E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Alternativa e Edi Ramës ka degjeneruar në historitë e baba Qemit”

04-04-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha inauguron rrugën Xhafzotaj-Fllakë-Bregdet, me gjatësi 13 kilometra dhe vlerë 360 milion lekë

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë të dielën paradite, në inaugurimin e rrugës Xhafzotaj-Fllakë-Bregdet, me gjatësi 13 kilometra dhe vlerë 360 milion lekë.
Rruga e ndërtuar sipas standardeve moderne e bashkëkohore, e pajisur me të gjitha parametrat inxhinierike dhe sinjalistikën e duhur, u shërben 20 mijë banorëve të zonës. Kjo rrugë lidh fshatrat Xhafzotaj, Fllakë, Rinia, Jubë, Qerret, Katund i Ri, pjesë të komunës Rrashbull dhe fshatin Shenavlash. Gjithashtu rruga e re lidh aksin e autostradës Durrës-Tiranë me rrugën e vjetër Tiranë-Durrës.
Në përshëndetjen drejtuar banorëve, kryeministri Berisha u shpreh se ky investim i madh dëshmon se inaugurohet një rrugë e parametrave më të mira ndërkombëtare të llojit të vet, nga e cila përfitojnë jo vetëm banorët e zonës, por edhe qindra e mijëra turistë që frekuentojnë këtë zonë.
“Kjo rrugë lidh fshatrat Xhaf Zotaj-Fllakë, Rinia, Jubë, Qerret, Katund i Ri, pjesë të komunës Rrushbull dhe fshatit Shënevlash. Kjo rrugë ju shërben rreth 20 mijë banorëve të kësaj zone, ndërkohë u shërben dhe qindra e mijëra turistëve të cilët frekuentojnë brigjet e kësaj zone. Ky është një prej investimeve që ne kemi bërë në këtë zonë, por ju jeni dëshmitarë se gjatë këtyre viteve në këtë zonë janë asfaltuar, në dy komuna të marra së bashku, 50 km rrugë”, u shpreh kryeministri.
Duke premtuar se infrastruktura do të mbetet prioritet i 4 viteve që vijnë, kryeministri tha se shumë shpejt do të fillojnë investimet prej 400 milion lekësh, në rrugët  e këtij territori, të cilat do të mundësojnë një rrjet rrugor, ndër më modernët në Shqipëri dhe më gjerë. Kështu, kryeministri përmendi ndër prioritetet, ndërtimin e rrugës Kthesa e Sukthit, Fllakë-Shënavlash me gjatësi 10 km dhe vlerë 315 milion lekësh, si dhe rrugën Katund i Ri-Qerret, me gjatësi 6 kilometra dhe vlerë 95 milion lekë.
“Së shpejti është tenderuar dhe fillojnë investimet prej 400 milion lekësh të reja, po në rrugët e këtij territori dhe përfundojmë tërësisht një rrjet rrugor, ndër më modernet në Shqipëri dhe me gjerë. Është tenderuar dhe fillon ndërtimi i rrugës, Kthesa e Sukthit- Fllakë-Shënavlash prej 315 milion lekësh. Po kështu, nga fondi i rajoneve fillon ndërtimi i rrugës Katund i Ri-Qerret. Të dyja këto rrugë,së bashku kanë një gjatësi prej 16 kilometrash. Po në këto komuna, ne kemi ndërtuar 5 shkolla të reja, 7 ambulanca dhe qendra shëndetësore, 12 sisteme ujësjellësi dhe kanalizimesh. Po financojmë dhjetëra e dhjetëra hektarë drurë frutore. Pra ne kemi dhe do te kemi në epiqendër te veprimtarisë sonë, ju të dashur qytetarë të Xhafzotaj, të komunave të tjera përreth dhe të mbarë Shqipërisë”, premtoi kryeministri Berisha.
Shefi i ekzekutivit siguroi drejtuesit lokalë të zonës se do të kenë mbështetjen më të fuqishme të qeverisë për të shndërruar në realitet çdo projekt,i cili paraqet këto komuna njëlloj si komuna të tjera të vendeve të zhvilluara të Evropës.
