E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për një reformë elektorale të ndershme!

HENRI ÇILI 

Lëvizja Socialiste për Integrim gjendet në statusin e një grupimi të lënduar sërish nga reforma elektorale e pritshme, pas ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit 2008, kur bëhet fjalë për formulën e ndërtimit të komisioneve zgjedhore nga qendra në bazë: formula e re praktikisht e lë LSI-në jashtë tyre në disa nivele, në disa të tjera e lë praninë e saj në dorë të shortit. Dhe duket se me të drejtë. LSI, forca e tretë politike reale, nëse do të duhej të kishte vendin e saj në komisionet zgjedhore, ndonjë parti tjetër veç PS-PD, nëse përbërja ...e këtyre komisioneve përmes çfarëdo lloj formule do të përfshinte ndonjë parti tjetër, jashtë dy partive të mëdha PD-PS! Kjo është e drejta, kjo është e ndershmja.
Reforma elektorale është në finalen e saj dhe duket se PD-PS janë marrë vesh që në të tre nivelet e komisioneve zgjedhore, atë qendror, atë rajonal dhe atë vendor, ose të ketë një prani rastësore të LSI-së, ose gjetkë forca e dytë brenda kampit të majtë që mund të ketë komisionerë do të jetë PSD-ja e Gjinushit! Nisur nga faktet e derisotme, pasi kompromisi elektoral është në dinamikë ditësh, janë të paktën dy nivele në të cilën mund të interpretohet e drejta e ligjshme e LSI-së për të patur komisionerë në të gjitha nivelet, një vështrim relativ dhe një vështrim absolut.
Një vështrim relativ, pra duke parë se PS dhe PD po kërkojnë me sforco të prodhojnë parti të dyta në secilin krah, nga ato që nuk iu takon realisht vendi, përkatësisht PSD-në apo PR-në nga krahu i djathtë, LSI është në të drejtën e saj të ligjshme të kërkojë diçka që i takon: partia e Metës është partia e dytë më e madhe e opozitës, këtë status ajo e ka fituar me forcat e veta, kundër dhe e dëmtuar nga sistemi i Dushkut në zgjedhjet e 2005-ës. Këtë status ajo e ka konfirmuar nga zgjedhjet lokale të 2007-ës. Përpjekja për të prodhuar parti të tjera të “dyta” nga artificet e zgjedhjeve të vitit 2005, është jo legjitime dhe jo e ndershme. Ç’është më e rëndësishme, kjo është një zgjedhje që bën “muuuuuu” në mes të ditës dhe sa më shumë që kjo ndodh apo insistohet në këtë, aq më tepër kërkesa e LSI-së për të patur një anëtar në komisionet e të gjitha niveleve bëhet më legjitime, sa më e pandershme bëhet përpjekja për t’ia mohuar asaj këtë gjë. Ky është një operacion politik me risk të madh për Partinë Socialiste sidomos. Duke votuar skemën që përflitet, në fakt ajo mbyll çdo shans për një afrim të së majtës, për një qasje përafruese të spektrit të majtë, para apo pas zgjedhjeve.
Në një vështrim absolut, pretendimi i LSI-së për praninë e saj të domosdoshme në komisionet e të gjitha niveleve, pavarësisht nga të gjitha rrethanat do kishte një peshë specifike mjaft të relativizuar. Sa anëtarë duhet të kenë komisionet zgjedhore; 5, 7, 17 apo 77? Ku duhet të ndalojnë për t’i dhënë të drejtë partive politike për të patur anëtarë në komisionet zgjedhore, tek partia e dytë parlamentare të secilit krah, tek e treta, tek e katërta, tek e pesta e kështu me radhë? Pse duhet të përfaqësohen në Parlament vetëm disa apo të gjitha partitë parlamentare, pse nuk duhet të përfaqësohen të gjitha partitë që marrin pjesë në zgjedhje, pra dhe ato që nuk kanë arritur të futen në Parlament në zgjedhjet parlamentare? Po partitë e reja pretendente për pushtet në zgjedhjet e radhës pse nuk duhet të kenë komisionerë? Të gjitha këto parime të parashtruara janë po kaq legjitime sa pretendimi absolut i LSI-së për të patur komisionerë me çdo kusht, edhe pse secili prej këtyre argumenteve ka rëndësinë dhe hierarkinë e tij. Ndaj, vetëm si të tilla ato relativizohen para të drejtës dhe përgjegjësisë së dy partive të mëdha, të opozitës dhe qeverisë, për të ndërtuar një skemë të thjeshtë, të qartë të menaxhimit të zgjedhjeve. Dy partitë e mëdha mund dhe duhet të kenë kurajon të debatojnë për opinionin publik pse nuk i duan partitë e tjera në komisione, edhe për një arsye të thjeshtë: në të kaluarën komisionerët e partive të vogla kanë manifestuar papërgjegjshmëri thuajse absolute, duke u shitur e duke u blerë, duke trafikuar votat e duke prishur procesin elektoral në favor të të fortit lokal apo qendror. 
Do të kishte qenë shumë më e ndershme që PS dhe PD të merrnin përsipër vetëm ato menaxhimin e zgjedhjeve, duke ndërtuar hapur dhe ndershëm komisione vetëm PD-PS, pra pozitë – opozitë në raport proporcional. Në këtë rast do të duhej të jepeshin garanci maksimale për vëzhguesit e partive pjesëmarrëse që në bazë, për monitorimin, xhirimin apo fiksimin e procesit të numërimit final të votave. Vetëm kështu mund të kishim rast t’i hynim një debati të ndershëm për thjeshtimin e zgjedhjeve tona, në çdo element përfshi dhe madhësinë dhe përbërjen e komisioneve zgjedhore.
A janë ligjet në thelb të drejta dhe të ndershme apo janë thjesht një raport forcash i momentit. E sigurt është që një ligj i ndershëm i qëndron kohës, ato që ndërtohen sipas raportit të forcave hidhen në kosh për herën tjetër. Më e pakta që mund të thuhet!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›