Këto janë zgjedhje për qytetarin, këto janë zgjedhje për tu dhënë zgjidhje problemeve të përditshme të qytetarëve, këto nuk janë zgjedhje për të nxitur sherre dhe konflikte politike sikurse përpiqen të tjerët. Këto janë zgjedhje për të pakësuar problemet, hallet dhe shqetësimet që ka çdo komunitet”, deklaroi kreu i LSI-së.
Duke folur për risinë e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Meta tha se “ne vijmë në këto zgjedhje pa dallime bindjesh politike, kemi zgjedhur për t’iu përgjigjur misionit të zgjedhjeve të 8 majit që janë zgjidhjet e problemeve të qytetarëve kur dihet që tashmë kompetencat dhe instrumentet e Pushtetit Vendor janë shumë herë më të mëdha se shumë vite më parë, ndaj jam i bindur se jo vetëm Skrapari por Tirana dhe e gjithë Shqipëria do të votojë “Aleancën për Qytetarin” më 8 maj në mënyrë që politikës konfliktuale t’i jepet një mësim i mirë sepse njerëzit duan alternativa dhe jo sherre për interesa personale”.
Sipas tij, “Aleanca për Qytetarin” e udhëhequr nga Partia Demokratike synon që në 8 maj të sjellë një model edhe më transparent në drejtimin e Njësive Vendore.
“Ndaj të gjitha votat më 8 maj për Nesim Spahiun dhe të gjithë kandidatët e “Aleancës për Qytetarin” në Skrapar dhe në të gjithë Qarkun e Beratit”, deklaroi më tej kreu i LSI-së, Ilir Meta.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›