“Ne, në te gjithë veprimtarinë tone do ti përmbahemi parimit se ju jeni te paret dhe se në përpjekjen tonë do të bëjmë gjithçka që kudo që ju jetoni të keni kushte plotësisht të krahasueshme, për sa i përket infrastrukturës me qytetet dhe lagjet e tyre. Unë dua tu garantoj se sikundër kemi mbështetur fuqishëm projektet infrastrukturore ne këto zona dhe në mbare Shqipërinë, 4 vitet që vijnë do të jene vitet e finalizimit të plotë të infrastrukturës më moderne ne komunat tuaja dhe në mbarë Shqipërinë. Ne ecim drejt një fushate të re elektorale. Ne këtë fushate sërish së bashku me ju do të hartojmë, do të identifikojmë të gjithë projektet që ju duhen ju, familjeve tuaja, komuniteteve tuaja për një jete dinjitoze. Këto projekte ju duhen ju për të nisur prodhimet tuaja drejt tregut, ju duhen ju për të përmbushur detyrimet ndaj numrit të madh të turistëve që vijnë në këto zona. Ju duhen ju, për ta bërë komunën tuaj gjithnjë e me të pasur, më tërheqëse, familjet tuaja më të mëkëmbura”.
Berisha premtoi gjithashtu se për 4 vitet në vijim qeveria e Partisë Demokratike dhe e “Aleancës për Qytetarin” do rrisë pagat dhe pensionet.
“Katër vitet që vijnë do të jenë vitet, në të cilat ne do të vazhdojmë politiken tonë të rritjes së pensioneve ne fshat dhe ne qytet. Në katër vite që vijnë, ne do të vazhdojmë politikën tonë të rritjes së rrogave për punonjësit. Në katër vitet që vijnë ne hedhim themelet përfundimtare të ‘Shqipërisë vend i zhvilluar në vitin 2017’. Kjo është alternativa jonë. Alternativa jonë është alternativa, e cila bazohet në shkolla, në rrugë, në ura,kanalizime, ullishte, përpunim, agrobiznes, bazohet në qendra shëndetësore moderne, në shërbime të mira ndaj jush. Por mbi të gjitha bazohet në fjalën e mbajtur, në mbajtjen e premtimeve tona”, theksoi kryeministri.
Por sigurisht kryeministri Berisha atakoi edhe platformën e kundërshtarit politik, Edi Rama, i cili edhe në këtë fushatë elektorale s’ka asnjë program politik për qytetarin dhe qytetin. Sipas kryeministrit, historitë e Edi Ramës kanë degjeneruar në historitë e baba Qemit.
“Krahas kësaj alternative ju keni edhe një alternative tjetër që bazohet, në shpifje, në trillime, në sharje dhe në një fjalor krejtësisht të padenjë. Madje tani së fundi siç e dëgjuat mbrëmë, kjo alternativë degjeneroi në historitë e baba Qemit. Më duhet t’i them shokut Rama, se me historitë e baba Qemit dhe me rrugën e vetme të partisë së lavdishme, 45 vjet u tha dynjaja, prandaj më mirë kthehu tek problemet e qytetarëve, të komuniteteve, thuaju qytetarëve se çfarë ju, me alternativën tuaj, mund tu ofroni atyre, për nevojat e tyre, për hallet e dertet e tyre, për zhvillimin e tyre, për vizionin  e tyre. Për sa i përket rrugës së vetme, të gjithë shqiptarët e kanë të qartë se rruga e vetme është rrugë pa kthim. Rrugën e vetme dhe lugën e artë, shqiptarët nuk ia pranojmë askërkujt më”, u shpreh ndër të tjera kryeministri i vendit, Sali Berisha.
Gjatë 5 viteve të fundit, në dy komunat Xhafzotaj dhe Katund i Ri janë ndërtuar dhe po ndërtohen 52 km rrugë dhe segmente rrugore, 12 sisteme ujësjellësish dhe kanalizimesh, 5 shkolla, 7 ambulanca dhe qendra shëndetësore, si dhe janë subvencionuar mbi 20 ha me ullishte, vreshta e dru frutorë. Më pas, kryeministri Berisha vizitoi zyrat e kompanisë “Diamant” e specializuar në  transportin ndërkombëtar të ngarkesave dhe u takua me drejtues e punonjës të saj. Kjo kompani e njohur në shërbimet që ofron në fushën e transportit, ka kryer operacione transporti të ngarkesave të rënda me përmasa shumë të mëdha për disa projekte të rëndësishme për vendin. Duke i përgëzuar për punën e bërë, kryeministri Berisha në bashkëbisedimin me drejtuesit e kompanisë vlerësoi rritjen e madhe të eksporteve në vend, këto dy vitet e fundit, si dhe i njohu ata me masat që ka marrë dhe do të marrë qeveria në vazhdimësi për t’i ardhur në ndihmë biznesit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›